Ibsen Elezi kërkon dorëheqjen e Bashës: Sot fillon lufta për demokracinë në PD

196

Ish-kryetari i PD-së së Kukësit, Ibsen Elezi, ka protestuar sot para Partisë Demokratike në kryeqytet duke kërkuar dorëheqjen e Bashës. Ai tha se sot fillon lufta për demokraci në PD dhe i bëri thirrje Bujar Nishanit, që të thërrasë Këshillin Kombëtar të PD-së, pasi Basha duhet të largohet sa më shpejt. Elezi nuk përjashton edhe mundësinë e marrëveshjes së Bashës me Ramën, por thotë se demokratët nuk do ta lejojnë.

“Do të largohet sa më shpejt se më vonë është më turp.  Bujar Nishani të thërras Këshillin Kombëtar, të mos flejë gjumë, nuk funksionon me pasivitet. Sot fillon lufta për demokracinë në PD dhe nesër Rama si rrjedhojë e kësaj lufte është i rrëzuar. Atij i kanë rënë pantallonat, është i mbaruar. Si mund të fillosh luftën prapë ti pas 8 viteve? Këto nuk e kanë për turp ta bëjnë. Përderisa këto e kanë bërë një marrëveshje në 2017 mund të bëjnë gjithçka, por nuk mund ta lejojmë. Presioni i demokratëve ka për t’u rrit e kanë shkatërruar në themel PD-në duke vrarë vlerat morale të PD-së. Duhet të fillojmë ta ngremë”.

Sikurse paralajmëroi edhe më parë ai tha se PD-ja është në krizë dhe vendi po shkon drejt humnerës. Sipas tij, të gjithë demokratët sot kërkojnë largimin e Bashës.

“Partinë nuk e bëjnë emrat, por pikëpamjet. Kanë ikur gjithë ato figura. Këto e kanë politikë fisesh, rrethesh shoqërore. Partitë funksionojnë me pikëpamje dhe më i zoti fiton. Jemi në krizë aty ku nuk mban më ky vend, po shkon drejt humnerës. Do mblidhen njerëzit se nuk ka zgjidhje tjetër Basha ka dy rrugë të përcaktuara nga politika e vet, e detyrojnë skandalet dhe politika e qëllimshme në 8 vjet. E kam kërkuar edhe para 3 vjetësh në protestën e studentëve. Sot nuk ka sesi, nuk ma do mendja që ka demokrat që nuk e shkruan një mesazh negativ për Bashën; na more në qafë të gjithëve”.

Sipas tij, zgjedhjet në PD do të bëhen dhe ato fitohen me debat të shëndoshë brenda PD dhe transparencë.  

“Procesi zgjedhor nuk është vetëm votimi, por debati i shëndoshë brenda PD-së. Nuk fitohet pse ke qejf të shash Ramën, por ke plan, pikëpamje e vizion dhe Rama nuk do ta kapte vitin. Boll më! Këto kanë koncept të majtë, nuk dimë kush është e majta e djathta. Është politikë klane mafioze ekonomike, politike, që e kanë kapur vendin, transparenca e shkatërron këtë politikë. Vetëm transparenca është ajo që duam ne. Duam zgjedhje dhe do t’i bëjmë në PD, duan apo jo këto unë do t’i thërras këtu”.