PARTIZANI – TIRANA Derbi i çmendur, Hebaj dërgon “demat” në ekstazë

Sëmundje e pashërueshme. Tirana nuk di të fitojë në derbi, sikurse nuk di të ruajë avantazhin. Derbi i 15-të i bardhebluve që nuk fitojnë dhe sot ndodhi me përmbysje të Partizanit, që fitoi 2-1. Grent Halili ishte ai që zhbllokoi ndeshjen me një gol të realizuar me fillimin e pjesës së dytë.

Gjithsesi Partizani reagoi dhe zgjidhja erdhi nga stoli. Rubin Hebaj, me një goditje me kokë arriti të realizojë golin e barazimit dhe festa ishte e ligjshme për tifozët dhe lojtarët e kuq. Por duket se dikush e ka mallkuar Tiranën, që dhuron gola.

Në derbi rëndojnë edhe më shumë. Një gabim i Hoxhallarit u shfrytëzua nga të kuqtë dhe Çinari asistoi për Hebajn. Sulmuesi shkodran, i rilindur, gjen golin e dytë. Fitore për Partizanin në derbi dhe tani ka fituar edhe zemrat e tifozëve. Tani i duhen minutat. Tirana? Krizë totale.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 15

E premte, më 30 nëntor, ora 18:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

PARTIZANI – TIRANA 2-1
Shënues: Hebaj 67′, 86′ / Halili 51′

Partizani: Hoxha, Ibrahimi (Hebaj 58′), Belica, Atanda, Trashi, Hila, Telushi, Asani, Mensah (Çinari 80′), Mala (Kote 91′), Bardhi. Të gatshëm: Xhika, Çinari, Kardozo, Gojkoviç, Kalari, Hebaj, Kote). Trajner: Skënder Gega.

Tirana: Abibi, Imami, Hoxhallari, Atinga, Doka (Kërçiku 71′), Mauexhe, Karabeci (Kobina 51′), Daja, Hasani, Halili (Blazhevski 67′), Sentamu. (Të gatshëm: Lika, Kërçiku, Turtulli. Cake, Blazhevski, Kobinah, Ngo) Trajner: Ardian Mema.

Gjyqtarë: Eldorian Hamitaj, Denis Rexha, Ridiger Çokaj, Dojando Myftari. Gjyqtarë linje: Klajdi Kola, Juxhin Xhaja.
Kartonë të verdhë: Trashi 31′, Ibrahimi 38′ / Daja 21′, Hoxhallari 30′. Doka 42′, Hasani 51′

Delegat: Lysien Nurishmi.

EPISODET

86′ GOL – Gabim i Tiranës dhe Hebaj arriti të shënojë golin e avantazhit. Çinari ishte ai që pasoi për sulmuesin e Partizanit.

85′ – Hila brenda zonës gjuan fort dhe topi shkon e stampohet në tranversë. Shpëton Tirana

67′ GOL – Hebaj arrin të barazojë. Krosi në zonë shfrytëzohet nga shkodrani, i cili godet me kokë dhe topi devijohet nga Abibi por mbetet pranë sulmuesit. Me tentativën e dytë ai realizon.

57′ – Halili nga jashtë zone tenton golin e dytë, portieri Hoxha e devijon topin që shkon drejt Sentamu. Sulmuesi nga Uganda provon dhe e dërgon topin jashtë

53′ – Trashi kroson fort në zonë, Bardhi me kokë gjuan jashtë kuadratit.

51′ GOL – Grent Halili me një goditje brenda zonës ia ka dalë të shënojë për Tiranën

48′ – Bardhi përparon dhe në hyrje të zonës kërkon kuadratin, por i pasaktë në goditjen e tij.

45′ – Asani godet fort dhe gjen traun e portës. I pafat sulmuesi anësor i Partizanit. PAs atij aksioni u sinjalizua mbyllja e pjesës së parë.

40′ – Asani kroson në zonë, Bardhi gjuan me kokë jashtë kuadratit.

38 ‘– Ibrahimi ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Karabecit, karton i verdhë. Tension në fushë.

31′ – Karton i verdhë për Trashin. Partizani pretendon për penallti, por arbitri ka menduar se kemi të bëjmë me simulim të anësorit. Protesta tek arbitri Hamiti.

