Pesë viktima nga moti i keq, vendi drejt gjendjes së jashtëzakonshme

240

Italia po shkon drejt gjendjes së jashtëzakonshme mes stuhisë që goditi Lombardinë dhe zjarreve që po shpërthejnë në Siçili dhe në jug.

Vendimi pritet sot në një takim të qeverisë.

Rajonet po llogaritin dëmet e ndërtesave, infrastrukturës dhe bujqësisë.

Ndërkohë janë shënuar pesë të vdekur për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit.

Një vajzë 16-vjeçare u vra nga një pemë që ra mbi tendën e saj në një kamp skautizmi në Valcamonica, provinca e Brescias. Tre persona mbetën viktima të flakëve në zjarret që ende vazhdojnë rreth Palermos dhe Siçilisë, dhe një në Reggio.

“Nuk e kam parë kurrë një gjë të tillë në 65 vjet”, thotë kryebashkiaku i Milanos, Sala.

“Unë do të doja t’i bëja një thirrje Brukselit, por ne do ta zyrtarizojmë nesër, pasi flota e ‘Canadair’ e Evropës është një flotë absolutisht e pamjaftueshme. Ne nuk mund të lutemi për ardhjen e një automjeti amfib çdo herë. Ne duhet të forcojmë flotën evropiane”, deklaroi ministri për Mbrojtjen Civile dhe Politikat Detare, Nello Musumeci në Tg1.

Drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme flitet për Lombardinë, Sicilinë, Veneton, Emilia Romagna dhe Friuli Venezia Giulia, të prekura nga ngjarjet ekstreme të ditëve të fundit, përfshirë stuhitë në veri dhe zjarret në jug.