Turqia thirrje Kosovës: Duam gylenistët!

395

Një ditë pasi Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar i kërkoi Maqedonisë së Veriut të ndërmarrë veprime kundër pjesëtarëve të organizatës FETO, të njëjtin mesazh ai ka përcjellë edhe në vizitën e tij në Kosovë.

Ministri turk i bëri thirrje Kosovës që të hiqen pengesat e krijuara nga FETO në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve, duke iu referuar organizatës së klerikut Fet’hullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për grushtin e shtetit të korrikut të vitit 2016.

“Le ta heqim pengesën FETO midis nesh menjëherë”, citohet të ketë thënë ministri turk sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu, duke theksuar se marrëdhëniet e mira midis Kosovës dhe Turqisë janë të rëndësishme.

Ministri turk i cili është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i bëri këto komente pas takimit me homologun kosovar Rrustem Berisha.

Më 29 mars 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të institucioneve në pronësi të klerikut Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për organizimin e grushtit te shteti në Turqi.

Të gjashtë iu dorëzuan autoriteteve turke te inteligjences në një operacion që ngriti shumë pikëpyetje, dhe nxiti një përplasje mes Kosovës dhe Turqisë.

Katër muaj, komisioni parlamentar për hetimin e operacionit gjeti 31 shkelje ligjore të bërë nga Shërbimi inteligjent dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Ditë më parë, ambasada amerikane në Prishtinë, u bëri thirrje udhëheqësve në institucionet e sigurisë se duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues.

Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit.

Fondacioni i tij FETO drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.