BETIMI SOLEMN i MËSUESIT

1067

NGA KLODI STRALLA

Të gjithë, besoj, keni dëgjuar për betimin e Hipokratit, betim që e bëjnë të gjithë diplomantët e rinj të mjekësisë para se të fillojnë profesionin fisnik e të përgjegjshëm të mjekut. Por pak nga ju e dinë që edhe mësuesit e kanë një betim të ngjashëm.

Teksti i betimit solemn të mësuesit, që quhet “Betimi i Pedagogjizuar i Hipokratit” është krijuar nga pedagogu zvicerian Robert Dottrens (1893-1984). Ky tekst betimi është “patentuar” në 5 tetorin e 1966-ës për nevojat e UNESCO-s dhe kjo datë është shpallur prej saj si Dita Ndërkombëtare e Mësuesit.

Për ata që nuk e dinë, shkurt, ju kujtoj se Robert Dottrens, nga viti 1930 e deri në vitin 1951 ishte drejtor i Byrosë Ndërkombëtare të Arsimit (Bureau International d’Education), me seli në Gjenevë të Zvicrës. Si ekspert i UNESKO-s ai kontribuoi në Laboratorin e Pedagogjisë Eksperimentale, ku u angazhua për modernizimin e arsimit dhe të shkollave në përgjithësi. Në vitin 1966, me kërkesën e UNESCO-s, hartoi tekstin e Betimit Solemn të Mësuesit, i cili ndryshe njihet edhe si Betimi i Pedagogjizuar i Hipokratit.

Ja teksti i plotë i betimit, që në shumë vende, bëhet solemnisht nga mësuesit e rinj para se të fillojnë detyrën:

• Do ta kryej detyrimin tim me ndërgjegje dhe krenari.

• Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do të harroj që, për fatin e tyre, edhe vetë mbaj një pjesë të përgjegjësisë.

• Do ta mbroj, me të gjitha mjetet ekzistuese, nderin e profesionit të arsimtarit.

• Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqtë e mi.

• Në bashkëpunim me ta do të përpiqem që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes të të gjitha të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim.

• Këtë betim solemn e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nder.