Koha, për të rithemeluar pluralizmin në Shqipëri!

534

Mbrëmjen e 29 qershorit të vitit 2009, menjëherë pasi kishte mbaruar numërimi i votave në një qendër kryesore të njësisë Nr.7 në Tiranë, u bëra dëshmitar i një sherri mes komisionierëve të Partisë Demokratike dhe atyre të Partisë Socialiste.

Ngjarjet zhvilloheshin në ambientet e Inxhinierisë së Ndërtimit te 21 Dhjetori dhe zhvendoseshin herë në zyrën ku duhej të firmosej procesverbali përfundimtar, e herë në lokalin-mejhane ngjitur ku konsumohej alkool me gjyma.

Një ditë më parë qytetarët kishin votuar dhe çdo gjë kishte kaluar qetë, po lufta e vërtetë kishte nisur për certifikimin e rezultatit final.

Përfaqësuesit e PS nuk pranonin që të firmosnin procesverbalin e numërimit, kurse ata të PD-së u “luteshin” që të uleshin se zgjidhje gjithmonë kishte.

Përfaqësuesit e palës së parë ishin ish shefa e drejtorë të rënë nga vakti në vitin 2005, që mezi prisnin të riktheheshin në zyrat që ju kishin marrë.

Kurse të dytët kërkonin të rikonfirmonin partinë e tyre në pushte, edhe për një mandat të dytë; pra luftonin për veten dhe njerëzit e tyre. Të dyja grupimet atë natë ishin të rrethua nga një lukuni e madhe mbështetësish militantë.

Ca me sytë të bërë jeshil nga uria, etja e padurimi për një punë të mirë në shtet, e ca me sy të kuq nga egërsia dhe frika e rrezikut për humbjen e habitatit që kontrollonin prej 4 vitesh, ku kishin benefite të sigurta.

Pas britmave dhe ndonjëherë edhe çuarjes së situatës deri në përplasje fizike, stuhitë papritur ranë, mua si gazetar-dëshmitarë më përzunë; vetë u mbyllën me gota përpara në mejhanen aty, kurse të nesërmen mësova se të dyja palët ishin marrë vesh dhe kishin firmosur.

Socialistët e “7-ës” u mburrën në parti se kishin shtuar goxha vota në krahasim me zgjedhjet e vitit 2005, pavarësisht se falangat e qeverisë i vodhën, kurse ata të PD-së që atë natë thirrën; fitore, fitore!

Komisionierët nën avujt e alkoolit kishin firmosur një letër ku pasqyrohej ndarja e plaçkës-votë, pastaj njësoj bën në gjithë KZZ-të e Shqipërisë dhe në fund edhe përfaqësuesit e dy partive në KQZ.

***

Një vit më herët, përpara kësaj mini-marrëveshje të ndodhur natën e 29 Qershorit 2009, shefat e mëdhenj të atyre drejtorëve dhe ish drejtorëve, të cilët shkëmbyen pozicionet sërish në vitin 2013, Edi Rama dhe Sali Berisha, ishin marrë vesh me lehtësinë më të madhe, që me një të rënë të lapsit të ndryshonin ligjin zgjedhor duke e kthyer sistemin në rajonal dhe proporcional, i cili në thelb ka aplikimin e listave të mbyllura të kandidatëve për deputet, të cilat firmosen e vulosen nga kryetarët.

Edhe ata firmosën një letër dhe pas kësaj, gjërat vazhduan keq e më keq. Më e bukura është që të dyja palët ankohen e mallkojnë njëra tjetrën veçanërisht kur janë në opozitë, ndërkohë që skema përsëritet tani e 28 vite; populli voton ata numërojnë, sistemojnë, firmosin e vulosin plaçkën që herë populli e dorëzon vetë në kuti, herë ja blejnë e herë ja grabisin me dhunë apo me falsifikim.

Skena si ato që përshkruam më lart janë normale, gjithmonë kur në Shqipëri zhvillohen zgjedhje. U përsëritën sërish në vitin 2017 dhe siç duken bathët e njëjta panoramë, si Deja Vu, do të na serviret edhe për lokalet e vitit të ardhshëm. Letra e komisionit zgjedhor të njësisë nr.7 në Tiranë, ajo ku hodhën firmat Rama&Berisha në vitin 2008, si dhe qindra mijëra të tjera të prodhuara nga KQZ prej të paktën 28 viteve, janë fytyra e vërtetë e pluralizmit në Shqipëri. Ai ekziston vetëm në letër, të tjerat janë mirazh!

***

E vërteta e dhimbshme është se ëndrra e studentëve të vitit 1990 dhe qytetarëve shqiptarë, “Shqipëria si gjithë Europa”, u përdor në funksion të një mashtrimi të madh. Ata që besuan se më në fund do jetonin në një vend që do ecte në rrugën e lirive politike, ekonomike dhe njerëzore, aty ku drejtësia nuk është “qorre” (Njësoj si Pluti, perëndia e parasë) për të varfrin dhe të pambrojturin nga partitë, ku shanset janë të barabarta dhe secili zë vendin në shoqëri sipas meritës dhe aftësive, sot kanë “vdekur”.

