Inkurajon Parlamentin e Kosovës e të Shqipërisë të nxjerrin deklaratën e bashkimit

380

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se po krijohen edhe rrethanat e reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë si zgjidhjen më të mirë.

“E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Evropian, Por po krijohen rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij”, tha Thaçi.

Këto komente ai i ka bërë gjatë një fjalimi në njëzetvjetorin e operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik.

Pas idesë për korrigjimin, përkatësisht ndryshimin e kufirit, sipas së cilës tri komuna në Serbinë jugore, Presheva, Bujanoci e Medvexha do t’i bashkoheshin Kosovës, presidenti Hashim Thaçi tani po lason idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Për idenë e fundit, Thaçi i ka dhënë dy ide, atë të bashkimit nën “ombrellën e Bashkimit Evropian” apo të bashkimit “nën ombrellën shqiptare” të dy vendeve në një territor të vetëm. Ngjashëm me fjalimin në njëzetvjetorin e luftimeve në Pashtrik, Thaçi foli edhe të dielën në bashkinë e Hasit në Shqipëri, ku tha se Kosova dhe Shqipëria, në një të ardhme të afër të do bashkohen.

“Ju keni qenë bashkërisht në istikame të luftë dhe bashkërisht do të jetojmë në liri e bashkërisht do të jetojmë në të ardhmen e afërt, në një shtet të përbashkët Kosovë dhe Shqipëri”, tha Thaçi, pasi në Has, mori titullin “Qytetar Nderi”.

Sipas tij, është më e lehtë të realizohet, siç ka thënë ai, kjo ëndërr, pra që të ketë një hapësirë mes Kosovës dhe Shqipërisë, sesa që ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova.