“Furtunë” tek Aluizni dhe Hetimi Tatimor, Ministria e Drejtësisë shkarkon 3 zyrtarë, jep 24 masa disiplinore

565

Qeveria “Rama 2” është e vendosur për të luftuar me zero tolerancë korrupsionin në administratë. Në sitën e kontrollit të Task Forcës Antikorrupsion kanë rënë gjatë javës së kaluar një numër i lartë zyrtarësh, që nga drejtuesit e deri tek inspektorët, të akuzuar për korrupsion. Kjo u bë e ditur ditën e djeshme nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në konferencën e mbajtur dje për shtyp, ministrja Gjonaj deklaroi se janë kryer kontrolle në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Fier dhe në ALUIZNI-n e Vlorës ku janë rekomanduar në total 24 masa disiplinore dhe 3 largime nga puna.

“Gjatë kontrollit të Task Forcës Antikorrupsion janë konstatuar shkelje të ndryshme, ndër të cilat po përmend: Mos përcaktimi në Urdhrat e Shërbimit të zonës së inspektimit, i listës së subjekteve që duhen kontrolluar dhe arsyen e ushtrimit të kontrollit; përzgjedhje e cila është realizuar nga vetë inspektorët pa asnjë kriter ligjor, nënligjor apo akt administrativ me karakter të brendshëm.

Aktet e konstatimet janë mbajtur vetëm në tatimpagues me biznes të vogël. Aktet e konstatimit të cilat janë shoqëruar me kupon tatimor lëshuar në një orar i cili nuk përputhet me orën e përfundimit të mbajtjes së vetë aktit. Nga Kontrolli në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Fier, Task Forca konstatoi se 24 zyrtarët, 12 prej të cilëve kanë marrë paralajmërim për përjashtim nga puna dhe 12 të tjerë vërejtje me shkrim kanë lejuar tregtarë të ndryshëm të regjistrojnë, mbajnë apo transportojnë mallra pa dokumentacionin përkatës tatimor, si dhe punonjës të padeklaruar”, deklaroi ajo.

Më tej, gjatë fjalës së saj Gjonaj sqaroi se kontrolli në ALUIZNI-n e Vlorës nisi pas një denoncimi qytetar në platformën e bashkëqeverisjes. “Gjithashtu, bazuar në një denoncim të ardhur pranë Platformës së Bashkëqeverisjes,me objekt denoncimin e legalizimit për një shtesë anësore në një pallat shumëkatësh pranë stadiumit “Flamurtari”-Vlorë, grupi i kontrollit të Task Forcës Antikorrupsion ka kryer gjatë javës së kaluar inspektim administrativ në Drejtorinë Rajonale të Aluizni-t, Vlorë dhe Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Vlorë. Në përfundim të këtij hetimi janë rekomanduar 3 masa disiplinore “Largim nga puna” për: Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, Vlorë; Përgjegjësin e Sektorit të Legalizimeve, Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, Vlorë”, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.