Bardh Spahia del para togave të zeza, blindohet Gjykata e Shkodrës.

448

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia pritet të dalë ditën e sotme para Gjykatës, ku do t’i caktohet masa e sigurisë.

Spahia së bashku me pesë persona të tjerë janë arrestuar nga policia e Shkodrës pas sulmeve që i bën një prej KZAZ kryesore në vend, asaj me numër tre e vendosur në shkollën Shejnaze Juka.

Gjykata e Shkodrës është ‘blinduar’ nga efektivë të policië për të shmangur ndonjë incident të mundshëm, duke qenë se në dyert e jashtme të Gjykatës kanë mbërritur simpatizantë të shumtë të PD-së.

Ish-deputeti, u ndalua teksa ishte në emision live, një ditë pas sulmeve në KZAZ. Spahia akuzohet për veprat penale Kundërshtim i punonjësve të rendit publik, Goditje për shkak të detyrës, Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Rendit, Shkatërrimi i pronës me zjarr, Prishja e qetësisë publike dhe Dëmtim me dashje i materialeve zgjedhore.

Arrestimi i tij ka sjellë reagime të shumta në kampin opozitar, kur mbrëmjen e së premtes, në protestën e nëntë, kreu i PDsë, Lulzim Basha e konsideroi kusht për zgjidhjen e krizës politike lirimin e tij dhe të ndaluarve të tjerë të akuzuar për sulmet ndaj KZAZve.