27′ – Daja nga brenda zonës nuk godet siç duhet. Topi shkon mbi traun e portës

18′ – Atanda humb kontrollin e topit, Daja kroson në zonë. Halili përpiqet godasë, por pa ia arritur qëllimit

15′ – Trashi me të majtën gjuan fort, Abibi me vështirësi e devijoi topin. Goditje këndi në favor të Partizanit

8′ – Mala jep sinjalin e parë me një tentativë nga distanca, jashtë kuadratit topi i gjuajtur prej tij.

7′ – Imami tenton nga distanca, portieri Hoxha në gatishmëri kontrolloi sferën. Tiranë këmbëngulëse në minutat e para

5′ – Ibrahimi kthen një top pas dhe sulmuesi Halili zgjatet dhe e devijoi topin, me portierin Hoxha që tentoi të largonte rrezikun. Topi shkoi jashtë

Video / ‘Arkimed Lushaj nga burgu i Fushë-Krujës!’ Stresi telefonon Aldon

Stresi i ka habitur të gjithë dëgjuesit e emisionit “Aldo Morning Show” të habitur, pasi telefonoi për të folur me moderatorin dhe për ta përshëndetur.

Reperi, emri i të cilit është Arkimed Lushaj, telefonoi Aldon këtë mëngjes, dhe madje publikoi videon e bisedës së tyre në Instagram, si për të treguar se ka akses të plotë në internet falë telefonit që zotëron në qeli.

Stresi tha se ndodhet në burgun e Fushë-Krujës dhe se me të ndodhen 450 të burgosur të tjerë që besohet se po ndiqnin emisionin e mëngjesit në atë kohë.

Stresi: “Alo mirmëngjes!

Aldo: Kush jeni dhe nga flisni?

Stresi: Bad boy for life, të marr nga burgu i Fushë-Krujës!

Aldo: Edhe njëherë?

Stresi: Arkimed Lushaj nga burgu i Fushë-Krujës!

Aldo: Joooooooo… E ke seriozisht?

Stresi: (qesh) Aldo mirmëngjes!

Aldo: Ku je mor plak?

Stresi: Janë 450 të burgosur që po presin telefonatën ta shohin live.

Aldo: 450 të burgosur ë? Aaa je i mrekullueshëm!

Stresi: Të pëlqen gjithë sektori këtu!

Aldo: Pse të dija në Tiranë unë ty vëlla? Çdo në Fushë-Krujë ti?

https://www.instagram.com/p/Bqzc6GNnhKI/?utm_source=ig_share_sheet&igshid=ym2pq4o52p8b

Apeli i gruas: Shpëtova nga burri i dhunshëm, po s’kemi bukë

Këtë herë në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, personazhi në studio ishte një 38-vjeçare nga Burreli, të cilën jeta e ka sfiduar me një martesë të dhunshme. Gruaja e martuar në moshë shumë të re dhe në një diferencë të madhe në moshë me bashkëshortin, ka vuajtur dhunën në kurriz për vite me radhë. Bashkëshorti 60-vjeçar aktualisht gjendet në paraburgim pikërisht për shkak të dhunës, por ende nuk është dënuar.

“Nuk më tregoi kur e mora që ishte 22 vite më i madh se unë. Ka qenë 40 vjeç atëherë, kur e mora unë. Unë atëherë kam qenë 20 vjeçe. Ai është martuar disa herë, ka 3-4 fëmijë, 2 vajza i ka të martuara. Është martuar disa herë, por nuk ia njoh gratë e tjera, kanë ikur jashtë shtetit. Jam martuar pa dokumente”, tha ajo.

Martesa është bërë me shkuesi me miratimin e prindërve, por gruaja rrëfen se gjithmonë është dhunuar dhe madje torturuar. Nëna rrëfen se ajo që e ka mbajtur me të kanë qenë fëmijët, për hir të tyre ajo ka duruar gjithçka, por frika se mund të humbë jetën e ka sjellë sot në studio, për ti bërë një apel shtetit që ta ndihmojë.

“Nanë e babë nuk janë gjallë, por kur kanë qenë gjallë më kanë thënë e more vetë, për hatër të kalamajve duroje se e ke pëlqyer vetë. Nuk më kanë përkrahur motrat dhe vëllezërit se nuk i do në derë, edhe për vëllain e vete më ka nxjerr fjalë të kota, të ka kap ky. Të dy palët na kanë ndihmuar te Bashkia e Burrelit dhe Kisha. Edhe burri punonte tokat e fshatarëve të tjerë, më shumë paratë i harxhon me pije alkoolike”, u shpreh ajo.

