Rreth orës 19:00, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Gramsh ka marrë një telefonatë se 4 shtetas dyshohet se janë mbytur në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe zjarrëfikësit, ku ka rezultuar se:
Në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës në fshatin Drizë të Gramshit, dyshohet se shtetasit A.Z, rreth 46 vjeç, R.Z, 19 vjeç, E.Z, 14 vjeç , (babai me dy djemtë) dhe kushëriri i tyre shtetasi M.Z, 20 vjeç, sipas deklarimeve të familjarëve janë futur në liqen për tu larë dhe nuk kanë dalë më.
Gjiihashtu menjëherë në drejtim të liqenit janë nisur polumbarët e Reneas për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e katër shtetasve nga liqeni.
Grupi hetimor ka gjetur në buzë të liqenit dy motoçikleta, tre celularë dhe teshat e trupit.
Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Një vendbanim palafit 7800-vjeçar është zbuluar në Lin të Pogradecit. Nga puna e arkeologut shqiptar Adrian Anastasi dhe atij zviceran Albert Hafner mësohet se kemi të bëjmë me vendbanimin më të vjetër në Europë.
Në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu, arkeologu Adrian Anastasi, i cili ka drejtuar ekspeditën kërkimore arkeologjike në Lin u shpreh: “Jemi diku 7800 vjet më parë. Ky është datimi më i vjetër që kemi marrë. Vendbanimi, i cili shtrihet në 3500 hektarë, nuk ka qenë i gjithi i ndërtuar mbi një platformë. Në këtë sipërfaqe, për rreth 8 shekuj, është ndërtuar vazhdimisht.”
Kërkimet në liqenin e Ohrit dhe të Prespës kanë nisur rreth 10 vjet më parë. “Janë kërkime të inkuadruara në një projekt të madh ‘Harta arkeologjike nënujore e bregdetit shqiptar’. Përveç këtij vendbanimi ne kemi identifikuar dhe dy vendbanime të tjera në liqenin e Ohrit që nuk njiheshin më përpara. Kemi një vendbanim i cili është i përafërt në kohë me këtë që po studiojmë në fshatin Buqezë në Lin, dhe një tjetër që i përket Periudhës së Bronzit të vonë. Flasim gjithmonë për palafite”.
Kjo tërhoqi vëmendjen e studiuesve zviceranë. Më pas u pa e nevojshme që të kryhej një projekt i fokusuar në datimet e këtij siti arkeologjik. “‘Universiteti i Bernës’ është lider në Europë dhe profesor Hafner është drejtor i Institutit të Arkeologjisë së këtij universiteti, i cili ka laboratorë të fuqishëm.” Arkeologu Anastasi tregon për tipologjinë e ndërtimeve të këtij vendbanimi. “Vendbanimet e Neolitit të Mesëm përfaqësohen nga ndërtimet e tre shtëpive, të cilat ishin të lidhura me bregliqenin. Rreth 7 metra në drejtim të liqenit kishin një mur ose gardh me pilota druri që vinte në formë harku dhe krijonte një lloj mbrojtjeje. Ka shumë hipoteza se nga mbroheshin: nga natyra, nga kafshët apo grupe të tjera njerëzish. Kemi arritur të identifikojmë qartësisht murin mbrojtës që është pilotuar me trungje pishe me dimensione që shkojnë 30-40 cm. Nuk ka një dokumentim në sitet e tjera arkeologjike në Ballkan që të jetë kaq e pastër siç e kemi identifikuar dhe po punojmë aktualisht.”
I pyetur për popullsinë e këtij vendbanimi, Anastasi zbulon: “Jemi në identifikimin e bujqve të parë në Europë. Ajo popullsi e cila nuk ishte shtegtare por vendoset përfundimisht dhe fillon kultivon bujqësinë. Gjithashtu kemi një ndryshim në arkitekturën e vendbanimeve, nga toka kalojnë në ujë. Merreshin me gjueti dhe peshkim. Mjafton të njihet zona e fushës së Linit dhe Qafë Thana, për të kuptuar pse këta njerëz e kanë zgjedhur Linin. Është ky peizazh që i ka tërhequr këta njerëz për t’u stabilizuar përfundimisht në atë periudhë.”
Arkeologu thekson së ky zbulim është një rezultat shumë i rëndësishëm shkencor sepse shënon një pikë të re në arkitekturën e vendbanimeve. “Pse këta njerëz kaluan nga ndërtimet në tokë në ndërtimet në bregliqen? Pse bënë një zgjedhje që ishte më e vështirë, që kërkonte energji, kohë dhe ekonomi? Fakti që e ndërtuan do të thotë që ka qenë një forcë më e madhe që i ka detyruar ta bëjnë atë. Këtë po kërkojmë të sqarojmë në kërkimet tona. Nuk është pak që të dihen fillesat e kalimit nga ndërtimet në tokë në ndërtimet bregliqenore. Ky është një lajm i madh. Më pas janë për t’u kuptuar të gjitha mekanizmat dhe për t’u rindërtuar ky komunitet, se si ka jetuar ai. Janë përgjigje që më të sakta mund të jepen pas 7-8 vjetësh.”
