Mjeku Pëllumb Pipero ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit 14 ditë pas vaksinimit.

247

Ndonëse ishte ndër personat e parë që morën dozën e parë të vaksinës së Pfizer, rezultati i testit të tij doli pozitiv.

Top Channel mëson se Pipero është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka dalë pozitiv të martën,  14 ditë pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer. Që prej fillimit të pandemisë, mjeku infeksionist shërbeu në spitalin Infektiv, i njohur ndryshe si Covid 1, ndaj të gjithë pacientëve që kishin nevojë për trajtim ndaj koronavirusit.

Procesi i vaksinimit në vendin tonë nisi me datë 11 janar në orën 15:00 në stadiumin ‘Air Albania’, ku u vaksinua edhe kryeministri Edi Rama. Të vaksinuarve të parë pritet tu jepen dozat e dyta javën tjetër për të siguruar mbrojtjen ndaj koronavirusit.

Dihet se doza e parë e vaksinës nuk sjell mbrojtje 100% ndaj sëmundjes, ndaj sugjerohet që të bëhen dy doza në mënyrë që trupi të arrijë të përgjigjet ndaj Covid-19 dhe të krijojë antitrupa.