Nëna jeton e vetme me 5 fëmijët e saj të cilët gjithashtu kanë përjetuar dhunën e babait që ndodhet pas hekurave.

“Një muaj ka bërë që ka hy në burg. Kanë ardhur komshinjtë që kanë ndërhy. I thanë: ‘Ça je t’u bo?’ Mua më dilte gjak nga goja. Kjo është dhuna e tmerrshme që është fut burg. I ka thënë komshinjve që do e nxjerr nga shtëpia së bashku me fëmijët. Më ka thënë përherë dil, je e dalme, merr edhe kalamajtë. Mos i bjer në qafë i ka thënë vëllai i vet, e ke përjetë se është e re. Duhet t’ia dish për nder që të ka marrë.
Fëmijët kanë qenë prezent, më kanë thënë ‘Shko bo kërkesën o ma se ne nuk e duam atë babë’. Edhe fëmijët i ka rrahur disa herë, kishin turp ta denonconin. Në burg i kam çuar rroba për t’u ndërruar, por nuk më kanë pranuar rojet. Më kanë thënë për vërtetim dhe nuk ma kanë dhënë, se nuk kam dokumente që jam e martuar. E falja për hatër të kalamajve, më thoshin policia se ti nuk ke djalë dhe ky punon dhe i mban kalamajtë. E kanë fal edhe për hatër të moshës. E dinin ato”, tha ajo.

Aktualisht ajo jeton e kërcënuar nga kunati i saj i cili jeton në një banesë ngjitur me të, ky i fundit sipas saj i merr edhe asistencën që ajo përfiton me ligj. Veç kësaj situate familja po përballet edhe me varfërinë ekstreme. E vetmja ndihmë që zonja merr është nga komuniteti përreth i cili mesa duket e ka vënë dorën në zemër dhe shpesh herë i jep kësaj familjeje ndihma në ushqime e veshmbathje.

“Kunati më ka marrë inat se i kam futur vëllain e tij në burg. Edhe ai është ndarë më gruan e vet, pinë pije alkoolike. Edhe njerëzit e vet flasin keq për mua, do të vrasim, shtëpia nuk është e jotja. Nuk mund t’i mbaj bagëtitë, se bie borë dhe se drutë janë larg duhet t’i mbaj në shpinë”, rrëfeu gruaja e cila druhet për jetën e saj.

Të bashkëjetosh me tmerrin, familja jeton me kabinën elektrike

Edhe këtë vit, ata do t’i kalojnë netët e gjata të dimrit plot ankth, mbështjellë nën batanijet e ftohta. Të rrethuar nga muret plot lagështirë, katër fëmijët e familjes Çoniku në fshatin Çëravë të Pogradecit duhet të jetojnë edhe me tmerrin e kabinës elektrike, që kanë ngjitur me shtëpinë.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, vajza më e madhe e familjes, 16-vjeçarja Ina Çoniku tregon me lot ndër sy se i ati i ka vdekur në muajin shkurt të këtij viti, pas një sëmundjeje tumorale që nuk mundi ta luftonte. Katër të miturit ndihen të vetëm në këtë botë, pasi edhe nëna e tyre nuk mund të kujdeset siç duhet për ta pasi është shurdhmemece dhe ka një sërë problemesh të tjera shëndetësore.

Më tej, Ina rrëfen momentet e tmerrit kur kabina elektrike ka marrë flakë, duke rrezikuar jetën e saj dhe të familjes. Fëmijët ndjekin shkollën rregullisht, pasi dëshirojnë të arsimohen e të realizojnë ëndrrat e tyre, por të ardhurat totale për këtë familje janë vetëm 150 mijë lekë të vjetra në muaj e iu dalin vetëm për të mbajtur frymën gjallë. Në rolin e kryefamiljares së shtëpisë, 16-vjeçarja Ina, dëshpërimisht i bën thirrje shtetit shqiptar si dhe të gjithë atyre që kanë mundësi që të kontribuojnë sadopak për motrat e vëllain e saj të vogël.

Sa veta jetoni në këtë shtëpi?
Në këtë shtëpi unë jetoj së bashku me nënën, dy motrat e mia dhe vëllain. Unë jam më e madhja, 16 vjeçe, është motra tjetër 15 vjeçe, motra e vogël 12 vjeçe dhe më i vogli është vëllai 10-vjeçar.

