Ekspertët e NATO-s vlerësojnë ushtarët shqiptarë

Ka përfunduar stërvitja një javore “Albania Lion/Biza 18”. Në fund të stërvitjes një javore, mbi 1 mijë e 200 trupa e mjete ushtarake, Grup-Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë u certifikua si “Combat Ready” (i gatshëm për luftë), nën monitorimin e ekspertëve të NATO.

Gjatë fjalës së saj, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhçka tha se Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë shënuar një pikë kthese në historinë e tyre, duke u renditur të barabartë mes të barabartëve.

“Certifikimi, nga ana e NATO-s, i Grup Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë dhe deklarimi i tij, (Combat Ready), “I gatshëm për luftë” shënon përmbushjen e pjesës më të rëndësishme të detyrave tona të shtëpisë, detyrimeve të Paketës së Objektivave të Kapaciteteve të vendit tonë ndaj Aleancës. Ndaj pa frikë mund ta quajmë këtë hop cilësor, një eveniment historik në marrëdhëniet tona me NATO-n”, tha Xhaçka.

Grup-Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë (GBKL) gjatë stërvitjes certifikuese “Albanian Lion/Biza 18”, iu nënshtrua një sërë skenarësh, të përgatitur mbi praktikat më të mira të vendeve të NATO dhe të bazuar në doktrinat e Aleancës për sa i takon GBKL, duke testuar kapacitetet operacionale që ata zotërojnë, por edhe për aftësitë e tyre profesionale në fushën e luftimit.

Merret sot vendimi historik! Marrëveshja e Maqedonisë me Greqinë për emrin

Në Maqedoni mbahet sot referendumi për marrëveshjen e emrit me Greqinë. Qendrat e votimit janë hapur që prej orës 7 të mëngjesit ndërsa të drejtë vote kanë 1.806.336 votues.

Qytetarët në Maqedoni do të shprehen nëse janë pro apo kundër, teksa pyeten konkretisht: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes së Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Qendrat e votimit do të jenë të hapur deri në orën 19:00 ndërsa në të gjithë vendin janë 3.748 vendvotime.

Sipas shifrave zyrtare, vëzhguesve të akredituar, janë 11.907 vendas dhe 493 të huaj ndërsa janë akredituar edhe 194 përkthyes nga organizatat ndërkombëtare. Për raportime nga zhvillimet zgjedhore janë akredituar 83 gazetarë nga 32 media të ndryshme.

Këmbimi valutor/ Lajme të mira për Euron dhe Dollarin

Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit.

Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.

Pa cenuar regjimin e një kursi të këmbimit të lirë, Banka e Shqipërisë mund të kryejë veprime në tregun valutor me objektiv përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomike, shmangien e çrregullimeve dhe rritjen ose uljen e rezervës valutore.

Banka e Shqipërisë llogarit dhe publikon kursin zyrtar të këmbimit. Ky kurs është një nivel referencë (i vetëm), i cili mund të përdoret nga të interesuarit për qëllime tregtuese, vlerësuese, krahasuese dhe statistikore.

Sipas Bankës së Shqipërisë kursi i këmbimit valutor për sot është si më poshtë:

Spartak Ngjela: Shqipëria po krijon epokën e saj të re, mbështetet nga fuqitë ndërkombëtare

Avokati Spartak Ngjela iu kundërpërgjigj deklaratave të Presidentit të Greqisë, Prokopis Pavlopulos për çështjen çame. Ai deklaroi se Shqipëria duhet të pranojë të vërtetën historike të së kaluarës kriminale të çamëve si bashkëpunëtorë të nazizmit.

