Raporton ‘live’ nga Ukraina në gjashtë gjuhë të ndryshme të botës duke i folur rrjedhshëm, gazetari bëhet viral në rrjet, teksa fiton miliona ndjekës për pak ditë (përfshirë edhe admirimin e femrave që interesohen nëse është i martuar)

209

Gazetari Philip Crowther ndau një video që u bë popullore në rrjetet sociale, duke raportuar nga Kievi. Kjo për faktin se ai raporton në gjashtë gjuhë të ndryshme. Ai flet Anglisht, gjuhën e Luksemburgut, Spanjisht, Portugisht, Frëngjisht dhe Gjermanisht.

Crowther është korrospodent i Associated Press (AP)

Videoja e tij është parë më shumë se 7.1 milion herë në Twitter.  Si një reporter televizioni ai është bërë viral brenda dy ditëve në rrjet pasi u shfaq duke raportuar nga Ukraina. Gazetari Britaniko-Gjermano-Luksemburgas është parë të raportojë nga kryeqyteti i Ukrainës duke folur rrjedhshëm në të gjashta gjuhët.

Gazetari poliglot, 41-vjeçar, është dërguar në Kiev për të raportuar rreth situatës së tensionuar me Rusinë, lajme që këto ditë kanë pushtuar botën. Videoja e postuar prej tij ka bërë që të fitojë fansa të shumtë brenda një kohe të shkurtër, aq sa ka marrë 7.1 milion ndjekës, 9 mijë komente, si dhe 57 mijë pëlqime.

“Jam i befasuar. E pabesueshme që dikush flet rrjedhshëm kaq shumë gjuhë të botës”, shkroi njëri nga ndjekësit. -“Ka njerëz që nuk flasin dot as gjuhën e tyre amtare,” shkroi një tjetër, ndërsa një ndjekës tha se “ai duhet të ketë punuar si një super-spiun me kohë të pjesshme për disa shtete, sepse nuk shpjegohet ndryshe”.

Crowther fitoi edhe shumë admiruese femra. “O zot a është i martuar ky njeri? Nëse jo, jam gati dhe dua të di si të aplikoj për t’i bërë një kërkesë”, shkroi një vajzë. 

Me qendër në Uashington, Crowther është gazetar televizioni dhe radioje. Ai ka lindur në Luksemburg nga një baba britanik dhe një nënë gjermane. Nga lajmet që mbulon, përfshihen diplomacia amerikane, politika e jashtme si dhe çështjet aktuale politike.