Korça dhe shkëlqimi i përhershëm i saj si një “Paris i vogël”

690

Për të mbërritur në Korçë na u desh të bënim 220 km rrugë. Pasi lamë pas Pogradecin e Lasgushit të madh dhe Qafën e Plloçës, përpara syve tanë na u shfaq Korça, qytet i mrekullueshëm, i njohur si qyteti i serenatave, i muzeve edhe si “Parisi i vogël”.

Sot ky qytet ishte bërë me rrugë të reja dhe të gjëra, me shtëpi e pallate të ndërtuara me arkitekturë moderne, me lulishte e parqe plot gjelbërim e dritë, me vepra të artit bashkëkohorë dhe Kishë Katedralen madhështore,“ Ringjallja e Krishtit “, që i rrinte shumë bukur peizazhit të këtij qyteti.

Ali Hasani  

Në Korçë jetonte një popull gazmorë dhe magjik, që me serenatat e tij është bërë i njohur në gjithë botën. Mësuam se kishte një popullsi prej afro 100 000 banorësh, dhe një sipërfaqe prej 1752 km, vendosur në juglindje të Shqipërisë rrëzë kodrave të Moravës në 850 m. mbi nivelin e detit. Në veri kufizohej me Pogradecin dhe Maqedoninë, në J me Kolonjën dhe Përmetin, nga VP me Gramshin, në L. me Greqinë dhe nga P. me Skraparin.

Relievi i saj ishte fushor, kodrinor e malorë. Me klimë kontinentale, dimër të ftohtë dhe me dëborë, janari – 2 gradë kurse vera është e nxehtë, gushti + 30 gradë, mesatarisht me 710 mm. shi në vit.

Ekonomia e këtij rrethi themelet i kishte në prodhimin bujqësor e blegtoral, në sek. e material ndërtimit, ne sek. ushqimorë dhe atë të shërbimit. Korça ishte një qytet-rreth i veçantë, relativisht sa i vjetër edhe i ri, por që patjetër duhet vizituar i tëri, nga gjithë shqiptarët si dhe nga turistë të huaj, për vlerat historike, kulturore, resurset natyrore e turistike që ajo ka. Kjo është Korça ”lule ”, një copë Evrope në Shqipe.

–                                 Pak histori

Studiuesit na thanë se zona ku shtrihet sot qyteti i Korçës, ka qenë e banuar që në kohët më të lashta. Në rrethinat e qytetit është  gjetur një kodër-varr i vjetër diku rreth 7000 vjeçare me një diametër  10.47 m dhe me lartësi 114 cm. Në lashtësi Korça ka qenë pjesë e dinastisë ilire që shtrihej midis lumenjve Devoll dhe Osum dhe pjesërisht në atë të Enkeleasve rrëzë Malit të Thatë.

Korça në dokumentet historike është përmendur për herë të parë më 1281. Gjon Muzaka në dorëshkrimin “Historia e gjenealogjia e Derës së Muzakajve“ e përmend Korçën me një kështjellë, që ekzistonte aty që nga fundi i shekullit të XIII. Në shek. XII-XIII ka qenë nën pushtetin e Muzakajve me qendër në krahinën e Oparit. Në vitin 1382 ishte pushtuar nga osmanët dhe vetëm në fund të shek. XV, Korça pat marre formën e një qendre urbane.

Më 1701 shpërtheu kryengritja e Gorë – Oparit kundër pushtimit turk. Mbas vitit 1820 morën hov lëvizjet patriotike, Naum Veqilharxhi botoi abetaren e tij, kurse Thimi Mitko “ Bletën Shqiptare ”.