Por Ngjela tha në një postim në rrjetet sociale se Greqia do të paguajë për çdo gjë që i ka borxh Shqipërisë. Sipas tij, vendi ynë po krijon një epokë të re me mbështetjen e ndërkombëtarëve. “Politikanët grekë që thonë se “çamët i genociduam se bashkëpunuan me nazistët”, janë shumë herë më terroristë dhe më të poshtër se nazistët. Si mund të dëbohen nga atdheu i tyre vendasit dhe të vriten barbarisht gra dhe fëmijë me një arsye të tillë? Po hungarezët, po rumunët, po bullgarët që u bashkuan me nazizmin, i dëboi kush nga atdheu i tyre? Kush vrau fëmijë dhe gra në këto vende? Ku janë proceset greke të bashkëpunimit nazist? Askund. E pra, mos i dinë budallenj shqiptarët këta ardhacakë të Anadollit që kanë pushtuar pronat e shqiptarëve në Greqi? Të gjitha do t’i dorëzojnë. Keni për t’i parë! Këta grekë që përdorin këtë arsye janë më regresivë nga çdo fluks kriminal që nga mesjeta e hershme e deri tani. Historia e Shqipërisë po krijon epokën e saj të re e mbështetur nga fuqitë e mëdha të qytetërimit perëndimor. Greqia do t’i paguajë një e nga një deri në centin e fundit të gjitha dëmet antishqiptare, dhe do t’i kthejë të gjitha pronat që grekët regresivë iu kanë grabitur shqiptarëve autoktonë në Greqi”, u shpreh avokati.

Ai shtoi se grekët janë të trembur. Ngjela theksoi se Uashingtoni dhe Berlini nuk do t’i lejojnë këto deklarata kriminale nga ana e Greqisë. “Si mund të lejohen e të dëgjohen në Evropë dhe në Amerikë monstra të tilla? Po, përse flasin kështu? Së janë të trembur. Stop! Vrasësit e rinj të Greqisë së sotme duhet t’i nënshtrohen fatit të tyre historik. Gënjeshtra dhe krimi grek kundër shqiptarëve do të ekspozohet domosdoshmërisht. Por, Uashingtoni dhe Berlini nuk duhet ta pranojnë këtë pasthirrmë kriminale greke të një mentaliteti kriminal mesjetar”, tha Spartak Ngjela.

Genci Fuga: Nuk kemi asnjë “instrument” për rritjen e cilësisë profesionale në teatro, “i paafti” është bërë “mjeshtër”

Jeta artistike me probleme dhe artistët përballen me jo pak vështirësi në realizimin e projekteve. Për pedagogun, aktorin dhe regjisorin Genci Fuga përgjegjësia kryesore për këtë situatë shkon te Ministria e Kulturës. Në intervistën për “SOT” Fuga shprehet se Ministria e Kulturës duhet të gjejë mekanizma të pavarur për të realizuar politikat e saj dhe jo të shtojë departamente. Për pedagogun e arteve, në situatën e krijuar edhe me projektligjin e ri shihet që ka një organizim të ri të institucioneve kulturore, por dalin probleme dhe te buxhetet apo dhe shpërblimet. Me probleme për aktorin dhe regjisorin Genci Fuga janë dhe prodhimet në skenat e teatrove. Por sipas tij, me ligjin aktual bordet nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie dhe janë thjesht koperturë e drejtuesit ekzekutiv. Sipas aktorit Genci Fuga nuk kemi asnjë “instrument” për rritjen e cilësisë profesionale.

-Ju keni kundërshtime në projektligjin e ri të artit që ka përgatitur Ministria e Kulturës. Në analizën tuaj, çfarë keni parë me problem?

Sigurisht që janë bërë ndryshime. Jo aq radikale dhe autoritare si herën e parë (projektligji i përpiluar në fillim të vitit). Në rast se analizojmë projektligjin e propozuar shohim, që na shfaqet një organizëm i ri në drejtimin e Institucioneve Artistike e Kulturore, që quhet kolegj. Me sa duket, është një organizëm që dublikon bordet artistike, dhe i mënjanon ata në lidhje me vendimmarrjen. Ndërkohë, që aktivitetin e bordeve të deritanishëm e implikon edhe me impaktin financiar të veprave të miratuara. Shohim që në varësi të Ministrisë së Kulturës kanë kaluar institucione si Arkiva e Filmit dhe sidomos Biblioteka Kombëtare! Po ashtu shohim edhe shtimin e institucioneve të varësisë si Qendra e Veprimtarive Tradicionale. Ligjërohet zhdukja e Galerisë së vetme shtetërore, duke e kthyer në “Muze”. Biblioteka Kombëtare duhet të ketë një ndërvarësi “më të lartë” kundrejt “ekzekutivit”. Në pamje të parë mund të kuptohet me një lidhje më të ngushtë me “burimin financiar vjetor” pra MK. Por në këtë moment kemi ngushtuar në maksimum autonomin e këtyre institucioneve. I kemi kthyer shumë “më fleksibël” kundrejt rrymave 4 vjeçare si të politikave ashtu edhe të financimit, çka cënon rëndë peshën që kanë këto institucione kundrejt politikave të ndërrueshme. Me anë të këtij projektligji Ministria e Kulturës i jep të drejtën vetes, jo vetëm të origjinojë dhe zbatojë gjithë “programin” Edukimi përmes Artit, por (dhe kjo e dyta bie në sy) të ndërhyje në mënyrë brutale në autonominë e institucioneve të varësisë dhe programit të tyre, sa herë MK origjinon e finalizon një projekt të caktuar artistik apo kulturor. Nuk dua të hyj në analiza të thella përse na duhen institucione më të pavarura kulturore apo heqja e të drejtës së kërkesës për më tepër buxhet për projekte madhore (kjo do të shpjegohet në pikat më poshtë). Është njësoj sikur ministria e infrastrukturës të marr vetë përsipër projektimin e ndërtimin e rrugëve, pa qenë nevoja për të vepruar me anë të një ndërmarrje vartëse të saj. Kjo për mua është skandal. Po sikur të na qëllojë një ministër kulture që nuk është kaq “kompetent” për artin skenik? Si do ti bëhet me “studimet” dhe “planifikimet” e institucioneve qendrore artistike? Jemi në diskutim hipotetik se as ministria nuk është kompetente për këtë lloj arti, por edhe shumica e institucioneve nuk kanë studime e planifikime. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që ligji për artin është një gjë që nuk bëhet e çbëhet sa herë kemi (ose jo) numra fatsjellës në Parlament. Ky ligj duhet të mos jetë kaq “dritëshkurtër”. Dhe arrijmë tek pika më e nxehtë që janë “buxhetet” dhe “shpërblimet”.

-Çfarë ndodh sipas jush me buxhetet dhe shpërblimet?

Me anë të këtij ligji nuk ka më vend për “surpriza financiare”. Gjithçka përcaktohet nga ministria. Dihet që institucionet e varësisë kanë “pavarësi artistike” por “autonomi financiare”. Këtyre institucioneve ju është hequr e drejta të marrin përsipër projekte të mëdha që mund të kushtojnë më shumë se 40 përqind e buxhetit vjetor. Atributin e këtyre projekteve e merr përsipër MK, por pa qenë nevoja e një “reference” nga Këshilli i Ministrave. Këshilli i Ministrave “zhvishet” edhe nga e drejta që të japë qofte edhe një mendim sesa mund të kushtoje një regjisor apo aktor në territorin shqiptar. Kjo kompetencë i kalon ministrisë dhe institucioneve, që do të negociojnë me artistët. Kujdes! Ligji nuk ka folur fare për “dysheme” apo “tavan” pagesash, apo çmime referenciale të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Gjithçka do të jetë “negociatë” pa refereca + apo – . Kush mendoni ju se do të fitoje? Ministria e institucionet apo individët e kontraktuar?! Në qoftë se janë negociatorë “të fortë” e marrin shërbimin “me 0 lekë”. Në qoftë se ti si individ fiton mos duhet të “sillesh mirë” me Ministrinë e Kulturës apo drejtorët? Dhe në rastin e dytë, imagjinata ime nuk ndalet. Fillon të krijojë 1001 kombinacione politike, ekonomike e financiare, penalisht të dënueshme dhe varrosëse të individualitetit artistik. Ne bëjmë ligje se nuk besojmë. Nuk kam besë tek një ministër se nuk e di se kush do të jetë ministri i rradhës! Prandaj bëhen ligjet! Po sikur (largqoftë) ministri të mos dojë të “na shoh me sy” çfarë të bëjmë ne që do të na duhet të “negociojmë”?

-Jeni shprehur se problem për cilësinë artistike janë institucionet e mangëta, bordet e përgjegjësia e tyre në nivel kombëtar e lokal. Çfarë po ndodh me teatrin në vend?

E kujt është përgjegjësia kur prodhimi artistik nuk ka impaktin e duhur? E regjisorit? Aktorët? Buxhetet e ulëta? Apo, e atyre që e miratuan? Me ligjin aktual bordet nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie. Janë thjeshtë koperturë e drejtuesit ekzekutiv. Ata mund të vazhdojnë të gabojnë pa “i hyrë gjemb në këmbë”. Nuk kemi asnjë “instrument” për rritjen e cilësisë profesionale, as morale, as financiare. Kategorizimi i pagave të aktorëve dhe regjisorëve bëhet “me vjetërsi në punë”, e jo mbështetur në “aftësitë individuale profesionale”. Përveç “egos” se CV-ve personale të aktorëve, nuk shoh asnjë mekanizëm tjetër të nxitjes së rritjes profesionale e zhvillimit të karrierave. Aktorët nuk i ndalon asgjë të përdorin moton: “Zot na lër kështu si jemi”.