Po babai juaj ku ndodhet?
Babai im ka vdekur para 10 muajsh nga një tumor në trurin e vogël. Ai u largua njëherë e përgjithmonë nga kjo botë, pasi nuk mundi që ta luftonte sëmundjen e ta mposhte atë. Tani ne jemi vetëm, 4 fëmijë dhe me nënën e sëmurë. Nuk kemi asnjë mbështetje dhe unë që jam më e madhja ndjej vështirësitë që kalojmë edhe më tepër se të tjerët. Para se të ndërronte jetë, babi ishte i sëmurë dhe merrte KEMP për prapambetje mendore.

Si paraqitet gjendja shëndetësore e nënës suaj?
Mami është 49 vjeçe, por gjendja shëndetësore e saj nuk është dhe aq e mirë, sepse ajo nuk flet dhe nuk dëgjon. Madje, edhe nga sytë nuk shikon mirë, gjithashtu vuan dhe nga tensioni i lartë. Ne arrijmë ta shikojmë trishtimin nëpërmjet syve të saj, besoj se ndihet shumë keq për situatën ku ndodhemi, por është e pafuqishme, nuk mund të bëjë asgjë për të ndryshuar gjendjen ku ne ndodhemi.

Sa janë të ardhurat për familjen tuaj dhe a mjaftojnë për të kaluar muajin?
Gjithsej të ardhurat në familjen time janë 150 mijë lekë të vjetra në muaj dhe nuk janë të mjaftueshme, pasi në këtë shtëpi jetojmë 5 veta. Ne shkojmë në shkollë, na duhen fletore, çanta, rroba për të mos folur edhe për ushqimin e për ilaçet që i duhen mamit. Nuk mund të jetojnë 5 persona me 150 mijë lekë të vjetra, këto dalin vetëm për bukë e nevojat e tjera nuk i mbulojmë dot.

A punon ndonjë prej jush?
Jo! Mami është e sëmurë e normalisht që nuk punon dot, por edhe ne jemi në shkollë e duhet të ndjekim mësimin, kështu që përpiqemi të mbijetojmë me ato pak lekë që marrim nga pensioni i mamit si invalide. Kemi si synim kryesor që të shkollohemi e të bëhemi dikushi në jetë, prandaj nuk dua që asnjë prej nesh të punojë e të braktisë shkollën.

Si janë kushtet në shtëpinë tuaj?
Banesa ku ne jetojmë përbëhet nga 2 dhoma të vogla dhe një korridor, gjithashtu dhe një banjë e vogël. Shumë kohë më parë, madje para se të martohej babi dhe mami, babi ka banuar këtu dhe komuna ia ka dhënë këtë ndërtesë për shkak se nuk kishte vend tjetër ku të shkonte, se nuk kishte mjaftueshëm të ardhura për të blerë një shtëpi të saktë. Dua të them gjithashtu se shtëpinë tonë me kabinën elektrike i ndan vetëm një mur. Pra, jetojmë ngjitur me të, e kjo na rrezikon edhe jetën.

A ndiheni të frikësuar që jetoni ngjitur një kabine elektrike?
Normale që kemi frikë, çdokush do të kishte frikë që të jetonte në një banesë si kjo duke e ditur që nga çasti në çast, sidomos kur është kohë e keqe mund të bjerë zjarr dhe të digjemi.

A ka pasur raste kur kabina ka marrë flakë dhe jeni ndier të rrezikuar?
Në stinën e dimrit, me kushtet e këqija të kohës e reshjet e shiut, situata bëhet edhe më e rrezikshme për ne. Madje, ka pasur disa raste që kabina ka marrë flakë, e kjo pasi kemi afër edhe 2 shtylla korrenti dhe telat kanë bërë masë. Kabina është përfshirë nga flakët, por fatmirësisht e kemi shuar në kohë zjarrin pa arritur që të dëmtojë banesën. Jemi tmerruar, nuk dija si të reagoja më duhet t’i shpëtoja të gjithë. Kam marrë vëllain, motrat e mamin dhe kam dalë jashtë në mes të të ftohtit. Kanë qenë momente shumë të frikshme për mua, nuk do të doja t’i përjetoja kurrë më!