Më 7 Mars 1887 u hap mësonjëtorja e Parë Shqipe. Me ndihmën e korçarëve u krijuan në atë kohë edhe shoqëri patriotike në Stamboll, Bukuresht dhe në Kajro. Më 22 tetor 1881 u çel shkolla e parë për vashat nga Qerasim dhe Sevasti Qirijazi. Por Korça si një qytet i mirëfilltë deklarohet se është krijuar në shek. XIX. Sundimi osman këtu zgjati deri kur u shpall Pavarësia më 1912. Në tetor 1914 qyteti ra në duart e grekëve, ndërsa nga 1916 deri më 1921 ra nën kontrollin francez nga ku u shpall Republika Shqiptare e Korçës me president Themistokli Gërmenjin. Korça u bë pjesë e Shqipërisë vetëm më 1921, kohë kurë u rifituan kufijtë e vitit 1913. Aleanca ortodokse e Korçës, e udhëhequr nga Mihail Grameno, shpalli themelimin e kishës ortodokse, por ajo nuk u njoh nga osmanët as nga grekët. Nga viti 1923 deri më 1938 nga Korça u larguan 46820 banorë, dhe një hemorragji e tillë ka vazhduar edhe pas vitit vitit 1944. Qyteti është  çliruar në shtator 1944.

.                 Kultura dhe etnografia

Korça përbën një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë. Ajo ofron trashëgimi të pasur urbanistike, kulturore, arkitektonike e monumentale, pse jo edhe natyrore e turistike. Edhe muzeumet janë nga më të mirët dhe më të kompletuarit në shkallë kombëtare. Ne patëm privilegjin që të vizitonim nga afër tre muzeumet më të madhej të këtij qyteti të cilët po i përmendim :

  1. Muzeu i Mesjetës: I vetmi i këtij lloji në Shqipëri i ngritur që në vitin 1980. Ai përmbante objekte me vlera të veçanta historike, shpirtërore e artistike të popullit tonë që datojnë që nga periudha e Mesjetës e deri në ditët tona. Në atë muze gjendeshin vepra të piktorëve të shquar si Onufri, i biri i tij Nikolla, vllezërit Athanas Zografi e Kostandin Jeromonaku.
  2. Muze tjetër me gjithë parametrat bashkëkohorë ishte ai arkeologjik i cili ishte krijuar në vitin 1985 dhe që kishin vazhduar ta kompletojnë deri në vitin 1990. Ky muze ishte ngritur në një godinë karakteristike të shek. XIX dhe pikërisht për shkak të vlerave arkitektonike, ishte shpallur monument kulture.
  3. Muzeun e Arsimit korçarët e kishin ngritur në ish godinën ku më 7 Mars 1887 ishte hapur shkolla e parë shqipe “ Mësonjëtorja“. Godinën e kishte dhuruar për shkollë patrioti Diamant Tërpo. Në këtë shkollë kishin studiuar patriotët dhe atdhetarët Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi dhe Nuçi Naçi. Prandaj në përkujtim të ditës së hapjes së shkollës së parë shqipe, 7 Marsi, përkujtohet çdo vit, si “ Dita e Mësuesit “.

Fakti që Korça me rrethinat e saj kishte shumë muzeume dhe kisha, shpjegohet me përshkrimin e aktivitetit kulturor e kishtarë ndër shekuj, çka e bënte më të vizitueshme atë. Edhe pse ndër vite qyteti ka qenë i pushtuar disa herë, ndikimet e huaja përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të kulturës korçare.

Korça ka tradita dhe zakone të veçanta, që dëshmon se ky qytet ka qenë një vatër e kulturës me shumëllojshmëri vlerash materiale e shpirtërore për popullin tonë. Dy veprat më të rëndësishme të folklorit korçare janë “ Bleta Shqiptare“ e Mitkos dhe “Valët e Detit“ të Spiro Dines

