Shokët e shokut Qemal

Mbas disa postimeve në fb për praninë në “foltorën” e Fevziut në opinion të shokut Qemal Lame, u ndala nja 40 minuta me pa ne youtube intervistën e tij, pra, kryehetuesit të pandëshkuem të diktaturës si shumë të tjerë të singjashëm me ta në zinxhirin e dhunës të atij rregjim. Dalja e tij në tv ma të ndjekun, bash në këtë moment demek “konfrontimi” politikë, asht krykëput mesazh jo fort i koduem për ofensivën e re revanshiste të parisë tonë politike qe ka qeverisë tash 30vjet me metodat e veta despotike.

Qemal Lame me Cv dhe “paburrninë” e deklarueme edhe në tv, asht pika e konvergjencës transversale e klasës tone politike, e shprehjes të famshme “bashkëvuejtës dhe bashkëfajtor” dhe krejt merimangës të ngatërrueshme të ish sigurimit të shtetit. Gjithashtu, dalja e Lames asht ftesë për rreshtim tok me partinë e madhe te pluralizmit të rrejshëm të Ramizit me Nexhmijen edhe mbas 30vitesh narko-demokraci. Gjithmonë e kam shkrue, se nji sistem totalitar e diktatorial në përgjithësi dhe ai ai qe pati Shqipnia në veçanti , efektet ma perverse, i shfaq realisht kur nuk asht ma formalisht në fuqi; arsyeja duhet gjetë te erucioni i tmerrshëm i çakejve që përfton momenti i ndërrimit të sistemit.

Në fakt, në Shqipni disidenca autentike, mori goditjen fatale qysh në fillimet e para te diktaturës me martirizimin e Klerit katolikë dhe intelektualëve që orbitonin afër tyne, tue zbeh bartësit e nji vetëdije politike të shëndetshme antikoministe. Me kalimin e kohës dhe konsolidimin e tij, rregjimi komunist shqiptar për me justifikue aparatin e vet të terrorit, programonte në mënyrë ciklike armiq mnrenda rradhëve te veta apo ndonji viktimë rastësore te klasat e “përmbysuna”, të cilët mandej i instrumentalizonte dhe “përpunonte” tue i vra realisht dy herë aty ku haste dobësi..Megjithatë, në kushtet e atij terrori të pashoqë, mos të harrojmë se u zhvillue nji disidencë dinamike, e gërshëtueme me teknika të forta mbijetese dhe e mbrujtun me fisnikëri vlerash e qëndrimesh, për të cilin mbas viteve “90 pak vetë e trajtuen dhe rreflektuen mbi ta, tue përqëndrue në kërkimin e antologjive të qëndresave imagjinare epike…


Përkundrazi, me ramjen formale të sistemit monist, me pak përjashtime të rralla “dekorative”, u luftue me demolim metodikë bash kjo rrezistencë dinamike mbijetojse gjatë rregjimit diktatorial, tue josh e përkrah disa “antikomunistë” të përpunuem e të shantazhuem me dosje prej ish aparatit të dhunës e politike të rregjimit monist. Merimanga funksionale e dhunuesve me të dhunuemit, u tregue nji mekanizëm i kolauduem në defaktorizimin e nji personali të ri politik e shoqnor. U lejuen prej shokve të Lames të formoheshin shoqata “të persekutuemish” simbas modelit të shoqatave të veteranëve apo të Enverit, qëllimi i vetëm i të cilave ishte me kërkue letra me “birë” prej ish persekutorëve…

Në cdo lagje a katund të humbun, rreshtimi pa rreflektim në emën të antikomunizmit, edhe me atë që të kishte fut në burg, u ba dogma e re e ardhjes të demokracisë. Në këtë klimë kaotike, të induktueme me art e kopili, armiku nuk ishte ma shoku Qemal e company apo ato që kishin ba krime mizore, por njerëzit me kujtesë, me arsye dhe fisnikëri që kishin mbijetue me dinjitet gjatë sistemit dhe kërkonin me i rrezistue tiranisë të re të çakejve të “kurventuem” të ish rregjimit. Kjo shumicë e heshtun shqiptarësh u defaktorizue tash 30 vjet e kusur prej nji pakicë agresive që ende vazhdon me leçitë abuzivisht ide dhe ideale që nuk janë pjesë e ADN të tyne kulturore e vlerore. E dij mirë që politika asht veprim e pjesëmarrje por kurrsesi nuk mund të vazhdojë të bahet me ata që tash 30 vjet qeverisin dhe kurrë nuk banë as gjestin ma logjik e plotësisht të realizueshëm per me siguru drejtësinë dhe gjykimin legale minimale për kupolën e aparatit të dhunës të ish sistemit komunist. Pikërisht, për këtë arsye, sot paria e Tiranës, ka thirrë Lamen në “foltoren e vet”, dmth, garantin e saj të gjallë, për me shpreh ngallënjimin triumfues ndaj viktimave të pafajshme të komunizmit shqiptar.