Cilat janë kërkesat tuaja, çfarë do të dëshiroje të ndryshonte në jetën tënde?
Së pari do të donim të largoheshim nga kjo shtëpi e shteti të na ofrojë një banesë tjetër që të mos na rrezikojë jetën. Jetojmë gjithë frikë, jemi të vegjël e nuk kemi asnjë mbështetje në këtë botë. Kushdo qoftë të vërë dorën në zemër e të na ndihmojë të dalim nga kjo situatë. Duam dhe ne të jemi si gjithë bashkëmoshatarët tonë, të shkojmë në shkollë, të ushqehemi normalisht, e të vishemi si gjithë shokët tanë. Jemi 4 fëmijë të vetëm me nënën që as dëgjon e as flet, kështu që shteti ose çdokush që dëshiron të kontribuojë sadopak për familjen tonë. /Gsh.al/

Basha me banorët e Astirit: Të anulohet projekti i Unazës

Banorët e zonës së Astirit të cilët preken nga projekti i Unazë së Re kanë dalë edhe pasditen e sotme në protestën e tyre në ditën e 27. Banorët kanë bllokuar rrugën ndërsa nuk mungonin thirrjet ‘shtëpia jonë, jeta jonë’.

Në mbështetje të banorëve kanë qenë edhe deputetë të opozitës si dhe kreu i PD, Lulzim Basha. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se PD do mbështesë banorët dhe sipas tij zgjidhja është anulimi i projektit të Unzës.

“Deri më sot siç e keni bërë dhe ju të ditur tre fakte kanë dalë në dritë, korrupsion në prokurim, korrupsion në hartimin e projektit dhe korrupsion me mënyrën si është vepruar me pronën e qytetarëve, banorët. Kemi të bëjmë menjë aferë të madhe korruptive. Ditë pas dite si mediat dhe opozita kanë bërë të ditura këtë. Këtu po vidhen mijëra euro. Janë paratë e qytetarëve që po vidhen. Ne jemi dhe do të jemi në krah të qytetarëve.

Zgjidhja është anulimi i këtij projekti dhe dërgimi para drejtësisë i atyre që kanë shkelur ligjin. Nuk do ti lëmë vetëm qytetarët. Bashkia e Tiranës nga një anë është kthyer në lavatrice të pastrimit të parave të pista me leje ndërtimi dhe nga tjetër me shembull kampion i korrupsionit e me taksa të larta”- tha Basha.

Basha tha ndër të tjera se ka një padi nga banorët për këtë çështje, por heshta e Prokurorisë tregon se kryeprokurorja Arta Marku është palë me vjedhjen.

“Ka një padi nga banorët. Heshtja tregon një prokurori që është bërë palë me vjedhjen. Duhet t’ia vini mikrofona Arta Markut, nuk del ajo, kush do që de nga dyert e prokurorisë duhet ta pyesni se çfarë po bëhet me kallëzimin e banorëve”, shtoi kryedemokrati.

Në mbështetje të protestuesve kanë qenë edhe deputetet e LSI Nora Malaj dhe Kejdi Mehmetaj.

Një bari shqiptar në filmin e vlerësuar nga ‘Screen Daily’

Ndasitë fetare mes anëtarëve të një familjeje në një komunitet malor shqiptar, pasqyrojnë ato të vendit në tërësi, të cilat janë të rrëfyera me një fotografi kinematografike të mrekullueshme. Besniku, një bari, dhe mysliman i devotshëm është i lidhur shpirtërisht me tokat e egra të vendit të tij, ku ai endet. Por kur shëndeti i babait të sëmurë përkeqësohet, vëllai dhe motra e tij vijnë në shtëpinë e familjes dhe Besniku e gjen veten në zemër të një konflikti të zjarrtë. Ndërkohë, zbulimi se xhamia e lashtë e fshatit ishte fillimisht kishë katolike shkakton trazira brenda komunitetit dhe më gjerë. Me një kohë të ngadaltë por me një rrëfim kinematografik të habitshëm, ky film vazhdimisht risjell përplasjen midis traditës dhe modernes; përçarjen mes kulturave të ndryshme lokale që bashkëjetonin më parë.