-Nga artistët është pohuar se sot mungon dhe përgjegjësia dhe disiplina në jetën artistike si dhe promovohen të paaftit. Çfarë sjell kjo?

Theksoj që aktualisht jemi në mungesë totale të strategjisë së zhvillimit profesional, të institucioneve të kualifikimit artistik, të sistemit të vlerave, të mundësisë të zhvillimit të karrierave, etj. Duke pasur një situatë të përgjithshme tepër të veçantë, nuk kemi arritur të adaptojmë sisteme të vendeve të tjera. Me gjithë që, çdo vend ka zhvilluar sistemin e tij, mbështetur në kushtet e tij specifike. Para viteve ’90 njerëzit mbanin “rradhë” qoftë edhe për bukën, dhe ndëshkoheshin ata që “hynin pa rradhë”. Sot kemi një situatë që nxit atë “që futet pa rradhë”. E në këtë aspekt, “i paafti” bëhet “mjeshtër”.

– Sa përgjegjësi ka Ministria e Kulturës dhe çfarë duhet bërë për ta ndryshuar këtë gjendje?

Duke njohur autonominë shumë të dobët që kanë institucionet e artit nga ministria, ajo merr përsipër edhe përgjegjësitë direkte të situatës së krijuar. E kam theksuar dhe e theksoj: Ministria nuk bën punën e një qendre apo fondacioni për artin! Ministria e Kulturës duhet të ngrejë (ose gjej) mekanizma të pavarur për të realizuar politikat e saj. Jo të shtojë departamente, por të realizojë marrëveshje shumëpalëshe me institucionet e saj apo të pavarur. Trumbetohet me të madhe “edukimi përmes artit”, që në të vërtetë është një nismë shumë e mirë! Mos çështjet e edukimit mund ti mbulonte më mirë Ministria e Arsimit? Mos duhej luftuar që në sistemin arsimor të kish vend për kuadrin profesional që mbulon MK? Mbas rezultateve të “projektit pilot”, mos duhet të ishim në fazën e konsolidimit dhe institucionalizimit të marrëdhënieve të MA dhe MK, e të mos vazhdonim me mendësinë e një OJF-je?

-Dhe sipas jush, si kanë ndikuar deri tani politikat që pretendon ministria në jetën artistike, pasi edhe ju pranoni se janë shumë probleme?

Në rast se investimet e mëdha, që janë bërë në Shqipëri, për muzetë e artin skenik, mbajnë “vulën” e Këshillit të Ministrave, pra jo të Ministrisë së Kulturës, mbetet të them që aspektet e reformave apo politikave të ndjekura kanë qenë të gjitha të gabuara, dhe në disa raste me kundërvajtje ligjore. Reforma e trumbetuar dekantoi thjeshtë në heqjen e “shpërblimit të figurës artistike”, dhe ngushtimit të afatit të kontratës individuale.

-E gjithë jeta artistike e Teatrit Kombëtar tashmë është zhvendosur te “arTurbina”, skena që përdoren dhe për shfaqje të institucioneve të tjera. Si e shikoni sot “arTurbinën”, sa është e përshtatshme për teatrin?

Është përdorur shpesh termi: gjërat e përkohshme bëhen të përjetshme. Uroj që sa më parë, “arTurbina” të mbetet e përkohshme për Teatrin Kombëtar. Teatër është bërë edhe në rrugë. Teatri Kombëtar nuk bëhet e nuk duhet të bëhet “në rrugë të madhe”. As në vatra kulture apo atelie teatror, sado modern të jenë. Është për të ardhur keq që gjithë diskutimi për hapësira, ku mund të luhet teatër, të përfundojë: ishte ngrohtë apo kishte kondicioner. Kjo flet për një varfëri, që kam frikë po na deformon në gen.

-Jeni shprehur më herët se i bëni thirrje institucioneve kombëtare të kulturës, duke filluar me Ministrinë e Kulturës, ruani spektatorin. Pse?

