Situata kaotike, Agim Canaj jep alarmin: Futbolli në rrezik ekzistence

336

Prej afro dy dekadash në training, një duzinë skuadrash të drejtuara në karrierë, mes të cilave disa herë në stolin e Dinamos e Vllaznisë. Agim Canaj e njeh shumë mirë realitetin e futbollit shqiptar dhe përpara një sezoni që rrezikon të dështojë ende pa nisur, jep alarmin.

Sot më tepër se kurrë, kur situata ka agravuar në SOS në kuptimin sportiv, nuk mund të mendohet më për emra, por për ekzistencën e futbollit. Qytetet që kanë dhënë shumë dhe kanë mbushur stadiumet, gjenden në vështirësi të mëdha dhe rrezikojnë zhvillimin e kampionatit, paralajmëron Canaj.

Sipas trajnerit që riktheu Vllazninë në elitë, rënia e një skuadre apo problemet financiare nuk përbëjnë më emergjencë. Shtyrjet mes borxheve dhe investimeve që nuk kthehen mbrapsht, nuk mund të vazhdojnë dhe e ardhmja e futbollit shqiptar duhet vendosur në shina.

Investitorët duhet të jenë të sigurt. Këtë e jep shteti me parametrat, të cilët u hodhën si bazë përpara tre muajve e gjysmë nga kryeministri. Duke qenë se ai është një njeri i sportit, besoj se kjo nuk ka mbetur në letër, por duhet ndërhyrje emergjente. Me pesë skuadra që rrezikojnë të mos licencohen, futbolli do të jetë në kaos total. Sot, më tepër se kurrë, ky projekt duhet të marrë jetë edhe në Shqipëri, sepse do të jetë vonë”, deklaroi trajneri i njohur.

Canaj jep edhe arsyet, përse situata ka degraduar deri në këtë pikë.

Ka ardhur kulmi i rënies prej ndryshimit të sistemeve, kur pati një zhvillim negativ të sportit. Projektet kanë qenë gjithmonë afatshkurtra dhe kjo ka bërë që futbolli të jetë në pikën zero, duke mos bërë asnjëherë, asgjë”, tha për A2 CNN Agim Canaj.