Artur Meçollari, "spiuni" i delegacionit shqiptar në bisedimet për detin Shqipëri-Greqi

449

Artur Meçollari ra menjëherë në sy në delegacionin që shoqëroi Ditmir Bushatin në Korçë, ku u fol me Nikos Kocias për kufirin detar. Prania e oficerit në takim, shtonte dyshimet se biseda kishte kaluar në detaje teknike të kufirit dhe për këtë, Ministri i Punëve të Jashtme nuk ishte autorizuar nga Presidenti.
Por sapo emri i Artur Meçollarit doli mes negociatorëve të marrëveshjes së re me Greqinë, ai u kthye në strumbullarin e kauzës së opozitës për të delegjitimuar negociatat.
Si u shpall “spiun” Artur Meçollari
Lajmet e para se Artur Meçollari ishte spiun i ushtrisë dolën në mediat pranë opozitës. Burime të paidentifikuara flisnin për urdhërin e shkarkimit nga Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2012. Sipas tyre, Meçollari iu dha informacion shërbimeve të huaja partnere.
Deklarata e Sali Berishës nga parlamenti ishte direkte kundër Meçollarit.
“Dua të denoncoj me ashpërsinë më të madhe vendosjen në grupin negocioator të një ish spiuni të Forcave të Armatosura të Ushtrisë, i larguar pas dokumentimeve të pakundërshtueshme të SHIU dhe të dhëna të tjera, gjithçka realizuar me vendim të Prokruorisë së Përgjithshme dhe që ky agjent, ky spiun. Artur Meçollari siç ka të drejtë çdo shtetas kur ka të drejtë, nuk iu drejtua gjykatës, ai ka zgjedhur rrugën e xhepit apo rrugën e influencës së vendit ku ai merrte rrogën tjetër për t’u rikthyer në funksione nevralgjike të shtetit shqiptar…” u shpreh Berisha duke e konsideruar këtë një super-skandal.
Video më poshtë:
Kur u pyet në Studion e Hapur se ku i bazonte informacionet për Artur Meçollarin, Berisha u shpreh se fillimisht ishte njoftuar nga mediat.
“Më pas më erdhën informacione nga gjeneralë madhorë të ushtrisë shqiptare që pohuan të njëjtën gjë si mediat” tha Berisha.
Ish kryeministri la të kuptohet se Meçollari dyshohet si agjent i vendeve partnere dhe në këto raste ka një rregull etik.
“Ka një rregull në këto, kur janë midis vendeve partnere, kur janë midis vendeve edhe mike nuk dekonspirohen. Ky është një rregull. Për këto gjatë ditëve të ardhshme do t’i kërkoj Komisionit të Sigurisë të investigojë.”
Kolonel Ylli Zyla, ish-drejtor i Shërbimit Informativ të Ushtrisë përforcoi deklaratën e Berishës në Top Channel. Sipas tij, prania e Meçollarit në grupin negociator cënonte sigurinë kombëtare.
“Në cilësinë e ish-drejtorit të SHIU mund t’iu them se emir në fjalë është i papërshtatshëm në grupin e negociatorëve për marrëveshjen e detit me Greqinë. Etika profesionale nuk më lejon të them më tepër, por autoritetet dhe veçanërisht Presidenti i Republikës i ka të gjitha mundësitë të kuptojë papërshtatshmërinë e tij. Pjesëmarrja e tij në komision do të cenonte sigurinë kombëtare, pasi marrëveshje të tilla bëhen një herë në jetë dhe jo çdo ditë”, u shpreh kolonel Ylli Zyla.
Shpjegimi i zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes për kontaktet me atashetë e huaj ushtarakë
Dyshimet janë se Artur Meçollari iu dha informacion përfaqësuesve të ambasadës amerikane dhe holandeze, për bazën ushtarake të Bisht-Pallës. Zëvëndësministri i Mbrojtjes Petro Koçi i përmendi akuzat, gjatë një prononcimi në emisionin Studio e Hapur në News24.
“Meçollari është akuzuar se ka bashkëpunuar me përfaqësues ushtarakë të vendeve aleate me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me atasheun ushtarak përkatës dhe me atë të Hollandës” u shpreh Koçi.
Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes tha për Lapsi.al se Meçollari përflitet për disa takime që ka pasur me atashetë ushtarakë amerikanë dhe holandezë. Por ky zyrtar, që nuk pranoi të identifikohej, shpjegoi se kontaktet me atashetë e huaj kanë qenë të justifikuar për shkak të detyra që ka mbajtur Meçollari. Për Lapsi.al, zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes dha këto detaje si për takimet me atasheun ushtarak të ambasadës amerikane, ashtu edhe për atë holandeze:
“Gjatë kryerjes së detyrës si Komandant i Flotiljes Detare Jugore (Pashaliman 2007-2010) por sidomos Zëvëndëskomandant i Forcës Detare (Durrës 2010-2012), Artur Meçollari ka bashkëpunuar me Palën Hollandeze (Atasheun ushtarak dhe Menaxherin e DAMEN Shipyards për menaxhimin e projektit të prodhimit të anijeve STAN PATROLL 4207 (Clasi IIliria).
Gjatë kohës që ka qenë Komandant i Flotiljes Detare Jugore (Pashaliman 2007-20110), Artur Meçollari ka qenë bashkëdrejtues i dy stërvitjeve të përbashkëta me Forcat Detare Hollandeze (Albanian Lion).
