Dhjetëra zyrtarë të lartë priten të shpallen “non grata” nga SHBA, zyrtari i DASH paralajmëron bllokim pasurish për të korruptuarit

551

Përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, pritet që të shpallen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe shumë zyrtarë të tjerë. Amerikanët duket se janë të vendosur për të luftuar korrupsionin dhe neni 703(c) është metoda më efektive që po zbatohet. Ka qenë zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, i cili deklaroi se do të ketë përcaktime të reja në të gjithë rajonin çka nënkupton se emra të rinj “non grata” do të zbulohen.

Sipas zv/Ndihmës Sekretarit, SHBA do të përdorë gjithë kompetencat për qëllimet që ato janë krijuar. “Do të shihni përcaktime të tjera për të gjithë rajonin. Nuk mund të komentoj për raste të veçanta. Por ne synojmë t’i përdorim kompetencat, për qëllimin që ato u krijuan”, paralajmëroi Escobar për “VOA”. Kujtojmë se këtë gjë e paralajmëroi edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e cila me anë të një statusi në Twitter deklaroi se SHBA e ka seriozisht luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri, përfshi edhe të shpallurit “non-grata” sipas nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit. “Në Uashington për të koordinuar hapat e radhës për marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë. Jemi shumë të qartë dhe seriozë për korrupsionin përfshi edhe përcaktimet sipas 7031(c) – teksa mbështesim Shqipërinë që është më demokratike, e fortë dhe e begatë. SHBA ka qenë me Shqipërinë për 30 vitet e fundit; do të jemi me ju edhe për 30 vitet e ardhshme dhe më tej”, është shprehur Kim.

Escobar flet për masat kundër korrupsionit

Nga ana tjetër Escobar njoftoi masat e reja pasurore ndaj të korruptuarve sipas sanksioneve të reja nga qeveria e Joe Biden. Ai u shpreh se Biden i ka bërë të qarta mekanizmat kryesisht kundër korrupsionit dhe sipas Escobar, SHBA do t’i përdorë këto mekanizma në mënyrë agresive ndaj të korruptuarve. “Vitin e kaluar, Presidenti Biden njoftoi një seri mekanizmash të reja që parashikojnë sanksione posaçërisht kundër korrupsionit, jo domosdoshmërisht kundër veprimtarive kriminale, por korrupsionit. Ne planifikojmë t’i përdorim këto mekanizma në mënyrë shumë agresive”, deklaroi zv/Ndihmës Sekretari.

Po ashtu Escobar u ndal edhe tek integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Ai u shpreh se SHBA do të donte të shihte një integrim më të shpejtë pasi vendet që kërkojnë anëtarësim kanë bërë përparim. Escobar tha se shumë prej vendeve kanë bërë reforma të jashtëzakonshme prandaj integrimi në Bashkimin Europian është një nismë që duhet ndërmarrë. “Ne do të donim të shihnim integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ne mendojmë se këto vende kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm. Nëse shikoni sjelljen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në NATO, ato kanë qenë anëtare të forta. Ato kanë qenë kontribuues të mëdhenj dhe kanë qenë partnerë besnikë. Pra, kjo është ajo që BE mund të presë nga këto dy vende. Pra, po, ne do të angazhohemi me partnerët për t’i bërë ata të lëvizin shpejt në procesin e anëtarësimit”, tha ai.