Basha e kërcënon me burg, Rama shpjegon si funksionon sistemi që i jep “imunitet” zyrtarëve të lartë

229

Në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp kryetari i Opozitës së Bashkuar, Lulzim Basha përsëriti më shumë se një herë që Edi Rama në cilësinë e kryeministrit do të shkojë për ndjekje penale sapo Opozita të vijë në pushtet nga zgjedhjet e 25 prillit.

Dhe arsyeja e dërgimit të Ramës prapa hekurave sipas Bashës, është keqmenaxhimi i Qeverisë i pandemisë së koronavirusit dhe abuzimeve korruptive në sistemin e shëndetësisë, që siç tha Basha, po çojnë në marrje të jetëve të njerëzve.

Çdo viktimë e kësaj pandemie nuk është më viktimë e sëmundjes, por e korrupsionit dhe dështimit qeveritar. Meqë më dëgjon për të kapur lapsuse tek unë, i bëj thirrje të zbatojë planin me 5 pika, ndryshe do të mbajë përgjegjësi penale për çdo jetë që humbim për shkak të braktisjes së kujdesit shëndetësor, paralajmëroi Basha.

Por nga një tjetër konferencë, ajo që u mbajt për korrupsionin, kryeministri Edi Rama shpjegoi dhe arsyen se pse zyrtarët e lartë nuk do shkojnë për ndjekje penale teksa foli për gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, ndërsa shfajësoi politikanët dhe qeveritarët, që sipas Ramës janë qelibarë.

Gjatë një konference të nivelit të lartë anti-korrupsion, kreu i qeverisë shqiptare e pranoi hapur teksa tha se askush nuk duhet të krijojë iluzione pasi nëse nuk goditet korrupsioni i nivelit të lartë brenda sistemit të drejtësisë, s’mund të mendohet se kjo do të vlejë dhe për zyrtarët e lartë.

Askush mos të ketë asnjë iluzion, s’do të ketë goditje në nivelet e larta, nëse s’do të ketë goditje në nivelet e larta të drejtësisë. S’do të shkojnë pas hekurave, mos të kemi asnjë iluzion se do të ndodh me zyrtarë të lartë, tha sot Rama, duke “e ftuar” kundërshtarin e tij politik, por dhe opinionin publik që të mos bëjnë iluzione me arrestimin e tijapo të zyrtarëve të tjerë të lartë pas largimit nga pushteti, pasi pandëshkueshmëria tashmë është shndërruar në një sistem. /H.Mesi