Një tragjedi ka ndodhur në bregdetin shqiptar. Babai me dy djemtë e mitur, janë mbytur në plazhin Vilë-Boshtovë. Burri 55-vjeçar dhe fëmijët 13 dhe 15-vjeç nga Tirana kanë ndërruar jetë.
Sipas Policisë, shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për t’i shpërtuar por të 3 shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datë 09.07.2023, në plazhin Vilë-Boshtovë, duke notuar në det janë mbytur tre shtetas kosovarë, pjestarë të së njëjtës familje (babai rreth 55 vjeç, dhe dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç). Shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për ti shpërtuar por të tre shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes
Deputeti socialist Rrahman Rraja ka deklaruar dorëzimin e mandatit dhe largimin nga jeta politike, pasi fëmijët dhe të afërmit e tij u përfshinë në një ngjarje të dhunshme dy ditë më parë në fshatin Borizanë afër Fushë- Krujës .
Në një deklaratë për media e deputeti Rraja shprehet se “Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht une dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time” shkruan Rraja.
Deputeti i bën thirrje djalit të tij, i cili është shpallur në kërkim, që të dorëzohet para drejtësisë.
“I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhënte forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që me la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova” përfundon deklarata e deputetit socialist Rrahman Rraja .
Dy ditë më parë në media qarkulloi video ku dukeshin vëllezërit e deputetit Rraja dhe djali i tij të pajisur me shkopa gome, ndërsa njëri prej vëllezërve me armë në dorë, teksa ushtronin dhunë ndaj dy vëllezërve të cilët vazhdimisht ishin ankuar se gurorja e familjes Rraja po i shkatërronte shtëpitë nga shpërthimet që kryheshin aty.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi duke e konsideruar dhunën të papranueshme, teksa theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe nuk mund t’u shpëtojnë përgjegjësive “në asnjë rrethanë”. Ministri ka zhvilluar edhe një takim sot me Drejtorin e Policisë Muhamet Rrumbullaku, ku ngjarjet me sfond kriminal besohet se ishin tema kryesore e takimit mes dy zyrtareve që përgjigjen për rendin dhe sigurinë publike.
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama u prit në Sarajevë nga Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Borjana Kristo.
Kjo e fundit së bashku me Kryeministrin Rama kanë zhvilluar një takim, në kuadër të turit ballkanik që kreu i qeverisë shqiptare po zhvillon për procesin e Samitit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.
Pas takimit mes dy liderëve, Rama dhe Kristo kanë zhvilluar një tjetër takim me delegacionet përkatëse, Turi i Ramës në Ballkan,vjen në kuadër të procesit të Samitit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.
“Rama u prit në kryeqytetin e Bosnjes nga znj. Kristo dhe me të cilën po zhvillon takim dypalësh e më pas, takim së bashku me delegacionet. Në këto takime priten dhe deklarata për mediat ku do ndajnë atë çfarë është diskutuar në takimet e sotme.
Kjo është vizita e parë e Ramës, ku rreth mesditës do takohet me Abazoviç e në mbrëmje me presidentin Vuçiç.
Kryeministri Rama po merr masat dhe po koordinohet me vendet e Ballkanit Perëndimor mbi atë se çfarë do diskutohet në Samitin e Tiranës ku në fokus do jetë integrimi i rajonit në BE, shkëmbimi tregtar, siguria dhe stabiliteti i rajonit”, tha Shkodrani.
Në orën 13:45 është planifikuar një takim tetë-a-tetë mes Ramës dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, teksa në orën 15:40 do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp.
Më pas, Rama do të udhëtoj drejt Serbisë, ku do të zhvillojë një takim me Presidentin Aleksandër Vuçiç në orën 19:30 dhe 30 minuta më pas do të mbajnë edhe konferencën për shtyp.
Shtyhet sërish procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci”.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka shtyrë për të pestën herë seancën për pretencën ndaj Mediut, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në shpërthimin e Gërdecit, duke vendosur mbajtjen e seancës së radhës më 18 korrik.
Shkak për shtyrjen e seancën, ishin pasaktësitë në prokurat e paraqitura për 109 persona dhe vendimi i gjykatës për moslegjitimimin e Dorian Matlijas si përfaqësues i tyre në këtë proces.
Avokati i familjarëve të viktimave të “Gërdecit”, Dorjan Matlija në një prononcim për media, ka deklaruar se ka tërhequr kërkesën për përfaqësimin e 109 personave, duke bërë me dije se mbron vetëm 6 prej tyre, që janë konkretisht 3 pjesëtarë të familjes Duda dhe 3 pjesëtarë të familjes Azizaj.
Matlija theksoi se ky proces është karakterizuar nga vonesat dhe për këtë arsye, ai tha se do të bëjë prokura të tjera për t’i përfaqësuar në seancën e 18 korrikut.
