Tkurrja e Policisë në 28 vjet, sot 50% policë më pak.

548

Numri më i madh i punonjësve të Policisë në Shqipëri ka qenë në vitin 1990. Rreth 28 vjet më parë në varësinë e Ministrisë së Rendit Publik numëroheshin 24 mijë policë dhe ushtarë, të cilët ishin pjesë e Rendit, pasi pjesa e ushtrisë quhej Polici Kufitare.

Në vitin 1991, numri i punonjësve të Policisë pësoi një rënie prej një mijë efektivësh, jo për shkak reforme që parashikonte shkurtime, por për faktin e moshës së oficerëve të karrierës, të cilët kishin shumë vite pune dhe duhej të dilnin në pension. Në këtë formë, në Polici kishte 23 mijë të punësuar. Edhe në vitin 1992 nuk pati shkurtime në radhët e uniformave blu.

Vendi vazhdonte të kishte nevojë për punonjës policie, kryesisht në pikat e kalimit kufitar. Në krahasim me një vit më parë, numri i policëve ndryshonte me 500 vetë më pak, pra, 22 500. Shkurtimi i parë në radhët e uniformave blu erdhi në fund të vitit 1992 dhe gjatë vitit 1993. U larguan nga radhët e Policisë së Shtetit 1500 policë. Ky reformim u krye për shkak se situata ishte stabilizuar dhe një numër aq i madh nuk ishte më i nevojshëm. Në të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit numëroheshin 21 mijë punonjës.

Për një vit uniformat blu nuk iu nënshtruan reformimeve. Gjatë vitit 1993-1994 nuk pati asnjë shkurtim në radhët e Policisë. Ikën vetëm 500 veta, si gjithmonë ata, të cilëve u kishte ardhur koha e pensionit dhe nuk mund të qëndronin më në punë. Por nëse një vit më parë nuk pati shkurtime, gjatë vitit 1994- 1995, drejtuesit e lartë të Policisë menduan se kishte ardhur koha për lirime nga detyra, kjo për shkak të një reforme që detyroi rreth 800 policë të dorëzonin armët dhe uniformat.

Numri shkoi në 19700 punonjës Policie. E njëjta reformë përfshiu Policinë e Shtetit edhe një vit më pas. Në fillim të vitit 1996 u shkurtuan rreth 800 punonjës. Ky ishte një ristrukturim tjetër i organikës së Policisë, duke shkaktuar edhe pakënaqësi të shumta në radhët e tyre, pasi mbetën 19 mijë efektivë.

PAS VITIT ’97

Viti i trazirave, 1997-a, e gjeti Policinë e Shtetit me 1300 punonjës Policie më pak. Uniformat blu i ishin nënshtruar një tjetër reforme, e cila ishte ideuar nga drejtuesit e Ministrisë së Rendit dhe Policisë së Shtetit. Policia pati tkurrjen e radhës, duke numëruar 17 700 punonjës. Pasi kaluan trazirat e vitit 1997, një valë e re shkurtimesh përfshiu Policinë, nga agjentë të thjeshtë deri te drejtues të lartë dhe oficerë karriere. U liruan nga detyra plot 1700 punonjës, duke shënuar kështu një rekord shkurtimesh në Polici, që mbeti me 16 mijë punonjës.

Drejtuesit nuk e lanë me kaq reformimin e Policisë. Edhe një vit më pas, në 1999-n erdhën shkurtime të tjera. U liruan nga detyra rreth një mijë uniforma blu, në bazë të ndryshimit të strukturës së Policisë së Shtetit. Një rekord i ri shkurtimesh u shënua gjatë vitit 1999-2000. Në bazë të një reformë të re në Polici, u detyruan të largohen dy mijë punonjës Policie, mes tyre edhe drejtues të lartë. Policia e Shtetit pësoi një tjetër tkurrje, pasi numri i përgjithshëm i punonjësve shkoi në 13 mijë.

Ndryshe nga reformimet që pati Policia për disa vite me radhë, përgjatë 5 viteve, uniformat blu ranë në qetësi. Vetëm 500 policë u larguan gjatë viteve 2000-2005, këta jo për reforma, por thjesht për dalje në pension dhe probleme shëndetësore. E njëjta situatë zgjati deri në vitin 2006. Por jo për shumë kohë.

REFORMAT

Ish-ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi, ideoi një reformë në Polici, në bazë të së cilës deri në fund të vitit 2006 u larguan nga puna rreth 1800 punonjës Policie. Numri total i punonjësve shkoi në 12 400. Sikur të mos mjaftonin pakënaqësitë për shkurtimet e një viti më parë, edhe në vitin 2007, ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, paralajmëroi shkurtime në radhët e uniformave blu. Me miratimin e strukturës së re, rreth 800 policë u liruan nga detyra më 1 korrik të atij viti.

Me miratimin e ligjit të Policisë në vitin 2007, numri total i punonjësve ishte rreth 9700 dhe kaq vijoi të ishte për disa vite me radhë, deri me ndryshimet që ndodhën në vitin 2014. Ndryshe nga reformat e mëparshme, që parashikonin tkurrje, ndryshimet e ligjit të Policisë, gjatë kohës së ishministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, parashikonin shtim të numrit të përgjithshëm. Ndonëse edhe në vitin 2013 pati një numër të madh shkurtimesh, duke u liruar nga detyra rreth 1300 punonjës Policie, me miratimin e ligjit aktual të Policisë numërohen rreth 11 mijë punonjës.

Por ligji i Policisë ka një sanksion që pengon rikthimin në detyrë të një punonjësi që është shkëputur nga puna për një periudhë 2-vjeçare. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, propozoi disa ndryshime në ligjin e Policisë, sipas tij, për nevoja që kishte kjo organizatë për specialistë të tjerë.

Sipas tij, ata mund të rekrutoheshin edhe nga radhët e Ushtrisë. Por propozimet e Lleshajt u rrëzuan në Komisionin e Ligjeve. Madje, ishin vetë deputetë të Partisë Socialiste ata që i dolën kundër Lleshajt. Nëse ministri i Brendshëm mund të kishte propozuar ndryshimin e nenit që iu heq të drejtën e rikthimit në detyrë ish-punonjësve të Policisë në vend që të kërkonte ushtarakë, mbase mund të gjente mbështetjen e deputetëve.

Mes 1300 të larguarve në vitin 2013 ka qindra oficerë e specialistë mjaft të përgatitur, që do të ishin të lumtur t’i ktheheshin Policisë, por ligji nuk i lejon. Kur ka nevojë për specialistë, pse nuk e pa edhe këtë si një opsion ministri i Brendshëm?