“Le të vdesë, se prandaj i kemi sjellë këtu, që të vdesin”

166

Antikosovarizmi dhe dasia krahinore, kanë qenë tipare dalluese të Partisë Komuniste Shqiptare, qysh kur këtë e krijuan jugosllavët në vitin 1941. Jo më kot, kosovarët dhe çamët zënë një numër të konsiderueshëm në lista e ekzekutimeve apo burgimeve të gjata. Shpjegimi ishte i qartë, sepse regjimi komunist ishte pikësëpari antikombëtar. Asnjë pushtues nuk ka arritur të godasë kaq shumë nacionalizmin shqiptar sa komunizmi. Në vijim, historia e shkurtër e ushtarakut Sulejman Vuçiterna, e përmendur së fundmi nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas librit “Lista e shkallëzimit të oficerëve në shërbim të përhershëm deri më 1 prill 1939”, botim i Komandës së Mbrojtjes Kombëtare”, faqe 14, Sulejman Vuçiterni kish lindur më 11.9.1898. Shkollën fillore e kreu në Vuçiternë. Në mbarim të luftës së parë iu bashkua lëvizjes kosovare për qëndresë ndaj pushtuesit serb. Në kushtet e përndjekjes vjen në Shqipëri. Titullohet oficer i shtetit shqiptar më 16.3.1921. Gradohet kapiten I më 28.11.1931. Në Shqipëri vijoi Normalen e Elbasanit, shkollën ushtarake në Tiranë, Akademinë Ushtarake në Torino dhe specializimin në Vjenë. Shërbeu deri në vitin 1939. Më pas, në kushtet e reja në tokat e liruara, në vitet 1941-1944 luftoi për mbrojtjen e kufirit verior shqiptar.

U arrestua më 14.11.944 në Tiranë. Gjykata Speciale e Tiranës e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, me vendimin nr.1, datë 13.4.1945, e deklaroi fajtor në bazë të neneve 14, 15, 18 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 “Për organizimin e gjykatave ushtarake” dhe e dënoi me 30 vjet burgim me punë të detyruar. Vuajti dënimin në burgje dhe kampe të diktaturës. Në të cilat edhe humbi jetën në Vloçisht më 15.10.1948. Rreth kësaj, ka dhënë dëshmi Skënder Stefanllari. Këtë njeri fisnik, dhëndër i doktor Borovës, e kam takuar dy herë, në Tiranë dhe në Korçë, në shtëpinë e tij, pak muaj para se të vdiste. Është me i sakti ndër të dënuarit politikë në lidhje me kujtimet që ato kanë lënë. Të dhëna e tij për kampet e Maliqit: Vloçishtin, Orman Pojanin dhe Nizhavecin, kanë qenë sa interesante, aq edhe të vlefshme. Pjesa e mëposhtme është botuar në librin e botuar në vitin 2000 për Sulejmanin, si dhe e kam dëgjuar nga i ndjeri Skënder.

Dëshmia e Skënder Stefanllarit

Sulejman Vuçiternin e kam njohur në kampin e vdekjes së Vloçishtit në vitin 1948. Kishte ardhur nga kampi i Durrësit (kanali i Jubës), bashkë me shumë të tjerë të burgosur politikë nga burgjet e tjera si zotërinjtë: Zihni Dervishi, Xhorxhi Koçi, Niko Kirka, Sezai Gaqro, Petri Zisi, Petrit Kadlliu, Muharrem Xhixha, At Josif Papamihali (prift nga Elbasani që u varros i gjallë) dhe plot atdhetarë e nacionalistë të vërtetë shqiptarë si Hiqmet Cerloi, Ali Tirana, Besnik Duro, Tefik Gabrani, etj. Unë vetë jam burgosur në moshë shumë të re, pa mbushur 21 vjeç, sepse isha kundër vendosjes në pushtet të regjimit komunist në Shqipëri dhe vija nga radhët e rinisë së organizatës nacionaliste Balli Kombëtar.

E mbaj mend mirë zotin Sulejman që ishte shëndetlig, me një veshkë të hequr e të operuar. Puna e rëndë prej skllavi në këtë kamp-varr ishte pothuaj e papërballueshme për moshën e tij, prej 50 vitesh…Xhelatët e kishin vënë të punonte në argjinaturë dhe aksidentalisht ai pret gishtat e këmbës me bel duke krijuar një hemorragji të madhe. Ndonëse ishim larg kampit, në kushte tepër të vështira të një kënete thuajse të papërshkrueshme, nxituam duke e çuar në infermierinë e kampit. Atje, mjeku Isuf Hysenbegasi, bëri sa mundi për t’i ardhur në ndihmë së bashku me kirurgun Spiro Treska (ardhur nga Burgu i Durrësit), i cili e njihte personalisht në jetën e lirë zotin Sulejman. Mirëpo në kohën kur u gjet makina për ta çuar në spitalin e Korçës, që të merrte ndihmën e kualifikuar për t’i shpëtuar jetën, del komandanti i kampit, shpirtziu kriminel Tasi Marko, i vëllai i Rita Markos. Pasi pyet e informohet se ishte Sulejman Vuçiterna, urdhëroi kthimin e makinës, duke thënë: ‘Le të vdesë, se prandaj i kemi sjellë këtu, që të vdesin’. Kështu u la në gjendje hemorragjie të vazhdueshme dhe pas disa orëve, ashtu gjysmë i gjallë, pa i dalë shpirti mirë, e hodhën në gropën-varr, në argjinaturën e kanalit.

Nga Kastriot Dervishi

Në gjyqin special në Tiranë