Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se Greqia ka marre vendim të tërheqë rezervën për Vulën Apostile ndaj Shqipërisë. Në njoftimin dërguar për mediat, MEPJ tha se ky vendim ishte marrë me efekt të menjëhershëm.
“Tërheqja e rezervës për Vulën Apostile ka një impakt pozitiv praktik kryesisht për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi duke lehtësuar dhe përshpejtuar procedurat e marrjes dhe përdorimit të dokumenteve të lëshuara nga institucionet shqiptare dhe greke, si dhe duke ulur ndjeshëm kostot e lëshimit të këtyre dokumenteve”, tha MEPJ.
Ajo shtoi se vetëm gjatë vitit 2017, kostot e përballuara nga qytetarët shqiptarë për shkak të aplikimit të vulës apostile nga autoritetet greke kanë kapur vlerën e 6.7 milionë euro.
“Ky vendim i qeverisë greke përbën një angazhim të përmbushur në kuadër të dialogut dypalësh Shqipëri-Greqi për çështjet e mbetura pezull prej një kohë të gjatë”, tha MEPJ, duke lënë të kuptohet se kjo ka qenë nje nga temat për të cilat është rënë dakord gjatë diskutimeve të kohëve të fundit mes delegacioneve të të dy vendeve.