“Tërhoqa kërkesën për të përfaqësuar 109 persona, pasi mbroj 6 prej tyre. Të mos krijohen vonesa Gjykata vlerësoi se ata njerëz kanë pasur vullnet për të marrë pjesë në proces. Të gjithë këta persona duhet të shkojnë në prokura të tjera dhe ka kosto ekstra. Më duket e panevojshme. Ata që do duan të përditësojnë, unë do i njoftoj personalisht dhe kush ka mundësi të përballojë kostot do bëjnë prokurat dhe do përfaqësohen në seancën tjetër.
Kërkesën e paraqita unë si avokat.
Ose gjykata më pranon si përfaqësues ose nuk më pranon., ky është nonsens. Nuk doja të bëhesha shkak për vonesë gjykimi dhe tërhoqa kërkesën.
Për mua është diskutim i panevojshëm që çon në shtyrjen e seancës. Në seancën tjetër do vijë me prokura të tjera.
Ky proces është karakterizuar nga vonesa, ka nisur në 2009, u shty disa herë, u mbyll me një amnisti. Ne sot po shohim që po fillon të ecë dhe nuk duam të bëhemi pengesë.
6 emrat janë nga familja Duda, nga familja Azizaj, dy familjet ku unë përfaqësoj 3 prej tyre nga secila familje. Gjykata do prokura të tjera dhe ne do i bëjmë, do shohim në seancën tjetër”, tha ai para mediave.
Kujtojmë se më 7 qershor GJKKO pranoi kërkesën që familjarët e viktimave pranohen si pjesë e procesit.
Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit 2008. Nga shpërthimi në depon e municioneve në Gërdec, mbetën të vrarë 26 persona si dhe u plagosën qindra të tjerë. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan edhe qindra shtëpi.
Në gjykatën e ekstradimeve në Londër është zhvilluar një seancë parapërgatitore e ekstradimit të Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman dhe shqiptarit me pasaportë britanike Edmond Haxhia.
Ata kërkohen nga drejtësia shqiptare nën dyshimin e bashkëpunimit në vrasjen e Ardian Nikulaj në 19 prill 2023! Nga të katër të arrestuarit, vetëm Edmond Haxhia preferoi ta ndjekë këtë seancë prezent në gjykatë. Ndërsa, Harriet Bridgeman iu bashkua “online” nga shtëpia e saj. Lewis Green, avokati mbrojtës i Thomas Mithan, paralajmëroi se ai do të kërkojë sjelljen në Gjykatë e një raporti nga një ekspert i pavarur për kushtet e burgjeve në Shqipëri.
Të tillë raporte ekspertësh janë përdorur edhe në të shkuarën për të bllokuar por pa sukses, ekstradimet e shqiptarëve nga Anglia.
Gjykata e Lartë angleze “Royal Court of Justice” për këtë çështje është shprehur disa herë duke vendosur se “kushtet në burgjet shqiptare, përmbushin standardet për të ekstraduar nga territori Anglisë, të kërkuarit nga drejtësia shqiptare”. Gjykatësi Daniel Sternberg vendosi vijimin e lirisë me kusht nën monitorimin elektronik për Bridgeman, ndërsa tre të bashkë-akuzuarit e tjerë do të vijojnë qëndrimin në paraburgim.
Po ashtu, gjykatësi Sternberg kërkoi nga avokatët mbrojtës të dorëzojnë në gjykatë argumentet mbrojtës më 29 Gusht. Ndërsa shteti shqiptarë kërkues i ekstradimit të këtyre personave, përmes përfaqësuesit nga “Crown Prosecution Service”, Prokuroria angleze, duhet të dorëzojë prapësimet ligjore më 10 Tetor. Me realizimin nga palët të këtyre urdhëresave të gjykatësit Daniel Sternberg i hapet rruga shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë në mesin e Nëntorit.
Qëndron ende në arrati britaniku tjetër Harry Simpson person me Kartelë të Kuqe Interpoli pasi një urdhër arresti nga Policia Shqiptare.
Sakaq, në Marok është arrestuar pasi ishte i shpallur në kërkim nga Interpoli Ruben Saraiva njeriu që sipas policisë shqiptare është autori vrasjes në Shëngjin të Ardian Nikulajt. Edhe ndaj tij kanë nisur procedurat e ekstradimit, raportoi “TCH” që bën me dije se e ka ndjekur “online” seancën.
REFUZIMI
Referuar të dhënave që vijnë nga Anglia bëhet me dije se në fakt të gjithë të akuzuarit kanë mohuar të kenë lidhje me akuzat e ngritura nga Shqipëria! Shtetasit britanikë kanë këmbëngulur se kanë qenë vetëm turistë ndërkohë që pretendimet e shqiptaro-britanikut janë më konkrete!
Ai mohon të ketë pasur probleme ndonjëherë me familjen Nikulaj! Po ashtu, ai ka mohuar të ketë financuar apo organizuar atentatin ndaj Ardian Nikulajt duke rrëfyer për drejtësinë britanike të gjithë itineraret e ditëve të tij të fundit në vendin tonë! Sipas të dhënave të ardhura nga mbrojtja e shtetasit portugez të arrestuar nën akuzën e vrasjes, bëhet me dije se edhe ai refuzon të ekstradohet! Ai ka mohuar lidhjen me krimin e rëndë ndërkohë që ka zgjedhur të përfaqësohet nga mbrojtës britanikë.