Mundësitë për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve!

519

Në një kohë që në Shqipëri mbetjet vijojnë të shkaktojnë probleme si për kapacitetet e kufizuara të autoriteteve lokale ashtu edhe për mjedisin ku ato grumbullohen apo hidhen, në kontekstin europian janë përcaktuar kushtet teknike dhe ligjore të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm shërbimin e menaxhimit të mbetjeve nëpërmjet praktikave më të mira dhe teknologjive inovatore.

Direktiva kuadër nr. 2008/98/EC e Parlamentit Europian të vitit 2008.

Ajo shpjegon se kur mbetjet pushojnë së qeni mbetje dhe bëhen lëndë e parë dytësore dhe si të bëhet dallimi midis mbetjeve dhe nënprodukteve. Themeli i menaxhimit të mbetjeve të BE-së është “hierarkia e mbetjeve” me pesë hapa, e vendosur në Direktivën Kuadër të Mbetjeve. Ajo vendos një rend preference për menaxhimin dhe asgjësimin e mbetjeve.

Në Shiqipëri mbetjet shikohen si një material pa vlerë dhe depozitohen në pikët fundore si produkt me një destinacion të vëtëm dhe pa benefite për banorët apo për njësitë e qeverisjes vendore. Praktikat më të mira europiane tregojnë se nga disa katergori të caktuara mbetjesh mund të përfitohet kapaciteti termik që ato mbartin duke bërë të mundur rikuperimin e energjisë prej tyre.

Kjo hallkë e piramidës së mbetjeve është në faza fillestare dhe në zonën veriore të Shqipërisë (pasi bashkitë në këtë zonë nuk kanë kontrata apo detyrime kontraktuale përveç dërgimit të mbetjeve në landfill) ka mundësi për të gjeneruar lëndë të parë nga disa kategori mbetjesh më fuqi më të lartë kalorifike dhe që kanë kaluar fillimisht procesin e riciklimit.

Duke qenë në listën e detyrave dhe të drejtave të çdo bashkie për të menaxhuar mbetjet e ngurta urbane si dhe për të krijuar mundësi për reduktimin e sasive të depozituara në landfill dhe nxjerrjen e përfitimeve të tjera, nga shembujt e shteteve më të zhvilluara, sugjerohet ndjekja e disa praktikave për përdorimin e mbetjeve si lëndë e parë për biznese apo industri të ndryshme.

Kjo do të ndihmonte në reduktimin e emetimeve nga industri të cilat përdorin aktualisht lëndë djegëse të cilat emetojnë sasi të konsiderushme CO2 si dhe do të reduktonte sasinë e mbetjeve të depozituara në landfill, duke sjellë kështu edhe përfitime financiare.

Duke vlerësuar kapacitetet aktuale të gjenerimit të mbetjeve, në rastin e bashkisë Lezhë, prodhimi i Lëndëve Djegëse Alternative do të sillte potencialisht një përfitim rreth 172,600 Euro në vit. Ky rezultat do të vinte si zbatim i një skenari sipas të dhënave të grumbulluara në nivel lokal, duke marrë në konsideratë gjendjen ekzistuese të menaxhimit të mbetjeve në bashki dhe mungesën e proceseve ricikluese formale nga organizmat lokal.

Në rastin e një skenari të dytë ku merren parasysh objektivat kombëtare të riciklimit kjo vlerë do të ishte rreth 150,000 Euro.

Riciklimi si një hallkë shumë e rëndësishme e piramidës duhet ndjekur me rigorozitet dhe duke ndërmarrë fushata të vazhdueshme ndërgjegjësuese, për përmirësimin e kulturës komunitatre dhe ndërhyrjen tek lëndët mësimore për të orientuar metodat që duhen ndjekur dhe përfitimet përkatëse që ka.

Nisur nga praktikat e mëparshme jo shumë të suksesshme për të mundësuar riciklimin e mbetjeve, duhet synuar ndërtimi i pikave/stacioneve për përpunimin e mbetjeve sipas rrymave dhe ndarjen përkatëse të tyre sipas interesave të tregut.

Për të bërë të mundur këtë, nevojitet një informim i plotë i komunitetit si dhe bashkëpunim i qartë për të ndikuar në politikat e menaxhimit të mbetjeve dhe për të bërë të mundur përmirësimin e kushteve mjedisore duke filluar nga familja dhe komuniteti ku jeton secili.

Ky artikull mundësohet nga projekti:

Nga mbetje në energji për industrinë e çimentos në ballkanin perëndimor!