Pas kritikave të shumta nga tifozët shkodranë për kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi, ka reaguar dhe vetë kjo e fundit.
Ademi ka postuar një shkrim në rrjetet sociale, ku ka thënë se për klubin do bëhet një analizë e thellë.
“MBI ANGAZHIMIN TIM PERSONAL DHE INSTITUCIONAL PËR SITUATËN NË KLUBIN E FUTBOLLIT VLLAZNIA
E vetëdijshme maksimalisht për situatën delikate që po kalojnë tifozët, futbolldashësit shkodranë dhe jo vetëm, për mosarritjen e objektivit për të qëndruar në Kategorinë Superiore, si Kryetare e Bashkisë së Shkodrës, dua të siguroj të gjithë qytetarët që, prej dy javësh po bëhet një analizë e thellë mbi përgjegjësitë konkrete të gjithsecilit.
Paralelisht, një grup pune është ngritur për mbylljen e dokumentacionit të vlerësimit të privatizimit.
Ky është një moment jo i mirë për të gjithë ne, ku ndjesa publike e klubit nuk mjafton, por duhet një analizë e thellë dhe një alternativë për një zgjidhje perfundimtare.
Angazhimi im si Kryetare e Bashkisë së Shkodrës nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë në asnjë moment, për ta rikthyer skuadrën tonë në elitën e futbollit shqiptar, aty ku e ka vendin.
Respekt për çdo tifoz, për të gjithë ata që janë me zemër të thyer. I mirëkuptoj të gjithë, përfshirë edhe më radikalët karshi Voltanës, e njëherësh i garantoj që angazhimi mbetet i jashtëzakonshëm për të gjetur forcën dhe për të nisur një rrugë të re.”