Skandali në basketboll / Kërcet grushti në derbin e femrave në kryeqytet

291

Flamurtari dhe Partizani janë finalistët e Kategorisë së Parë në basketbollin e femrave për edicionin 2022-2023.

Por më shumë se basketbolli i luajtur, nga gjysmëfinalet e play off”-it veçohet skandali që ka ndodhur dje në derbin e kryeqytetit.

Një ngjarje e pazakontë në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, menjëherë pas sirenës që sinjalizoi fundin e ndeshjes. Pas disa “fërkimeve” gjatë lojës, Antoinette Bannister e Partizanit dhe Ebi Dishnica e Tiranës u bënë protagoniste të një sherri, ku nuk munguan as grushtet, por as shqelmat e një djaloshi të futur në parket, i cili goditi basketbollisten amerikane në fushën e lojës.

Skena të turpshme dhune, që nuk kanë asnjë lidhje me sportin, të cilat ia prishën bukurinë ndeshjes, për ta kthyer parketin në arenë përleshjeje.

SHERRI – Në përfundim të sfidës, Bannister afrohet te Dishnica, kjo e fundit i jep dorën, por lojtaret duket se kanë një përplasje verbale.

Më pas amerikania Bannister e godet me grusht Dishnicën, e cila gjithashtu kundërpërgjigjet me grushte. Ndërkohë në këtë moment një djalosh, ndoshta familjar i lojtares së Tiranës, e godet amerikanen me shqelm nga pas, ndërsa Dishnica më pas e shtyn lojtaren e Partizanit.

Bannister tenton të largohet drejt pankinës së kuqe, por aty vjen me vrap Dishnica që e shtyn atë për ta rrëzuar me kokë në parket. Aty vijuan sërish edhe kacafytjet me njëratjetrën edhe pse trajnerja Eliverta Bujari u mundua t’i shkëpuste nga njëra-tjetra, po ashtu erdhën dhe shumë persona të tjerë për t’i ndarë mes kaosit.

Më tej çdo gjë sheshohet edhe me ndërhyrjen e përfaqësuesve të të dyja klubeve. Duhet theksuar se në këtë derbi, ashtu sikurse ndodh rëndom në lojërat me dorë, mungonte siguria e nevojshme, pasi me vetëm dy persona është e pamundur që të ruhet rendi edhe në një ndeshje te femrat e jo më te meshkujt.