Sot, 28 vite më parë, gjithë ajo zemëratë e ngurtësuar për afro pesë dekada do të shpërthentë në më të hovshmin guxim atë të ndjekjes së ëndrrës.
Ambasadat, ajo gjermane, franceze, italiane dhe greke do të bëhen streha e parë e vullneteve të lirisë. Përtej atyre kangjellave dhe mureve rrethues, policisë dhe ushtrisë së diktaturës në agoni, përgjërimt dhe lotëve të prindërve, 5200 shqiptarë të moshave, gjinive dhe profesioneve të ndryshme guxuan të provojnë fatin për një ditë më të mirë, për një të ardhme që vendi i tyre u’a kishte mohuar për 45 vite.
Edhe pas 28 vitesh, Shqipëria, kjo tokë, kjo shpërblesë amësie, ky amanet, nuk ka mundur dot të na mësojë diçka tjetër veç ikjes. Ne vetëm ikim, pa ditur se pse, pa mësuar se ku!
Ne vetëm ikim! Edhe ata që ende nuk kanë ngarkuar trastat e ikjes, diçka brenda tyre mungon, një copëz e tyre është shkyer duke ju dhënë ikjes.
Të vetmit që qëndrojnë janë ata që shpresojnë ende, ndërkohë që luten. Të tjerë që dëbimi nuk i ka degdisur diku larg, thjeshtë ata nuk munden. Dëshirimi jo gjithnjë është një mundësi.
Gjithqysh ata presin dhe pritja e tyre është e tillë cfilitëse dhe zhgënjyese sa të mund të shkretojë gjithçka në atë truall që më parë gjallonte hekakeqe shpresa, besimi.
Edhe sot si 28 vite më parë, kur guximi u bë vullnet lirie dhe shqiptarët mësyn ambasadat e huaja si strehë shprese, ende kemi mbetur në dyert e përfaqësive të huaja.
Kujtesa e ruan të paprekur shansin që u ka mbetur të gjithë atyre që duan që e sotmja dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre të meritojë më shumë ngase mund të japë kjo Shqipëri e mjerë, ky vend zemrash të krisura, kjo tokë djerrin ku kuisin vajtueshëm fatet e atyre që ende shpresojnë te një vullnet qiellor, te mrekullitë.
Edhe sot pas 28 vitesh, ajo çfarë zgjodhën të bënin në emër të lirisë 5200 shqiptarë i përket një akti të pashoq guximi. Edhe pse diktatura kishte filluar të shfaq shenjat e para të drobitjes, ata as që menduan se kush do të ishte fundi i kësaj aventure që filloi më 2 korrik dhe u finalizua dhjetë ditë më pas, më 12 korrik 1990, kur 5200 shtetas shqiptar që do të pajiseshin me pasaporta të vendeve pritëse, nisen drejt Portit të Durrësit ku do të marrin një anje të Kryqit të Kuq, për t’iu drejtuar Brindizit.
Nga çdo cep i Shqipërisë vërshuan të kurajshmit të sprovës së fatit, kryengritësit e diktaturës. Përkundër një regjimi policor represiv, një propogande terrori, ata nuk u ndalën, porovuan nëse krahët e tyre do të mund t’i bënin ballë qiejve të lirisë.
Ata besuan te ëndrrat dhe guxuan duke u’a besuar këtë fatit dhe vendeve që ushqenin aspiratat e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ikën pa ktheyr kokën pas, pa menduar për rrëzikun, pa u bindur përgjërimeve dhe lotëve të prindërve, të cilët nuk e ndalën vërshimin drejt lirisë, nuk i bënë ballë këtij uragani lirie.
Edhe sot pas 28 vitesh nuk na mbetet alternativë tjetër vetëm të ikim, secili, gjithqysh përpiqet të bëjë diçka për t’i dhënë udhë ikjes, së mundshmes së një jete më të mirë, të një të tashme më të sigurt, të një shansi për të merituar çfarë të lejon të mbetesh dinjitoz.
Ky vend i uzurpuar nga maskarenjë dhe dallaveraxhinjë, matrapazë dhe plaçkitës, nuk është dhe nuk duhet të lejojmë të jetë atdheu i tyre, por çfarë mund të bësh?! Zërin tënd nuk ka më kush ta dëgjojë, klithmën e këtij gjoksi gjëmues nuk ka më qiell që ta nxërë, rënkimin e këtij shpirti që vuan nuk ka dhimbje ta mbajë.
Nëse nuk je i zotë të ikësh, atëherë të mbetet të ndeshesh për të marrë fund si hero, ose të nënshtrohesh. Fati i fatkeqit në këtë vend nuk ka fat tjetër vetëm atij të ikanakut, atij që kudo e dëbojnë, kudo është i mallkuar, kudo ndihet si i huaj.
Nga Albert Vataj