Korçarët i përkasin besimit kristian dhe mysliman, më një bashkëjetesë të shkëlqyer midis dy komuniteteve. Me interes janë monumentet e kulturës kristiane, kishat edhe manastiret. Ne patëm rastin që të vizitonim disa nga kishat dhe manastiret më të rëndësishme, të shpallura monument kulture në këtë rreth, nga viti 1948 deri në vitin 1970. Ato ishin: Në Voskopojë: Manastiri i “Shën Prodhromit“, kisha e “Shën Thanasit“, e “Shën Mëhillit “, “Shën Kollit “, “Shën Marisë“ dhe “Shëndëlliut“; në Boboshticë: kisha e “Shën Jovanit“ dhe e “Shën Mitrit“; në Vithkuq: kisha e “Shën Marisë“ dhe e “Shën Mëhillit“; në Dardhë  kisha e “Shën Gjergjit“; në Lubonjë kisha e “Shën Marisë“ dhe në Mborje kisha e “Ristozit”.

Gjithashtu Mitropolia e Shenjtë e Korçës përbëhej nga zëvendësit episkopate vendore në 4 rrethet : Korçë, Kolonjë, Pogradec dhe Leskovik. Më konkretisht po përmendim kishat që vizituam në  rrethin e Korçës të cilat janë këto: Katedralja “Ngjallja e Krishtit“, “Mitropolia e Korçës”, kisha ” Burimi Jetdhënës ”, kisha e “Shën Gjergjit“, kisha e “Profetit Ilia“, kisha e  Shën Sotirit“.

Edhe  Voskopoja dallohej për numrin e madh të kishave që kishte prandaj hartuam programin e vizitave. Fillimisht vizituam kishën e “Shën e Premtes“, pastaj kishën e Fjetjes së Hyjlindëses “, të “ Shën Kollit“, “Shën Thanasit“, “Shën Mëhillit”, “Profetit Ilia“ si edhe Katedralen e “Shën Mërisë“, një vepër tejet monumentale kjo, por që ishte dëmtuar shumë para viteve ‘90, sidomos në pikturat murale dhe objektet kishtare.

Ndësa në Vithkuq vizituam kishën e “Shën Mërisë“, “Shën Mëhillit“, “Anargjendëve“ Kozma e Damjano “, kishën e “ Ungjllizimit “, të “Shën Gjergjit“, ndërsa në Mborje kishën e Ristozit, në Dardhë kishën e “Shën Gjergjit“, të “Shën Mitrit“, ndërsa në Boboshticë kishën e “Shën Mitrit“. etj.

Si në fshat edhe në qytet, kudo ku shkuam, jemi pritur dhe përcjellë si miq, çka ishte një zakon i lashtë, fisnik, dhe tepër i veçantë të cilin e hasëm kudo në Korçë. Populli i këtij rrethi ka gojëdhënat, përrallat, gjë e gjëzat, këngët e fjalë të urta, të njohura në gjithë vendin. Veshja më e vjetër e traditës për burra ishte fustanella, kallat dhe opingat me xhufka të zeza e fesi me ngjyrë të bardhë për kokën, ndërsa gratë vishnin xhamadan dhe vinin shami në kokë.

Turizmi

Kishim dëgjuar se Korça ishte një vend turistik i shkëlqyer për  bukuritë dhe monumentet pa fund të kulturës, por ajo që na doli përpara ishte befasuese. Ishte vërtetë një “ minierë ari “ sa i përket turizmit që na ofroi. Nuk na mungoi asgjë. Sikur ishim në Evropë   .    Pasi bëmë 25 km. rrugë, arritëm majë një kodre ku na u shfaq një fshat shumë i bukur, Vithkuqi, me pikën më të lartë të tij, majën e Rrungajës 1750 m. Një nga atraksionet e këtij rajoni aty ishte uji i ftohtë i Bellovodës, i pasur me kripëra minerale dhe i quajtur ndryshe edhe “ Uji i bardhë “. Pranë fshatit ishte ndërtuar manastiri i Vithkuqit i cili u kushtohej apostujve të shenjtë Petro dhe Pavël, një vlerë e shtuar për këtë fshat. Voskopoja dhe Dardha janë dy pikat më të rëndësishme të frekuentuara më shpesh nga turistët.