Themi bëhet teatër kur kemi: 1 aktor, 1 “skenë” (apo vend veprimi) dhe 1 spektator. Kaq i rëndësishëm është spektatori për teatrin. Duhet ta ngulitim shumë mirë në mendjen tonë se edhe spektatori (si fenomen) ka ligjësitë e tija. Sa më mirë të kuptojmë spektatorin, aq më shumë shanse do të kemi ta shtojmë edhe në sasi edhe në cilësi. E kemi “përkthyer” gabim shprehjen teatri është për të gjithë. Teatri duhet t’u flasë e komunikojë me të gjithë ata që janë atë natë të dhënë, në atë sallë të dhënë, në atë shfaqje të dhënë. Pra, jo për të gjithë! Teatri është vetëm për qytetarin “special”, që është i hapur të diskutojë mendimet e tij me atë çka ai sheh në realitetin skenik! Jo për të gjithë! Ne do të kishim qenë shumë më ndryshe që të gjithë qytetarët ti kemi “special”, por kurrsesi të barabartë me “të gjithë”. Ai që vjen në teatër kurrsesi nuk është njësoj me “të gjithë”. Vetëm ai “bekohet” me katarsisin shpirtëror të teatrit.

-Ministria ka nisur takimet me grupet e interesit për strategjinë e kulturës, çfarë prisni?

Ftesën!

Intervistoi: Julia Vrapi

Po shkatërrohen monumentet: Sesilia Plasari, letër ambasadorit të BE.

Regjisorja Sesilia Plasari drejtuar me një letër të hapur ambasadorit të ri të BE-së, Luigi Soreca shkruan mes të tjerave se kryebashkiaku dhe të tjerë politikanë po orvaten të shkatërrojnë Teatrin Kombëtar, një monument me rëndësi kulturore.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës është nga ata politikanë që po orvaten të shkatërrojnë, përveç shkatërrimeve të tjera, ndërtesën e Teatrit Kombëtar, një monument me rëndësi kulturore dhe historike të shumëfishtë. Është një orvatje për të cilën kanë vënë në punë të gjitha mjetet, edhe ato më të mbrapshtat. Dhe janë mjete antikushtetuese në një situatë kur i njëjti pushtet e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese”, shkruan Plasari.

Më tej ajo vijon se për t’ia arritur këtij qëllimi edhe mjetet e përdorura nga kryebashkiaku kanë zbritur në nivelin më të padenjë. “Efuzionet e tij ndaj asaj pjese artistësh dhe qytetarësh, që nuk bien në të njëjtin mendim me të kanë qenë të një zhargoni aq rrugaçëror, sa do t’ju vrisnin veshin t’jua përktheja. Për to ai as ka ndër mend t’u kërkojë falje atyre njerëzve që u ka shpallur betejë-një kryetar bashkie, dhe të cilët ju ende nuk i keni dëgjuar. Nuk i keni dëgjuar sepse Shqipëria është një vend nën censurë: mediat nuk u japin zë për të shprehur indinjatën e tyre dhe për të informuar masivisht shoqërinë shqiptare atyre që nuk janë në një mendje me planin shkatërrues Veliaj & Rama”, shprehet Plasari.

Në letrën drejtuar ambasadorit të BE regjisorja Plasari vijon se ardhja e ambasadorit ka qenë inkurajim për artistët, që protestojnë.

“Prandaj, ju lutem, keni mirësinë dhe bëni që shoqëria shqiptare, e cila ka provuar këto vite më shumë se kurrë rrugët e kurbetit mund t’i verifikoni vetë shifrat e frikshme, të ndjehet më pak e zhgënjyer. Ju e dini më mirë se ne që Europa nuk mund t’i mbajë më të ikurit. Unë që po ju shkruaj kam qenë në Shqipëri regjisore dhe pedagoge. Pas 18 vjetësh studimesh dhe aktiviteti profesional në Francë, u ktheva të kontribuoja në atdhe, por m’u desh të largohem për së dyti, sepse pushteti i sotëm është pushtet barbar për artistët. Dhe sigurisht jo vetëm për ta. Si edhe sepse, në ndryshim nga kolegët e mi në Shqipëri, të cilët i kërcënojnë me bukën e gojës duke i detyruar të heshtin ose të konformohen, unë nuk heshta. Ata që nuk heshtin dhe nuk konformohen nuk kanë punë në Shqipëri. Eksperienca e Francës dhe mbrojtja që më jep ajo më detyrojnë të mos hesht, të mos konformohem, të flas edhe për ata që nuk munden, dhe t’ju shkruaj”, shkruan Plasari.