Ndoshta, kto 30 vite ishin të nevojshme për me ba “dekantimin” e misterit të së keqes dhe me u hap sytë njerëzve se e keqja nuk luftohet me sllogane apo “antikomunizëm minaresh” të zhurmshëm dhe të telekomanduem prej modelit të shokut Qemal. Ligjet e demek “lustracionit” që janë ba apo tentue me u ba, përballë mungesës të drejtësisë me ndëshku pjesmarrësit e aparatit të dhunës, janë kenë thjesht instrumenta shantazhi për të pabindun potencial ne luftën politike. Gjithsesi, shoku Qemal me shpurën e tij janë të diskretituem prej historisë e pesha e krimeve te tyne do t’i krrysë e mallkojë deri në përjetësi. Njerëzit e lirë, qëndrestar në vlera dhe fisnikëri, janë gjithmonë fitimtar dhe vuejtja deri në martirizim, asht sall kunora e suksesit para Zotit, sikur na ka dëshmue historia e martirëve shqiptar të fesë të Krishtit dhe cdo njiri vullnetmirë.

Me shpresën që shpejt kjo qeveri të japë shpirt e mbytun në detin e skandaleve te veta korruptive, uroj të vij per nji fazë të bollshme tranzitore nji qeveri teknikë e pshtimit të vendit nga kolapsi ekzistencial, tue shmang rrezikun e plotësimit të boshllekut me pritën e gjonturqve të pandreqshëm.

Shkruar nga | Nest ZEFI

“Shpikje” shqiptare: 500 persona në grup “WhatsApp-i” spiunojnë radarët e policisë për t’i shpëtuar gjobave

Për t’ju shpëtuar kontrolleve të policisë dhe gjobave në të gjithë vendin, disa persona kishin krijuar një grup WhatsApp dhe sinjalizonin njëri-tjetrin aty ku ishin ngritur pika kontrolli apo ku ishin pozicionuar radarët e rrugores.

Grupi ishte aktiv prej gati dy vitesh dhe pak ditë më parë u zbulua nga Seksioni për Krimin Ekonimiko Financiar, në Policinë e Tiranës.

Administratorë të grupit ishin tre të rinj, dy djem nga Tirana dhe një nga Fushë-Kruja.

Ata u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale veprime që pengojnë zbulimin
e së vërtetës.

Pasi u morën në pyetje, tre djemtë kanë pohuar se grupi që mbante emrin “Radari”, ishte hapur prej tyre për t’ju shmangur radarëve të Policisë Rrugore, pasi kanë pasion shpejtësinë.

Numri i anëtareve të grupit u rrit dita-ditës. Kur policia ra në gjurmët e tij, ishin më shumë se 500 anëtarë.

Pjesa më e madhe nuk kishin njohje me njëri-tjetrin. Ata ishin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në grupin e WhatsApp informonin për ve ndodhjet e të gjitha shërbimeve të policisë që konstatoheshin në rrugë. Informacioni ishte i detajuar, që nga radarët, numri i forcave në postbllok apo edhe kontrollet e lëvizshme në rrugë.

Anëtarët kishin rënë dakord që të mos dërgohej asnjë foto apo video në grup, por vetëm informacionet, si përshembull, “në Tiranë-Durrës ka radarë”, apo “tek ‘Teg-u’ janë ‘Shqiponjat’”.

Edhe pse tre të rinjtë kanë deklaruar se kjo gjë është bërë vetëm për t’ju shmangur gjobave, grupi hetimor dyshon se një pjesë e anëtarëve lëviznin me sende të paligjshme si drogë apo armë dhe e kanë përdorur grupin për t’ju shmangur kontrolleve./m.j

Vetëvritet gazetari Kastriot Myftaraj, policia: U vetëhodh nga kati i katërt i banesës ku banonte

Vetëvritet gazetari Kastriot Myftaraj. Ngjarja e rende ka ndodhur kete te enjte ne kryeqytet dhe eshte konfirmuar nga policia. Blute e Tiranes ne njoftimin paraprak bejne me dije se gazetari dhe analisti është vetëhedhur nga kati i katërt i banesës ku banonte ne lagjen “Ali Demi”.

Policia ka nisur hetimet dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 07.07.2022, rreth orës 12:55, në lagjen “Ali Demi”, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i katërt i banesës ku banonte, shtetasi K. M., 60 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Plazhet plot turistë serbë, por mungon ndjesa për krimet në Kosovë.

-Një propozim për pronarët e hoteleve: “formulari i njohjes së krimeve”

Çdo turist i planetit ka të drejtën të vizitojë dhe pushojë në cilindo vend që dëshiron. Njësoj edhe turistët serbë. Por në kushtet kur kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë nuk mendojnë se Serbia ka arsye të kërkojë falje për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, do të ishte ideale që, pronarët e hoteleve në bregdetin tonë, përpara se t’u japin dhomat, t’u japin për të nënshkruar një formular, ku moralisht ata t’i pranojnë këto krime. Kështu do të ishin më të qetë shpirtërisht edhe mijëra shqiptarë të Kosovës që zgjedhin akoma plazhet tona.

Nga | Arben VATA