Një mesazh i fuqishëm, shkon për njerëzit që “e duan Zotin, por nuk arrijnë të duan njëri-tjetrin”.
Drama mes anëtarëve të familjes mund të duket pjesa më e qetë, por nuk ka asgjë të përmbajtur kur bëhet fjalë për gjeografinë mahnitëse të vendit ku ndodh ngjarja. Sfondi i maleve dhe jetët e njerëzve janë fotografuar në mënyrë të shkëlqyeshme, dhe për këtë e më shumë, filmi ka të ngjarë të gjejë një audiencë të gjerë në festivale pas shfaqjes së tij në Festivalin e Filmit në Talin. Përveç këtij peizazhi, filmi gjithashtu ndan shumë nga etnologjia arthouse film – bariu protagonist një “budalla” i shenjtë – dhe si i tillë, arrin të të krijojë një ndjesi të brishtë brenda vetes.

Besniku (Arben Bajraktaraj) ka një cilësi, ai di të jetë në harmoni me komunitetin dhe ritmin e natyrës ku ai jeton. Ai gjunjëzohet për t’u lutur në fushë, mes dhive të tij, dhe pastaj thjesht zhduket. Djemtë e fshatit që e spiunojnë atë, janë të hipnotizuar nga ky vetmitar i heshtur, duke ia atribuuar atij fuqitë mbinatyrore që shkojnë përtej lidhjes me natyrën. Dhe është Besniku, i cili, i udhëzuar nga një instinkt që nuk mund ta shpjegojë, ciflos suvanë në murin e xhamisë së vogël dhe zbulon një fragment të një pikture të lashtë të krishterë. Zbulimi trajtohet me dyshim nga vendasit por shkakton shumë reagim në fshat. Vilma, një historiane e artit nga Instituti i Monumenteve, arrin të vlerësojë gjetjen; Besniku është i magjepsur dhe i pavendosur në lidhje me të.

Po aq shqetësuese për këtë njeri të thjeshtë, që di të vlerësojë paqen në jetën e tij, është ardhja e vëllezërve dhe motrave të tij.

“Kam një ndjenjë që nuk jeni këtu vetëm për mua”, tërheq vëmendjen babai i tij tek djali i madh, i cili e sheh shtëpinë e familjes, si një mundësi për të marrë një pjesë të trashëgimisë. Djali dhe familja e tij janë konvertuar në kishën ortodokse greke kur jetonin në Greqi; Motra e Besnikut dhe familja e saj janë myslimanë. Ndërsa babai i tij është një komunist i vjetër cinik.

Nuk zgjat shumë dhe tensionet mes tyre rriten. Besniku i brishtë, i cili është i rrënuar nga konfliktet të cilat janë paralajmëruar më parë nga muzika dhe të detaje të tjera, për pasojë fillon të tregojë lodhje mendore. I nxjerrë jashtë prej shtëpisë ku vëllai dhe motra konfliktohen, ai ndihet përgjegjës për rritjen e valës së armiqësisë ndërmjet banorëve myslimanë dhe fqinjëve të tyre katolikë, e cila u shkaktua nga lajmi i origjinës së xhamisë. Një mesazh i fuqishëm, shkon për njerëzit që “e duan Zotin, por nuk arrijnë të duan njëri-tjetrin”.

Digjet makina e parkuar në Korçë

Një makinë tip “Volkswagen Polo”, është djegur pasditen e kësaj të premtje në Korçë.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr 4, në momentin që mjeti nën pronësi të shtetases E.TH, ka qenë e parkuar në rrugë.

Sipas policisë dyshohet se zjarri në mjet, mund të ketë rënë si pasojë e një defekti në sistemin elektrik. Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Tension në Budva, Bushati e Pacolli “përplasen” me Bosnjen dhe Serbinë.


Punimet e ministerialit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor nuk kanë qenë edhe aq të qeta.

Ka qenë ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka kërkuar një ndryshim të vogël në deklaratën e përbashkët të ministrave të WB6. Ky propozim nuk është pritur aq mirë nga ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës, Igor Crnadak dhe përfaqësuesi serb në takim.

Sipas Ministrisë së Jashtme, kërkesa e Pacollit për respekt të ndërsjellë për Kosovën në zbatimin e marrëveshjes CEFTA është mbështetur nga homologu shqiptar, Ditmir Bushati. Mësohet se ministri i Jashtëm shqiptar ka kërkuar një vendimmarrje pozitive për kërkesën e Pacollit, duke bërë thirrje për kompromis.

Debati ka vijuar dhe më tej, teksa ministri i Jashtëm shqiptar ka theksuar se nëse Bosnja dhe Serbia nuk tregojnë mirëkuptim, atëherë dhe për Shqipërinë dhe Kosovën është shumë e lehtë të kthehen tek qëndrimet kombëtare, por kjo nuk i shërben kompromisit.

