NË PRITJE TË “AIR ALBANIA”

554

Nga Petrit KUÇANA

“Mbi 200 familje shqiptare kanë rezervuar këtë verë me kompaninë tonë”, më pati thënë Aishja, një turke e bukur që ka një agjenci turistike turke këtu në Londër.

Ajo kishte filluar të mësonte edhe ndonjë fjalë shqip dhe “justifikonte” suksesin e saj, me krahasimin e çmimeve të paketave turistike për në Turqi”, që në shumë raste janë më të lira sesa një biletë kthyese për në Shqipëri.

Pra vetëm nga kompania e saj turistike kanë shkuar rreth 1000 shqiptarë të Britanisë, (nëse llogariten 4 veta për familje), po sa kompani të tilla ka në Londër? Vërtet shumë.

Është gati e pamundur që të dihet numri i saktë i atyre që kanë “braktisur” mëmëdheun, por një gjë pranohet nga të gjithë. Çmimet e biletave për në mëmëdhe mbeten në kufijtë e të pranueshmes.

As mbarimi i tetorit dhe as nëntori  nuk po sjell asnjë lajm, nga ata të shumëpriturit, kryesisht për mërgimtarët shqiptarë. “Air Albania”  duhej të ishte lajmi i madh, pasi u tha me zë dhe me figurë që do të fillonte udhëtimet, “linja e parë shqiptare”.

Ka humbur? Çfarë ndodhi?  Mungon edhe lajmi se kjo linjë nuk do të vihet në përdorim, duke  lënë në pezëm çdo dritë shprese, se mbase, ndoshta do të mund të përkufizohej pak më qartë se “së shpejti”, apo qoftë të rrezatonte e tillë si fjalë që ndjell pak optimizëm.

Duket gati e pabesueshme, që gjithë ai publiciteti para do muajsh të shkimet kaq heshturazi, saqë kalon edhe caqet e normales qoftë edhe për një shoqatë apo organizatë jo fort serioze, sesa nga vetë shteti shqiptar.

Tashmë kur mërgimtarët bëhet “lundruesit” më të mëdhenj në kërkim të biletave për në mëmëdhe, “Air Albania”, e shkimur, përtej çdo perceptimi, mungon.

Lajmi pak më shumë se treditor i “linjës së vetme shqiptare” i tamtamosur, sidomos nga kryevendimarrësi, përfundoi qetas, gati si pabesi për të gjithë ata që shpresuan dhe sidomos ata që besuan se kësaj here, të paktën kësaj here,  shteti shqiptar e ka seriozisht.

Së paku u zhgënjyen të gjithë ata që besuan se “nuk mban më ujë pilafi” me Rinasin dhe se AirAlbania ishte zgjidhja që do i jepte fund abuzimit të tmerrshëm, në kurrizin halleshumtë të mërgimtarëve, që po paguajnë sa frëngu pulën një biletë për në vendlindje.

“Air Albania” mungon, si një pabesi, si lojë fëmijësh dhe jo si një shtet serioz që ka përgjegjësi.

Mungesa e çdo lloj njoftimi për “Air Albania”, rikthen “mundimin” të mërgimtarët që detyrohen  frekuentojnë aeroportet e vendeve fqinjë, si mënyrë e vetme për të kaluar pushimet e krishtlindjeve dhe vitit të ri në mëmëdhe.

Mbase nuk do të jetë aspak kokëdhimbje as për kryeministrin e as për makinën e rëndë propagandistike në Tiranë, (tri ditëzia e lajmit) por një gjë mbetet e thjeshtë.  Rinasi mbetet një turp, që duhet të marrë fund, me ose pa “Air Albania”. Deri atëherë kushedi sesa do i jetë bërë lista Aishes dhe aisheve të tjera nëpër Londër apo nëpër shtet e tjera ku jetojnë shqiptarë.