Nga qyteti, për të mbërritur në Voskopojë udhëtuam rreth 20- 30 km. Për nga vlerat turistike Voskopoja ishte një nga fshatrat më të mrekullueshëm të atyre anëve, 1160 m. mbi nivelin e detit, një vendbanim i hershëm mesjetar, themeluar nga shqiptarë, arumun dhe grek që në viti 1330.

 Në veri të fshatit, mes një pylli të bukur me pisha në vitin 1634 ishte ndërtuar Manastiri i Voskopojës, një vepër monumentale. Lulëzimin më të madh Voskopoja e kishte arritur në vitin 1764 me një popullsi prej 30 000 banorësh. Ajo kishte pasur 25-30 kisha me afreske nga më të bukurat që sot për fat të keq, kishin mbetur vetëm 8 prej tyre. Në atë kohë Voskopoja kishte një katedrale, Akademinë, bibliotekën, një jetimore, shtypshkrojnën, (1720) dhe një spital.

Voskopoja kishte qenë edhe qendër e lëvrimit të gjuhës shqipe. Anastas Kavaljoti, mendohet që të ketë përgatitur alfabetin e parë shqip. Ky qytet ishte bërë një vend i lakmuar edhe për shumë piktor që shkuan aty për të derdhur talentin e tyre në Akademinë e arteve të bukura. Sigurisht që në atë kohë lulëzoi artizanati dhe ekonomia. Por Voskopoja ka pasur edhe 3 shkatërrime të mëdha në vitet : 1769, 1789, 1916, çka një pjesë e popullsisë asokohe është shpërngulur nga aty, për në Korçë.

Sot Voskopoja është një nga fshatrat më të bukur turistik të këtij rrethi, me rrugë të shtruara me kalldrëm dhe me shtëpi prej guri që ruanin vlera të artit mesjetarë. Në qendër të fshatit ndodhej hotel  “Voskopoja” rrethuar edhe nga hotele të shumta që plotësonin të gjitha kërkesat e turisteve vendas e të huaj për akomodim dhe ushqim. Sot Voskopoja kishte afro 200 shtëpi por mund të themi se ajo ishte kthyer në kantier ndërtimi. Voskopojarët ndërtonin dhe shtronin rrugë çdo ditë, çka për kënaqësinë e tyre, ata na thanë se prisnin çdo vit më shumë se 20 000 turistë që sipas tyre, ndikonte në rritjen e ekonomisë.

Siç e thamë, Dardha ishte një tjetër qendër e veçantë turistike që ne e vizituam, shpallur si e tillë që prej vitit 1990. Ndodhej 20 km në JL të Korçës, në lartësinë 1344 m.

Atë ditë që ne vajtëm atje, dëbora sapo kishte mbuluar fshatin dhe ajo na e bëri edhe më interesante vizitën tonë në këtë fshat turistik. Rruga ishte plot me  makina dhe vizitorë që zbrisnin e ngjiteshin për në Dardhë, pemët dhe shtëpitë plot dëborë, turistë të tjerë që luanin me topa dëbore apo që bënin fotografi të çastit, gjithëçka për ne ishte mahnitëse.

Në Dardhë sot mund të kishte 1000 banorë vendas, por kurë  llogaritëm turistët që e frekuentonin çdo ditë, popullsia mund të dy e trefishohej.

Shtëpitë, hotelet, dhe restorantet që lidheshin me rrugë me kalldrëm, voskopojarët i kishin kopsitur shumë bukur në shpatullat e malit me bredha, që sot këto të fundit ishin zbardhur nga rënia e dëborës dhe që ngjanin më shumë me pemët e Krishtlindjes. Një bukuri vërtetë përrallore! Hotel Dardha kishte kushte dhe mjedise të shkëlqyera akomodimi, ushqimi dhe argëtimi për shumë turistë. Klima e shëndetshme, ajri i pastër, gjelbërimi dhe freskia gjatë verës, dimri me shumë dëborë, e bëjnë atë vend të preferuar në të gjitha stinët e vitit. Ne Dardhë  hëngrëm një drekë me gjitha të mirat, që do ta mbajmë mend gjatë.