Identiteti shqiptar, në një ekspozitë me 40 piktura në Muzeun Kombëtar

Piktori Rakip Shabani këto ditë prezantohet për publikun me ekspozitën “Identitet”. Në Muzeun Historik Kombëtar ekspozita vjen me piktura vaji, akuareli dhe grafika me tematikë nga etnografia dhe arkeologjia e vendit tonë. Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë artdashës të cilët vlerësuan punimet e artistit. Dekada me krijimtarinë, piktori Rakip Shabani tregon se kjo është ekspozita e 50 personale e çelur në vijim të aktivitetit të tij me pikturën. Ekspozita e piktorit Rakip Shabani përmban rreth 40 piktura me tematikë nga objekte të ndryshme të trashëgimisë sonë popullore të gërshetuara me kostume etnografike të trevave të ndryshme të Shqipërisë. Piktori tregon se për realizimin e punëve ka punuar për dy vite. “Në vijim të aktivitetit tim, ekspozita ka shumë rëndësi, sepse nuk ka komb pa identitet. Dhe është arti ai që flet për identitetin një kombi, për arsye se arti është ndjenjë dhe identitet. Të tjera ndjenja kemi ne, të tjera popujt e tjerë.

Nuk ka komb pa identitet, dhe nuk ka art pa identitet. Punimet janë vazot, shpellat vjetra, skulptura, mozaikët, gërshetuar me etnografinë kostumet popullore, xhubleta ilire deri në veshjet e sotme. Natyra dhe vetëm natyra është mësuesi i përhershëm i çdo gjëje. Janë dy vite punë dhe është ekspozita e 50 personale”, tregon piktori Shabani. Duke vijuar në fjalën e tij se identiteti ynë është gjithë kulturë, piktori tregon se artin nuk e kanë mundur pushtuesit ndër vite. “Identiteti ynë është gjithë kulturë, luftërat e mëdha që janë bërë, shumë luftëtar janë mundur, ndërsa artin tonë nuk e kanë mundur. Turqit e mundën Skënderbeun, ndërsa David Selenica dhe Onufri jetuan, edhe janë edhe sot me veprat e tyre. Kështu që identiteti ynë, si i çdo kombi është në art”, pohon piktori. Punimet e piktorit Shabani kanë shëtitur dhe janë, mirëpritur nëpër botë si në Angli, Amerikë, Argjentinë, Japoni, Greqi, Gjermani, Rumani, Bullgari, Itali, ku ka hapur ekspozita personale, brenda dhe jashtë shtetit. Piktori Shabani i ka rënë kryq e tërthor Shqipërisë, duke lëvizur nga jugu në veri, dhe duke hedhur në bllokun e tij të gjitha impresionet e mbresat nga çdo fshat e krahinë të vendit. Jo vetëm një njohës i mirë i artit, por edhe një shikues fare i thjeshtë konstaton në punimet e tij, në çdo telajo e tablo, njohuri të thella për historinë, etnografinë dhe filozofinë e kombit të tij.

Punimet në ekspozitë

Në ekspozitë sipas drejtorit të MHK dr. Dorian Koçi tërheqin vëmendjen objektet e muzeut, të cilat piktori Shabani me shije artistike i ka ndërthurur me kostume tradicionale popullore. “Ndër to mund të përmendim Mozaikun e Mesaplikut, Vulën dhe Përkrenaren e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, skulptura antike etj”, tha dr. Koçi. Gjatë fjalës së tij piktori Ksenofon Dilo shprehet se Rakip Shabani në pikturat e tij ka dhënë shpirtin romantik. “Kur shohim punimet e tij me karakter popullor ne krenohemi me ndjenjën e brendshme të piktorit. Kjo ekspozitë ka vlera të veçanta. Arti është modern sepse përfaqëson shpirtin e artistit. Unë e kam pasur student dhe jam krenar që piktori Rakip Shabani ka arritur këtë ekspozitë kaq të përkryer”, pohon piktori Ksenofon Dilo. Për ekspozitën, piktorja Anila Kati u shpreh se identitetin shqiptar e shpreh në mënyrën më të mirë. “Rakipi ka qenë profesori im i parë. Kam ndjekur punën e tij dhe jam e mahnitur nga titulli që i ka vënë ekspozitës “Identitet” dhe unë identitenin shqiptar e shoh në tablotë e tij të cilën e shpreh në mënyrën më të mirë. E përgëzoj për punën e tij të palodhshme” u shpreh ajo. Ekspozita “Identitet” është çelur në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar edhe në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë.