Shumica e tyre shumë shpejt e gjeti veten në rolin e budallait, të tjerë ja mbathën jashtë vendit në përpjekje për të rikuperuar kohën e humbur kot, duke besuar e ëndërruar në një vend që “nuk bëhet”; shumëkush degradoi ekonomikisht dhe shpirtërisht dhe sot e gjen veten në shërbim të partive dhe në rastin më të mirë të një grushti pasanikësh, që pollën ato.

Vendi ynë ka pluralizëm vetëm “në letër”, sepse tashmë dihet dhe është provuar se sistemi është kthyer në një qark të mbyllur, që komandohet nga kryetarët e dy-tre partive, të cilët pasi marrin në dorë kontrollin e plotë të forcave të tyre politike, vënë ligjin dhe Kushtetutën në shërbim të vetvetes si synim final kanë kontrollin e zgjedhjeve; që nga përpilimi i listave, mënyra e votimit, e numërimin dhe deri edhe vetë KQZ-në. Ky sistem i mbyllur që vetëm me demokracinë dhe pluralizmin nuk ka lidhje bëri, që tani Edi Rama të marrë në dorë edhe Drejtësinë “ e re”.

Ky “pluralizëm në letër”, ka rezultuar me deformim të votës së shqiptarëve, riciklimin e pafund të një grushti politikanësh që nuk i shkul dot asgjë, duke bërë kështu, që vendi të kapë pikën kulmore të sundimit të korrupsionit dhe shkatërrimit të sistemit të drejtësisë. Ky sistem ka bërë, që të futet në parlament krimi i organizuar, madje edhe ai ordiner. Kjo skemë nis që me shkatërrimin e demokracisë së brendshme nëpër partitë e ashtuquajtura të mëdha dhe përfundon, me një rotacion pushteti sistematik mes tyre, sipas parimit: kontrolli i votës sjell pushtet, pushtet do të thotë para të grabitura nga taksapaguesit, me të cilat mbahet pafundësisht në këmbë kjo ngrehinë kriminale që pasuron një grusht njerëzish dhe varfëron mbi 90% të shqiptarëve.

Ky kurth ku ka ngecur Shqipëria bën që vendi të jetë i paaftë të prodhojë forca të reja politike progresive, apo qoftë edhe fraksione brenda këtyre partive që kanë butonin në dorë.

Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi me partinë “Libra” të Ben Blushit dhe këdo tjetër që më herët ka guxuar apo tentuar të prishë skemën PD-PS për kontrollin e votës së qytetarëve, ku është futur “aksidentalisht” edhe LSI që pas zgjedhjeve të vitit 2009.

***

U bë 1 vit që nga dita e krijimit që “ZGJIDHJA” e Koço Kokëdhimës lëshon klithma të përditshme, për kryerjen urgjent të Reformës Zgjedhore. E dinë se çfarë fati i pret nëse edhe zgjedhjet e ardhshme do të kontrollohen sërish nga 3 partitë e mëdha, nëse komisionerët do të emërohen sërish prej tyre, nuk do të ketë votim dhe numërim elektronik, pra i njëjti sistem zgjedhor, e njëjta skemë…

Nuk jam i sigurtë se Lulzim Basha, më në fund e ka kthyer kokën nga thirrjet e Kokëdhimës dhe të disa analistëve që ditë e fundit trumbetojnë këtë çështje kardinale, por e sigurt është se duket që më në fund, ai e ka kuptuar se Edi Rama me dëshirë apo i detyruar, ka vendosur që ta prishë paktin e heshtur 28 vjeçar, të riciklimit të këtyre elitave të paktën një herë në 8 vite.

Shprehja e Edi Ramës, se “po të duam rrimë në pushtet 1000 vjet”, si duket është marrë seriozisht nga Basha, prandaj në daljen e fundit televizive deklaroi, se tashmë Reforma Zgjedhore do të jetë “kali i betejës” për forcën që drejton.

Fakti është se edhe në legjislaturën e re, si në atë të kaluarën është krijuar sërish një komision i posaçëm për Reformën Zgjedhore, por ajo zyrë ashtu si qëndroi e kyçur për 4-5 vitet e shkuara, njësoj e dyllosur po rri edhe tani duke djegur me shpejtësi afatet. Kjo është ajo që do më së shumti, Edi Rama, të cilin segmente të fuqishëm të krimit të organizuar ja kanë bërë të qartë; Ti nga kali ynë, nuk do zbresësh kurrë!

Kjo situatë ka vetëm dy zgjidhje, ose Rama me gjithë kalin ku ka hipur çohet në thertore nga revoltat popullore, ose ai rrëzohet me votë të lirë. Për të parën as që bëhet fjalë dhe këtë opozita na e ka bërë të qartë, me fjalë e vepra. Prandaj ka ardhur koha që kushdo që ka një fije integritet dhe dhembshurie për Shqipërinë, ti bashkohet kauzës për çlirimit përfundimtar të votës së lirë. Në fundit të fundit nuk është se do shpikim rrotën; thjesht të kthehemi 28 vite më parë dhe të rithemelojmë pluralizmin e vërtetë, siç e ka çdo vend demokratik perëndimor!

Përndryshe; një vrimë e vezë do ta thith shumë shpejt këtë vend, me gjithë këtë klasë politike brenda!