Në fund të vizitës, 20 minuta më poshtë qendrës së fshatit, vizituam “Ujin e qelbur”, i cili ndihmonte në kurimin e sëmundjeve të stomakut. Dardha kishte edhe një pistë të rrëshqitjes me ski, si dhe një teleferik, çka tërhiqte vazhdimisht shumë sportistë e turistë vendas dhe të huaj.

Boboshtica, ishte fshat turistik por edhe vendlindja e Viktor Eftimiut. Ajo përmendej për prodhimin e rakisë së manit si edhe për punimin e velenxave dhe qilimave. Pranë fshatit ishin edhe dy ndërtime të periudhës para osmane : Manastiri i Shën Kollit dhe Manastiri i Shën Mërisë, fshat me dy kisha me një numër të madh afreskesh mjaft tërheqëse në vëmendjen e turistëve.

Një pasuri tjetër është edhe Parku kombëtare “Bredhi i Drenovës“ i cili ndodhej 10 km. larg qytetit dhe shtrihej mbi kurrizin e Malit të Moravës. Ky park kishte një sip. 1380 ha. dhe pikat më atraktive të tij ishin:Bozdoveci, Guri i Capit dhe çardhaku. Ky park konsiderohej një zonë potenciale për turizëm natyror, kulturor  dhe  frekuentohej çdo vit nga një numër i madh turistësh, sidomos të pasionuarit pas shëtitjeve, sportit, ekskursioneve, ngjitjeve në mal, kampingjeve, gjahut, si dhe sportistë që ushtrojnë sportet e tyre në çdo kohë të vitit. Aty rritej edhe ariu i Bozdovecit, që është shpallur monument natyror, dhe ruhet nga shteti.

Arti kulinar në rajonin e Korçës ishte një arsye më tepër për të qëndruar, pushuar dhe shijuar gatimet karakteristike, tradicionale të kësaj zone. Të veçanta ishin ushqimet që servireshin në restorantet, pijet karakteristike si vera, vodka, konjaku dhe” Birra Korça “ e prodhuar që më 1928, por që sot ka rritur prodhimin  dhe kërkohet shumë brenda edhe jashtë vendit. Mos harroni të shijoni një vakt me peshk të pjekur të shoqëruar me verë speciale ose gatime ta tjera me mish të pjekur, qumështorin, byrekun me petë, i pjekur në sobë, salcë kosi mjaft e preferuar, djathë i bardhë, qumësht, gjalpë, gjize, gjellët me prodhime bio, zarzavatet, sallatat, suxhuku, dhe petullat me mjaltë, mbushnin trapezat. Gatimi i shpendëve, kafshëve të egra, mishi i viçit, i kecit, rosto e qengjit, ishin kënaqësi të tjera, krahas kuzhinës ballkanike, orientale edhe asaj evropiane. Karakteristike ishte edhe byreku me peshk, gjizë dhe vezë ose me qepë si edhe përgatitja e turshive. Nëqoftëse shkoni në Dardhë mos e lini pa provuar lakrorin me dy petë, të pjekur në saç, mbasi është një specialitet i veçantë i këtyre anëve.

Vlerësojmë se në Korçë, gjetëm potenciale të jashtëzakonshme të një turizmi elitarë e bashkëkohorë, gjetëm një qytet-rreth muze, qytetin e serenatave, një qytet që të tjerët e kanë quajtur “Paris i vogël“.

Duke u larguar nga Korça, ne morëm me vete gjithë kënaqësinë dhe mbresat më të forta të mikpritjes, miqësisë dhe qytetarisë të korçarëve si edhe ndjemë sikur ishim vërtetë në Evropë!

Ne ishim në Korçë! Sa mirë u ndjemë!