Kandidatët shqiptarë në Itali. 4 në listat për deputet dhe një për zgjedhjet lokale në Lombardi

468

Në zgjedhjet që mbahen sot, qytetarët italianë do të përballen në fletën e votimit edhe me emrat e 5 kandidatëve shqiptarë.
Ata janë shqiptarë që jetojnë prej shumë vitesh përtej Adriatikut, ku tashmë kanë marrë edhe nënshtetësinë italiane dhe kanë vendosur që të përfshihen aktivisht në jetën politike në Itali.
Elona Gaxha jeton që e vogël në Peruxha, ku ushtron profesionin e infermieres. Ajo kandidon me +EUROPA të Emma Boninos për Dhomën e Deputetëve, siç tregon në një video për portalin albanianeës.it.
Anita Likmeta ka lindur në Durrës dhe është transferuar në Itali në moshën 11-vjeçare, ku ka përfunduar studimet e larta. Ajo është aktive në media të ndryshme të vendit fqinj. Në këto zgjedhje kandidon për një lëvizje të re politike, “10 Volte Meglio”.
Emiliano Biraku kandidon me Partinë Demokratike të Renzit, në Romë, ku është aktivizuar politikisht prej vitesh. Me profesion ekonomist, ai jeton në Itali që prej vitit 2003.
Po për PD-në e Renzit kandidon në Trentino Alto Adixhe një tjetër shqiptare, Aneta Ngucaj.
Ndërsa për zgjedhjet rajonale të Lombardisë kandidon 25-vjeçarja Bruna Kola Meçe, e diplomuar për shkenca politike. Ajo përfaqëson një parti të re, Liberi Uguali, të sapokrijuar nga një fraksion i demokratëve italianë. Thotë se qëllimi i saj është që brezi i dytë i të huajve në Itali të ndjehet si qytetarë të dorës së parë, njësoj si të gjithë italianët.