Nga Julia Vrapi

“Do trondisë politikanët dhe VIP-at e medias”, zbulohet një pjesë nga libri i Bleonës

Prej kohësh Bleona ka bërë të ditur se po shkruan një libër autobiografik i cili pritet ta trondisë politikën pasi në të këngëtarja do përmendë me emra konktret politikanët apo njerëz të famshëm që e kanë ngacmuar, i kanë propozuar etj. Libri është e sigurt që do shkaktojë shumë reagime, por para publikimit të tij, Ermal Mamaqi ka vendosur të zbulojë dy pjesë të shkëputura nga ky libër sot në “Xing me Ermalin”.

“Ora shënonte 1:15 pa mesnate, sapo isha kthyer nga koncerti dhe doja të flija. Trokiti dera, trokitjet ishin të forta, sikur personi kërkonte të shqyente derën. U çova, ashtu e trullosur e hapa derën. Po ti ç’ne këtu në këtë orë? Doja të të shikoja tha ai. Nuk shikohen njerëzit në 1 të natës mo burrë plus që pse duhet të më shohësh ti mua. Pa e ftuar, ai tentoi të futej në shtëpi. Më fal po unë nuk të ftova i thashë. Në sytë e tij pashë një inat të pajustifikueshëm. Tentoi përsëri. E ndalova por…”, këtu Ermali e ndërpreu leximin duke u shprehur se vazhdimin do e zbulojmë në librin e Bleonës.

Ndërsa në historinë e dytë flitej për një kryeministër që e kishte ftuar Bleonën në zyrë, kishte hapur shampanjë dhe këtu leximi u ndërpre përsëri. Duke qeshur Bleona tha se ky është versioni i Ermalit për librin e saj, por pranoi se një pjesë janë të vërteta.

Ja si të përgatisni maska me kos për një fytyrë të shëndetshme

Pa i hequr meritën produkteve të kozmetikës që marrim në parfumeri, mund të ndihmojmë lëkurën tonë edhe me produktet e bëra vetë me përbërës të thjeshtë dhe me kosto minimale.

T’i rikthejmë lëkurës shkëlqimin dhe t’i dhurojmë një energji të re pas ditëve me smog dhe stres, tanimë është e mundur. Gati? Ja disa këshilla bukurie, të marra nga gjyshet.

Kosi është një aleat perfekt për t’u kujdesur për lëkurën, falë cilësive qetësuese dhe hidratuese, përveçse ka edhe aftësi antibakteriale dhe pastruese.

Duhet kujtuar që kosi ka aftësi shumë të mira për të aktivizuar elementët përbërës të produkteve me të cilat përzihet, duke u mundësuar atyre të penetrojnë në mënyrë shumë efikase në lëkurë.

Kujdes! Vetëm kos të bërë në mënyrë natyrale dhe jo kosin që mund të përmbajë kimikate për t’u përpunuar, apo kosi që shitet i miksuar me fruta.

1-Kos dhe kivi: Kivi është një frut i çmuar sepse përmban substanca ushqyese që i japin lëkurës sonë shkëlqim. I pasur me vitaminat C dhe E, ky frut përmirëson lëkurën falë përmbajtjes së antioksidantëve, në veçanti vitamina C, që bën edhe zbardhjen e njollave të lëkurës.

Kivi ka gjithashtu cilësi antiinflamatore natyrale që ndihmonë në luftën kundër akneve dhe njollave dhe farat e tij mund të përdoren edhe për një skrab të lehtë.

Përgatitja: marrim tulin e një kivi, të cilin e shtypim mirë me një pirun, më pas i shtojmë kosin dhe e përziejmë deri sa masa të bëhet e njëtrajtshme. Pasi kemi larë fytyrën, aplikojmë maskën e realizuar dhe e lëmë në fytyrë për gjysëm ore dhe më pas e shpëlajmë. Këshillohet që kjo maskë të aplikohet një herë në javë.

