Pezullohet rektorin Mynyr Koni, kërkohet edhe shkarkimi i tij nga Presidenti Meta

450

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka pezulluar rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ditën e sotme dhe i ka kërkuar Presidentit të Republikës shkarkimin e tij.

Ministrja Shahini është shprehur se Rektori i Universitetit të Tiranës nuk është mjaftuar me kompetencat akademike, por ka dashur të mbajë edhe kompetenca administrative të cilat me ligj nuk i takojnë. Në një deklaratë për mediat ajo, ajo denoncon edhe disa shkelje të tjera të Konit.

“Në disa raste, nuk ka lejuar organet përkatëse të ushtrojnë ato kompetenca, gjë që ka shkaktuar një betejë të hapur mes organeve udhëheqëse në Universitetin e Tiranës në dëm të procesit mësimor, cilësisë së arsimit dhe eksperiencës studentore. Në shkurt të vitit 2018-të, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dërgoi një grup inspektimi në Universitetin e Tiranës për të verifikuar zbatimin e Ligjit të Arsimit të Lartë në atë institucion. Grupi i inspektimit gjeti shkelje në organet vendimarrëse, nga rektori, senati dhe pjesa administrative dhe la rekomandime të qarta për adresimin e tyre. Në vjeshtë të 2018-tës, grupi i punës kthehet sërish në Universitetin e Tiranës për të parë zbatimin e rekomandimeve të lëna dhe gjen që nga të gjitha organet drejtuese, vetëm rektori nuk kishte zbatuar asnjë nga rekomandimet e Ministrisë. I është kërkuar që të shfuqizojë vendimet që ka marrë në tejkalim të kompetencave; të mos pengojë procesin e punësimit të stafit akademik sipas nevojave të fakulteteve që deri tani ka paralizuar punën në fakultete; të lejojë përdorimin e protokollit dhe arkivit nga stafi administrativ, gjë e cila deri tani ka penguar punën e stafit administrativ; dhe i është kërkuar që urgjentisht të funksionalizojë sistemin e teknologjisë informative në universitet. Kjo e fundit rezulton një shkelje e rëndë, po aq edhe banale, pasi jemi në vitin 2019-të dhe universiteti më i madh në Shqipëri ende evidenton notat dhe listë-prezencën me dorë, gjë e cila nuk u jep garanci studentëve se notat e tyre mbahen në mënyrë të rregullt dhe transparente. Për më shumë, mos-funksionimi i sistemit IT ka penguar edhe nismat tona për shpërndarjen e bursave dhe qasjen e studentëve në bibliotekën digjitale.
Më ka bërë përshtypje mungesa e iniciativës së rektorit për të zgjidhur problemet në universitet. Rektori është ankuar shpesh për dekanët, por kurrë nuk ka ardhur me një kërkesë të mirë-argumentuar që t’ja aprovojmë heqjen e tyre”.

Më tej, Shahini bën të ditur se ka pezulluar rektorin dhe kërkon shkarkimin e tij nga Presidenti. “Shpresova se do të shfrytëzonte momentumin e krijuar nga protesta e studentëve për të ndërmarrë masa dhe përmirësuar klimën e punës në universitet, por kjo nuk ndodhi. Unë nuk kam në dorë asnjë mjet ligjor për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës, përveç se të pezulloj rektorin dhe të kërkoj nga Presidenti i Republikës shkarkimin e tij, që t’i hapim rrugë reformës së domosdoshme në Universitetin e Tiranës”, thotë Shahini.