Përpara vitit 2006, në Detyrën e Shefit të Planifikimit të Forcës Detare, ka menaxhuar hartimin e programit për blerjen e anijeve STAN PATROLL 4207 (Clasi IIliria).
Gjatë kohës që ka qenë Komandant i Flotiljes Detare Jugore (Pashaliman 2007-20110) ka qenë bashkëdrejtues i dy stërvitjeve të përbashkëta me Forcat Detare Hollandeze (Albanian Lion). Përpara vitit 2006, në Detyrën e Shefit të Planifikimit të Forcës Detare, ka menaxhuar hartimin e programit për blerjen e anijeve hollandeze, kur Komandant ishte Kristaq Gerveni.
Lidhur me takimet me Atasheun ushtarak të SHBA, takimet janë jo vetëm për shkak të detyrës, por edhe pasi Kapiten i Rangut të Parë Meçollari, ka përfunduar tre kolegje në SHBA, të sponsorizuara nga Departamenti i Mbrojtjes. Ai ka qenë gjithmonë i ftuar në të gjitha eventet që organizonte Zyra e Atasheut dhe ODC (Defence Security Office) të SHBA.
Por, gjatë viteve 2009-2012, ai kishte epror direkt Kundëradmiral Kudret Çela, nga i cili merrte dhe udhëzime, ku dhe raportonte për detyrat e ngarkuara. Më parë komandant i tij ka qenë Kapiten i Rangut të Parë Kristaq Gërveni” shpjegoi për Lapsi.al zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes.
Largimi nga detyra si Komandant në Bisht-Pallë dhe konflikti me qeverinë Berisha në 2012
Artur Meçollari ishte komandant në detyrë i Forcave Detare, kur refuzoi të nxjerrë nga “Plani i Përhapjes së Ushtrisë” bazën ushtarake detare të Bisht Pallës. Me nxjerrjen nga “Plani i Përhapjes së Ushtrisë” pronat në këtë zonë, mund të privatizoheshin dhe baza ushtarake të zhbëhej.
Për të njëjtën çështje ishte shkarkuar para tij admirali Kudret Çela.
Në një prononcim të vitit 2012 për gazetarin Arben Rrozhani, Artur Meçollari foli për herë të parë dhe të vetme për këtë çështje për shkarkimin e tij.
“Në urdhërin e lirimit nuk ka ndonjë gjë të shënuar. Isha zëvendës i admiral Kudret Çelës dhe e kam zëvendësuar nja 20 ditë. Nuk lëkundesha nga pozicioni i admiral Çelës” ka thënë Artur Meçollari në atë kohë.
Më i qartë ishte admiral Kudret Çela. Ai shpjegonte se kërkesa e Arben Imamit për nxjerrjen e Bisht-Pallës nga “Plani i Përhapjes” cënonte sigurinë kombëtare.
“Baza detare do të shkojë në Pashaliman, se çfarë do të bëhet e dinë ata të ministrisë së Mbrojtjes. Problemi im kryesor është se nuk ka siguri kombëtare në gjithë këtë hapësirë detare nga Sazani deri në Shëngjin. Ky shtet ka ca konventa ndërkombëtare që i ka miratuar dhe duhet tu përgjigjet atyre, sidomos në rastet humanitare” ishin fjalët e Kudret Çelës.
I pyetur se pse u shkarkua ai dhe Artur Meçollari, Kudret Çela përgjigjej shkurt: “Sepse kundërshtuam që të mbyllej Bisht-Palla”.
Baza Detare e Bisht-Pallës më herët kishte nisur të rindërtohej, duke u bërë e përshtatshme për ankorimin e anijeve luftarake. Sipas komandantëve, sugjerimet e ekspertëve të NATO-s ishin që baza të ruhej.
Çertifikata e sigurisë Cosmic Top Secret i NATO-s dhe vlerësimi nga Xhemal Gjunkshi
Burime të Lapsi.al nga Ministria e Mbrojtjes thanë se Xhemal Gjunkshi, ish Shef i Shtabit të Përgjithshëm refuzoi ta firmosë propozimin për shkarkimin e Artur Meçollarit në vitin 2012.
Edhe 6 vite më pas, Gjunkshi (sot deputet i Partisë Demokratike) dha vlerësimet maksimale për Artur Meçollarin si ushtarak.
“Si individ dhe si ushtarak, Artur Meçollari ka vlerësimet e mia maksimale, është overqualified, kanë investuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës jashtëzakonisht për kualifikimin dhe trajnimin e tij”, tha Gjunkshi në prononcimin për Panorama.
Artur Meçollari është i pajisur me certifikatën e sigurisë nga DSIK, si dhe certifikatën Cosmic Top Secret të NATO-s. Kjo certifikatë është e nivelit maksimal dhe zotërohet nga pak ushtarakë shqiptarë.
Përplasja me profesorët për kufirin detar
Artur Meçollari është autor i disa librave dhe artikujve për të drejtën e detit. Ai ka qenë Shef i Departamentit të Lëndëve Ushtarake dhe Pedagog i të Drejtës Ndërkombëtare të Detit në Akademinë e Detarisë në Vlorë (2000-2001).
Por gjatë një përballjeje me profesorët Ksenofon Krisafi dhe Pëllumb Xhufi, koloneli është kapur vazhdimisht në gabime. Në emisionin Top Show, me titullin “Shqipëri-Greqi, beteja për ujin” Artur Meçollari korrigjohet vazhdimisht nga profesorët, madje ata kanë qesur me lapsuset e tij.
Shkëputur nga Lapsi.al