Tirana dhe Veriu i Shqipërisë në “shtetrrethim” gjatë vizitës së Erdogan, ja të gjitha rrugët që do të bllokohen sot, oraret dhe masat e sigurisë

214

Për shkak të vizitës së presidentit të Turqisë Recep Tajip Erdogan në Tiranë, janë marr masa shumë të rrepta sigurie. Ai pritet që të vijë rreth orës 9 në aeroportin e Rinasit dhe më pas do të fillojë ceremonia e mirëseardhjes. Pas kësaj presidenti turk niset drejt Laçit, ku në orën 10.05 bëhet ceremonia e dorëzimit të shtëpive të ndërtuara pas tërmetit në Laç. Do të ketë edhe një fjalë të presidentit dhe po ashtu, presidentit do të zhvilloi vizita në shtëpinë e një familjeje në Laç.

Më pas në orën 13.00 Erdogan mbërrin në Tiranë dhe zhvillon një takim më kryeministrin Rama. Ndërkohë, shoqërimi i presidentit Erdogan dhe siguria e tij nga ora 07.00 deri në orën 18.30 kur largohet do të bëhet nga Garda e Republikës dhe RENEA. Ndërkohë, që nga Ankaraja kanë mbërritur efektivë të Gardës turke, gjithashtu edhe shërbimet sekrete nga ky vend, ndërsa forca turke një pjesë shkon në Laç dhe pjesa tjetër qëndron në Tiranë.

Nga ana tjetër, Policia ka bërë apel për qytetarët që do të udhëtojnë jashtë vendit të mbërrijnë në Rinas para orareve të kufizimit që nisin nga ora 08:30 e mëngjesit të ditës së sotme. Ndërsa, sipas të dhënave në faqen e aeroportit të Rinasit ditën e sotme duke nisur nga ora 07:00 deri në 14:30 janë planifikuar 13 fluturime në nisje dhe 13 në mbërritje. Aeroporti i Rinasit dhe akset që lidhin kryeqytetin me të do të jenë prej në mesditë nën masa të larta sigurie ndërsa kufizimet do të preknin autostradën me drejtim Rinas-Vorë-Tiranë, Rrugën e Durrësit dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit ditën e sotme paradite.

Rrugët ku nuk do të lejohet qarkullimi

Ndërkohë, policia ka bërë me dije se rrugët në të cilat do të ndalohet tërësisht qarkullimi janë Milot-Vorë-Milot nga 07 deri në 14 për kamionët dhe makinat. Kurse nga 08:30 deri në 12:30 ndalohet mbikalimi Laçit si dhe Rinas-Vorë-Rinas nga ora 08:30 deri në ora 10:00. Bllokime do të kenë edhe akset në Tiranë, autostrada e Rinasit, Rruga e Durrësit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” etj. “Për nevoja të sigurisë publike, bëjmë me dije përdoruesit e rrugës që udhëtojnë në aksin rrugor Milot-Vorë-Milot dhe në rrugët hyrëse dhe dalëse në këtë aks rrugor, se në datën 17.01.2022, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 14:00 të po kësaj date, ky aks do të jetë i bllokuar për lëvizjen e kamionëve. Njëkohësisht, ju bëjmë me dije se do të ketë kufizime edhe për kategoritë e tjera të automjeteve rrugore, të cilat duhet të përdorin rrugë dytësore për të qarkulluar në këtë orar. Gjithashtu do të ndalohet lëvizja e mjeteve në itinerarin mbikalimi i Laçit – Laç, në datën 17.01.2022, nga ora 08:30 deri në orën 12:30. Si dhe prej orës 08:30 të datës 17.01.2022 deri në orën 10:00 të po kësaj date, do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në segmentin rrugor Rinas-Vorë-Rinas”, njofton policia.