Në një shkrim kushtuar Kosovës nga media arabe “Al Jazeera”, kryeministri Ramush Haradinaj foli për gjendjen aktuale në vend dhe për problemet me Serbinë.
“Çdo komb europian humb para duke e mbajtur Serbinë dhe Kosovën të papërcaktuar. Kjo është e dëmshme për secilin komb europian, sepse nëse e mbajnë njërin nga rajonet e tyre të dobët, ata e mbajnë veten të dobët. Kemi humbur shumë kohë, dy dekada që nga lufta, dhe kjo është në Europë”, është shprehur Haradinaj për median arabe.
Kryeministri Haradinaj tha se “është shumë irracionale që të mbetet e papërfunduar çështja mes Prishtinës dhe Beogradit”. Më tej ai theksoi se pajtimi mes qytetarëve serbë dhe shqiptarë në Kosovë është thelluar shumë, ndërsa përmend edhe ministrat e këtij komuniteti në qeverinë e tij.
Shkrimi më tej përqëndrohet edhe tek çështja e Gjykatës Speciale që do të shqyrtojë pretendimet për krime lufte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Al Jazeera” ka marrë prononcimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Greg Delawie i cili ka thënë se “Dhomat Speciale janë një element i sundimit të ligjit, është e rëndësishme që të sjellim drejtësi për viktimat, e të gjitha etnive, nga përpjekjet e Kosovës për çlirim në 1999-ën”.
Në anën tjetër, kryetari i kuvendit, Kadri Veseli thotë se Gjykata Speciale është në interes të Kosovës.
“Do t’i respektojmë Dhomat Speciale. Do të kalojmë nëpër atë proces sepse është në interesat e Kosovës për ta hequr çfarëdo dyshimi rreth lirisë tonë”, është shprehur kryeparlamentari. Ndërsa në fund nënvizon se ndihet krenar për luftën për lirinë e vendit.