“Nëse për Serbinë e Bosnjen përbën problem futja e respektit të ndërsjellë në zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s, atëherë Shqipëria qëndron në krah të Kosovës dhe nuk pajtohet me asnjë deklaratë tjetër”, mësohet të ketë thënë Bushati sipas Ministrisë së Jashtme.

Takimi i Budvës së WB6 i përfundoi punimet duke dalë me një tekst të përbashkët, tekst për të cilin nga pala shqiptare u insistua që të miratohej me konsensus pas kundërshtimit të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës për të pranuar ndryshimet e propozuara nga Kosova.

Nga Dhjetori nuk do importohen më makinat e vjetra.

Prej 2 dhjetorit, në Shqipëri nuk do të lejohet të importohet asnjë autoveturë me moshë më të madhe se 10 vite, e që nuk përmbush së paku normën e motorit “Euro 4”. Kamera e TCH ishte në sheshin e trageteve në Durrës, aty ku hyjnë pjesa më e madhe e automjeteve që importohen në Shqipëri.

“Pas orës 12 të natës së datës 1 dhjetor nuk do të lejohet importimi i autoveturave, të cilat kanë moshë më të madhe se 10 vite. Padyshim, edhe norma e motorit duhet të jetë Euro 4”, tha Denis Shabani, drejtor i Doganës Durrës.

Për mjetet e tjera, si kamionët, autobusët dhe motorët, vjetërsia e lejuar në momentin e importit është 15 vite. Që nga miratimi në qeveri dhe botimi në Fletoren Zyrtare kanë kaluar 30 ditë. Shifrat nuk kanë dalë ende, por paraprakisht, drejtori i Doganës së Durrësit, Denis Shabani thotë se kjo periudhë është shfrytëzuar nga bizneset e tregtimit të mejteve të përdorura për të rritur importet e autoveturave me moshë më të madhe se 10 vite.

“Ka pasur më shumë fluks, sepse subjektet që merren me tregtimin e autoveturave të përdorura kanë qenë të interesuar që të importonin sasi më të mëdha autoveturash, t’i kishin gjendje për t’i shitur pas hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë”, tha Denis Shabani, drejtor i Doganës Durrës.

Autoritetet kanë lajmëruar zyrtarisht agjencitë doganore për të mos kryer asnjë procedurë zhdoganimi për automjetet me moshë më të madhe se 10 vite. Doganat kanë një apel për qytetarët që të bëjnë kujdes kur të porosisin një automojet të përdorur nga jashtë shtetit.

“Qytetarët duhet të bëjnë kujdes që në momentin që do të porosisin një makinë. Për ta blerë një makinë në vende të tjera duhet të kenë parasysh që mosha e makinës të mos jetë më e madhe se 10 vite në momentin e importit”, tha Shabani.

Për automjetet e përdorura që kanë hyrë para datës 2 dhjetor dhe që janë zhdoganuar, afati i targimit është 1 marsi i vitit 2019. Ndërkohë, për autoveturat e pajisura me targa dhe leje qarkullimi nuk ka kufizim moshe për të lëvizur në rrugët e Shqipërisë dhe as nuk ndalohet shitja.

Fruta kontrabandë në Kapshticë, pranga doganierit dhe 3 përfituesve.

Një doganier në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës është arrestuar për “Shpërdorim detyre” pasi lejoi kalimin e 4 mjeteve me mall të dyshuar kontrabandë, pa ushtruar kontrollin përkatës.

Në pranga ka përfunduar Lulzim Kodra,  59 vjeç, banues në Sovjan Maliq. Gjithashtu janë arrestuar edhe 3 shtetas të tjerë si dhe 1 është shpallur në kërkim, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Ata janë :

– R.Sh, 29 vjeç;

– K. M 23 vjeç;

– P. V, 45 vjeç;

– Në kërkim u shpall G.M, 29 vjeç;

“Shtetasit e mësipërm, janë kapur në Bilisht, me mjetet e tyre respektive në të cilat iu gjetën të ngarkuara mallra të dyshuara kontrabandë (fruta të thata) të cilat kanë kaluar nga Pika e Kalimit Kufitar të Kapshticës ku shtetasi L.K, dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën duke mos zbatuar procedurat e kontrollit të këtyre mjeteve”, sqaron policia.

Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale bazuar në nenet 248 e 174 të Kodit Penal.