2-Kos dhe mjaltë: Klasike. Maska me kos dhe mjaltë është kundër rrudhave dhe qetësuese dhe arrihet duke përzierë një lugë gjelle kos dhe një lugë kafe mjaltë. E thjeshtë në përgatitje dhe me një efekt të menjëhershëm për t’i kthyer shkëlqimin lëkurës së lodhur dhe të stresuar.

3-Kos dhe arra kokosi: Një maskë me gjysëm tasi kos, një lugë gjelle me miell kokosi dhe një lugë me miell qiqrash do jetë perfekte për lëkurat mikse, sepse efekti ‘scrub’ evidentohet më shumë dhe vitaminat që ndodhen tek qiqrat dhe kokosi penetrojnë në thellësi të lëkurës. Lëreni maskën vetëm 10 minuta e më pas shplajeni me ujë të bollshëm dhe të ftohtë për efekt tonifikues.

4-Kos dhe kastravec: e këshillueshme në mënyrë të veçantë për lëkurat e thata dhe të skuqura, kjo maskë gjithsesi është e mirë për të gjitha llojet e lëkurave.

Kastraveci është i njohur për aftësitë e tij hidratuese dhe qetësuese dhe në bashkëpunim me kosin ka edhe fuqi të mira ushqyese. Edhe në këtë rast nuk nevojitet shumë për të përgatitur maskën: është e thjeshtë dhe arrihet duke përzierë kastravecin me kosin e bardhë. Koha e mbajtjes mund të variojë në varësi të kushteve të lëkurës nga 10 minuta në gjysëm ore për një efekt sa më të mirë ajrimi.

5-Kos dhe limon: Për kë ka lëkurë mikse apo të yndyrshme, përdorimi i limonit është shumë i këshillueshëm. Shtrydhni gjysmë ose një limon dhe miksojeni me kosin. Aplikoni maskën me lëvizje rrethore për të stimuluar mikro qarkullimin. Sa më e yndyrshme të jetë lëkura, aq më gjatë duhet ta lini maskën të veprojë. Rezultat i garantuar! Provoni që ta besoni!

Lëkura e kastravecit shëron këto sëmundje. Ja si ta përdorni

Sot do t’ju tregojë më poshtë se pjesa më e madhe e vlerave të kastravecit gjendet tek lëkura e tij.

Shëndeti i Syve
Lëkura e kastravecit është një burim i mirë i beta karotenit, i domosdoshëm për shëndetin e syve.

Gjysëm racioni me feta kastraveci me gjithë lëkurë ofron 55 njësi të vitaminës A, gjysma e së cilës vjen në formën e beta karotenit.

Kastraveci në tërësi është gjithashtu i pasur me vitaminë C.

Një racion me kastravec me apo pa lëkurë ofron 3.8 gramë të vitaminës C.

Duke qenë se kjo vitaminë nuk ruhet dot në organizëm, njeriu duhet të sigurojë sasi të vazhdueshme të saj.

Vitamina C mbron imunitetin dhe nxit prodhimin e kolagjenit.

Burim Fibre
Lëkura e kastravecit është e pasur me fibër e cila pastron sistemin tretës nga çdo mbetje ushqimore.

Fibra largon konstipacionin, përthith lëngjet e tepërta dhe i nxjerr ato nga organizmi.

Një filxhan me copa kastraveci bashkë me lëkurë ofrojnë 1 gramë fibër.

Vitamina K
Lëkura e kastravecit është e pasur me vitaminë K, e cila aktivizon proteinat e trupit për mirëmbajtjen e kockave dhe zhvillimin qelizor.

Megjithatë, roli primar i vitaminës K është të mirëmbajë qarkullimin e gjakut

Në një filxhan me copa kastraveci me gjithë lëkurë gjenden 49 mikrogramë vitaminë K.

E njëjta sasi e kastravecit pa lëkurë përmban vetëm 9 mikrogram vitaminë K.

Njerëzit që marrin medikamente për hollimin e gjakut, duhet të konsultohen me mjekun për konsumin e ushqimeve me vitaminë K, sepse kjo vitaminë mpiks gjakun.

Pak Kalori
Kastraveci, me ose pa lëkurë, ofron pak kalori.

Ngrënia e kastravecit të shijshëm dhe freskues, rigjallëron organizmin, por nuk ka ndikim negativ tek pesha e trupit.