Gjesti fisnik i gjirokastritëve ndaj mjekut, Tritan Kalo.

411

Gjirokastritët kanë shpallur qytetar nderi mjekun e njohur infeksionit, Tritan Kalo. Ky gjest ka ardhur pas përkushtimit profesionalizimin dhe humanizmin që mjeku ka treguar gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.

Ka qenë vetë mjeku i cili ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale për këtë ngjarje, teksa është shprehur i prekur. Në fjalën e tij mjeku është zotuar se do të bëjë çdo gjë që ka në dorë, deri në fund të jetës, që të mos i zhgënjej aspak bashkëqytetarët e Gjirokastrës sime dhe jo vetëm, për këtë vlerësim dhe besim”.

Mesazhi i Kalos.Kohë Kovodiane, qytetar nderi i Gjirokastrës. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se vjen një ditë që puna, përkushtimi, profesionalizmi dhe humanizmi i një mantelbardhi si unë, do të tërhiqte vëmendjen dhe do të vlerësohej kaq lartë nga anëtarët e një Këshilli Bashkiak, të cilët përpos detyrimeve e punëve të tyre të shumta të kohës do të konsumonin minuta nga koha e tyre e çmuar, për të më aprovuar më 31 gusht 2020 si bir të nderuar të Qytetit të Gurtë. Simbol i paçmuar i atdhetarisë, i arsimit, i kulturës, i qytetarisë dhe i tolerancës në mbarë trojet Arbërore.

Qyteti ku në gusht të vitit 1931, lindi im atë i ndjerë Mirdash Kalo, pinjoll i kalatëve të Palortosë dhe i Çoçolatëve të Dunavatit. Ishin fillimisht mjekët e këtij qyteti që i adresuan kërkesën Kryetarit të Bashkisë, Dr. Flamur Golemit, dhe ky i fundit që i propozon me shkrim në 24.08.2020 dhe i adresohet direkt anëtarëve të Këshillit Bashkiak më 31 gusht 2020, për të më nderuar e përjetësuar me këtë Titull Nderi

Pa shumë fjalë por thellësisht i prekur, njerëzia gjithmonë e ka njohur e vlerësuar Gjirokastrën si qyteti i gdhendur plot hijeshi e madhështi në shpatet e Malit të Thatë, si qyteti që plot bujari rrit e ushqen djem e bila të përkorë, atdhe e kulturë-dashës, sepse për gjithkënd në viset tona Arbërore “Gjirokastra” nuk është gjë tjetër, veçse: “Gjiri i Gurtë që ushqen e rrit, vlerëson e lartëson ata/ato që i konsideron vlera, Astra/Yje” për vete, për vendin dhe për shqiptarinë.

Nuk e di nëse jam vërtet një i tillë, por ju siguroj se edhe në ditët e mbetura të jetës sime, unë Dr. Tritan Kalo, do të vijoj të bëj të pamundurën, që të mos i zhgënjej aspak bashkëqytetarët e Gjirokastrës sime dhe jo vetëm, për këtë vlerësim dhe besim, përkundrazi. Do mbetem përherë një bir i lidhur gjenetikisht dhe shpirtërisht i Gjirokastrës sonë të njohur dhe të nderuar ndër shekuj. Përkulem me shumë-shumë respekt e konsideratë përpara jush për këtë vlerësim të lartë.