Ja si të përgatisni maska me kos për një fytyrë të shëndetshme

539

Pa i hequr meritën produkteve të kozmetikës që marrim në parfumeri, mund të ndihmojmë lëkurën tonë edhe me produktet e bëra vetë me përbërës të thjeshtë dhe me kosto minimale.

T’i rikthejmë lëkurës shkëlqimin dhe t’i dhurojmë një energji të re pas ditëve me smog dhe stres, tanimë është e mundur. Gati? Ja disa këshilla bukurie, të marra nga gjyshet.

Kosi është një aleat perfekt për t’u kujdesur për lëkurën, falë cilësive qetësuese dhe hidratuese, përveçse ka edhe aftësi antibakteriale dhe pastruese.

Duhet kujtuar që kosi ka aftësi shumë të mira për të aktivizuar elementët përbërës të produkteve me të cilat përzihet, duke u mundësuar atyre të penetrojnë në mënyrë shumë efikase në lëkurë.

Kujdes! Vetëm kos të bërë në mënyrë natyrale dhe jo kosin që mund të përmbajë kimikate për t’u përpunuar, apo kosi që shitet i miksuar me fruta.

1-Kos dhe kivi: Kivi është një frut i çmuar sepse përmban substanca ushqyese që i japin lëkurës sonë shkëlqim. I pasur me vitaminat C dhe E, ky frut përmirëson lëkurën falë përmbajtjes së antioksidantëve, në veçanti vitamina C, që bën edhe zbardhjen e njollave të lëkurës.

Kivi ka gjithashtu cilësi antiinflamatore natyrale që ndihmonë në luftën kundër akneve dhe njollave dhe farat e tij mund të përdoren edhe për një skrab të lehtë.

Përgatitja: marrim tulin e një kivi, të cilin e shtypim mirë me një pirun, më pas i shtojmë kosin dhe e përziejmë deri sa masa të bëhet e njëtrajtshme. Pasi kemi larë fytyrën, aplikojmë maskën e realizuar dhe e lëmë në fytyrë për gjysëm ore dhe më pas e shpëlajmë. Këshillohet që kjo maskë të aplikohet një herë në javë.

2-Kos dhe mjaltë: Klasike. Maska me kos dhe mjaltë është kundër rrudhave dhe qetësuese dhe arrihet duke përzierë një lugë gjelle kos dhe një lugë kafe mjaltë. E thjeshtë në përgatitje dhe me një efekt të menjëhershëm për t’i kthyer shkëlqimin lëkurës së lodhur dhe të stresuar.

3-Kos dhe arra kokosi: Një maskë me gjysëm tasi kos, një lugë gjelle me miell kokosi dhe një lugë me miell qiqrash do jetë perfekte për lëkurat mikse, sepse efekti ‘scrub’ evidentohet më shumë dhe vitaminat që ndodhen tek qiqrat dhe kokosi penetrojnë në thellësi të lëkurës. Lëreni maskën vetëm 10 minuta e më pas shplajeni me ujë të bollshëm dhe të ftohtë për efekt tonifikues.

4-Kos dhe kastravec: e këshillueshme në mënyrë të veçantë për lëkurat e thata dhe të skuqura, kjo maskë gjithsesi është e mirë për të gjitha llojet e lëkurave.

Kastraveci është i njohur për aftësitë e tij hidratuese dhe qetësuese dhe në bashkëpunim me kosin ka edhe fuqi të mira ushqyese. Edhe në këtë rast nuk nevojitet shumë për të përgatitur maskën: është e thjeshtë dhe arrihet duke përzierë kastravecin me kosin e bardhë. Koha e mbajtjes mund të variojë në varësi të kushteve të lëkurës nga 10 minuta në gjysëm ore për një efekt sa më të mirë ajrimi.

5-Kos dhe limon: Për kë ka lëkurë mikse apo të yndyrshme, përdorimi i limonit është shumë i këshillueshëm. Shtrydhni gjysmë ose një limon dhe miksojeni me kosin. Aplikoni maskën me lëvizje rrethore për të stimuluar mikro qarkullimin. Sa më e yndyrshme të jetë lëkura, aq më gjatë duhet ta lini maskën të veprojë. Rezultat i garantuar! Provoni që ta besoni!