Qentë endacakë “pushtojnë” Korçë, qytetaret dhe turistët të frikësuar

727

Qentë endacakë vijojnë të jenë prezent në të gjithë Korçën, jo vetëm në zonat periferike ku ata lëvizin lirshëm pa u shqetësuar nga askush por edhe në qendër të qytetit.

Në zonën këmbësore sot kanë qenë të grumbulluar rreth 10 syresh, duke qëndruar në mes të rrugës vetëm pak metra larg Bashkisë, apo edhe institucioneve të tjera si prefektura e keshilli i qarkut.

Qytetarët kanë qenë të detyruar tu kalojnë anash për të mos prishur qetësinë e qenve të cilët shijonin gjumin e drekës.

Madje disa prej tyre nuk kanë nguruar edhe ti fotografojnë apo filmojnë, mbase për të hedhur statusin e radhës në rrjetet sociale.

Disa prej qytetarëve kanë kërkuar të merren masa pasi qentë pa zot mund të jenë edhe rrezik për kalimtarët, apo edhe burim sëmundjesh por ka edhe të tjerë që me sa duket janë mësuar me praninë e qenve të rrugës në çdo vend dhe shprehen të pashqetësuar.

Megjithëse shpeshherë janë ndërmarrë nisma për grumbullimin apo largimin e qenve pa zot nga zonat urbane, sërisht situata vijon të mbetet e njëjtë, madje këto lloj kafshësh shtohen gjithmonë e më shumë.