Lojërat e fatit/ Rama: Kush nuk e respekton ligjin do të mbajë përgjegjësi

476

Kreu i qeverisë ka paralajmëruar se të gjithë ata persona që do të përpiqen që të vijojnë të mbajnë hapur aktivitetet e lojërave të fatit pas 1 janarit do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.

Por krahas këtij paralajmërimi Rama lëshoi mesazhe edhe ndaj drejtuesve të policisë.

Ai deklaroi se nëse do të konstatohen lojëra fati që vijojnë aktivitetin pas 1 janarit përgjegjësi do të mbajnë edhe drejtuesit e policisë.

“Kemi konstatuar ca përpjekje për të krijuar skema ilegale për të transferuar lokalet ku pronarët të përdorin skema të mbyllura. Po ju them të gjithë atyre që u kanë hyrë këtyre fantazive do të përfundojnë aty ku kanë përfunduar bosat e tyre.

Gjithë policia do të jetë në këmbë që prej nesër dhe ju lutem qytetarëve që të njoftojnë që prej nesër për çdo rast ku ato ndodhen. Njësitë e lojërave të fatit janë të dokumentuara dhe nëse do të funksionojnë haptas ose mbylltas dhe nëse do të konstatohet nga qytetarët do të bjerë direkt mbi drejtuesit e policisë përgjegjësia.”

Më tej, kreu I qeverisë deklaroi se për të gjithë atë kategori që do të mbetet pa punë nga mbyllja e lojërave të fatit do të ketë trajnime profesionale me qëllim që të futen sërisht në tregun e punës.