Deputetët e ardhshëm do të zgjidhen nga populli

485

Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha, në kuadër te turit për përgatitjen e protestës së 13 prillit, ishte ketë të dielë në një takim me simpatizantë dhe mbështetës të Rrogozhinës.

Në fjalën e tij Basha shprehu alternativat e PD-së, për rimëkëmbjen e fermerëve, me premtimin se subvencionet do t’i marrin fermerët dhe jo grumbulluesit që janë pjesë e oligarkëve të kryeministrit Edi Rama. Gjithashtu Basha deklaroi se pas rrëzimit të Ramës, do të anulohen të gjitha kontratat e koncensioneve që sipas tij, mbledhin lekët e popullit shqiptar në duart e një grushti njerëzish.

Nga Rrogozhina Basha artikuloi edhe një herë ndryshimin e sistemit për zgjedhjen e deputeteve, të cilët do të zgjidhen nga qytetaret dhe fati i tyre do të caktohet vetëm nga populli.

“Deputetët e ardhshëm nuk do të përcaktohen më në mënyrë misterioze dhe anonime, apo vetëm nga një njeri. Ata do ta kenë fatin të lidhur me ju, ju do të përcaktoni kandidatët e ardhshëm të Partisë Demokratike, ju do të përcaktoni me votë deputetët e ardhshëm”, deklaroi lideri demokrat.

Gjithashtu Basha bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 13 prillit në Tiranë.