Policia e Shtetit ka arrestuar sot biznesmenin Agim Kola, administratori i disa bizneseve dhe kompanisë “A.N.K”, e cila do të ndërtojë rrugën Milot-Balldren. Koncesioni për ndërtimin e kësaj rruge u miratua ditën e sotme nga Parlamenti.
Biznesmeni është arrestuar si pjesë e hetimit të një grupi sipërmarrësish që dyshohet se abuzonin me skemën e rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Pak ditë më parë, si pjesë e të njëjtit operacion u arrestuan 16 biznesmenë të tjerë, të cilët përdorin fatura fiktive për të përfituar nga rimbursimi i TVSH.
Sipas prokurorisë, dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga kjo skemë mashtruese është 4 milionë euro.
Agim Kola është administrator i kompanive “Rr.s.M.& Hidro Company” dhe kompanisë “A.N.K”, që ka fituar koncesionin e rrugës Milot-Balldren. Ndaj këtij koncensioni me vlerë 269 milionë euro nuk kanë munguar dhe akuzat nga ana e opozitës.