Zbulohet në Lin vendbanimi 7800-vjeçar, arkeologu: Identifikimi i bujqve të parë në Europë! Fillesat e kalimit te ndërtimet bregliqenore

210

Një vendbanim palafit 7800-vjeçar është zbuluar në Lin të Pogradecit. Nga puna e arkeologut shqiptar Adrian Anastasi dhe atij zviceran Albert Hafner mësohet se kemi të bëjmë me vendbanimin më të vjetër në Europë.

Në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu, arkeologu Adrian Anastasi, i cili ka drejtuar ekspeditën kërkimore arkeologjike në Lin u shpreh: “Jemi diku 7800 vjet më parë. Ky është datimi më i vjetër që kemi marrë. Vendbanimi, i cili shtrihet në 3500 hektarë, nuk ka qenë i gjithi i ndërtuar mbi një platformë. Në këtë sipërfaqe, për rreth 8 shekuj, është ndërtuar vazhdimisht.”

Kërkimet në liqenin e Ohrit dhe të Prespës kanë nisur rreth 10 vjet më parë. “Janë kërkime të inkuadruara në një projekt të madh ‘Harta arkeologjike nënujore e bregdetit shqiptar’. Përveç këtij vendbanimi ne kemi identifikuar dhe dy vendbanime të tjera në liqenin e Ohrit që nuk njiheshin më përpara. Kemi një vendbanim i cili është i përafërt në kohë me këtë që po studiojmë në fshatin Buqezë në Lin, dhe një tjetër që i përket Periudhës së Bronzit të vonë. Flasim gjithmonë për palafite”.

Kjo tërhoqi vëmendjen e studiuesve zviceranë. Më pas u pa e nevojshme që të kryhej një projekt i fokusuar në datimet e këtij siti arkeologjik. “‘Universiteti i Bernës’ është lider në Europë dhe profesor Hafner është drejtor i Institutit të Arkeologjisë së këtij universiteti, i cili ka laboratorë të fuqishëm.”
Arkeologu Anastasi tregon për tipologjinë e ndërtimeve të këtij vendbanimi. “Vendbanimet e Neolitit të Mesëm përfaqësohen nga ndërtimet e tre shtëpive, të cilat ishin të lidhura me bregliqenin. Rreth 7 metra në drejtim të liqenit kishin një mur ose gardh me pilota druri që vinte në formë harku dhe krijonte një lloj mbrojtjeje. Ka shumë hipoteza se nga mbroheshin: nga natyra, nga kafshët apo grupe të tjera njerëzish. Kemi arritur të identifikojmë qartësisht murin mbrojtës që është pilotuar me trungje pishe me dimensione që shkojnë 30-40 cm. Nuk ka një dokumentim në sitet e tjera arkeologjike në Ballkan që të jetë kaq e pastër siç e kemi identifikuar dhe po punojmë aktualisht.”

I pyetur për popullsinë e këtij vendbanimi, Anastasi zbulon: “Jemi në identifikimin e bujqve të parë në Europë. Ajo popullsi e cila nuk ishte shtegtare por vendoset përfundimisht dhe fillon kultivon bujqësinë. Gjithashtu kemi një ndryshim në arkitekturën e vendbanimeve, nga toka kalojnë në ujë. Merreshin me gjueti dhe peshkim. Mjafton të njihet zona e fushës së Linit dhe Qafë Thana, për të kuptuar pse këta njerëz e kanë zgjedhur Linin. Është ky peizazh që i ka tërhequr këta njerëz për t’u stabilizuar përfundimisht në atë periudhë.”

Arkeologu thekson së ky zbulim është një rezultat shumë i rëndësishëm shkencor sepse shënon një pikë të re në arkitekturën e vendbanimeve. “Pse këta njerëz kaluan nga ndërtimet në tokë në ndërtimet në bregliqen? Pse bënë një zgjedhje që ishte më e vështirë, që kërkonte energji, kohë dhe ekonomi? Fakti që e ndërtuan do të thotë që ka qenë një forcë më e madhe që i ka detyruar ta bëjnë atë. Këtë po kërkojmë të sqarojmë në kërkimet tona. Nuk është pak që të dihen fillesat e kalimit nga ndërtimet në tokë në ndërtimet bregliqenore. Ky është një lajm i madh. Më pas janë për t’u kuptuar të gjitha mekanizmat dhe për t’u rindërtuar ky komunitet, se si ka jetuar ai. Janë përgjigje që më të sakta mund të jepen pas 7-8 vjetësh.”