U shkarkua nga detyra, reagon Artan Broci: Vendimi i KPK politik

Pas shkarkimit nga detyra reagon Artan Broci, i cili e ka KPK-në si komisarët politikë të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij nuk dolën dot nga urdhrat politikë.

Ai theksoi se kishte provuar se të ardhurat e tij ishin të ligjshme, ndërsa paralajmëroi se beteja e tij ligjore do të vazhdonte deri në fund.

“K.P.K si komisaret politik te kryeministrit nuk dolen dot nga urdherat politik.


U provova se te ardhurat e mija jane te ligjeshme te konfirmuara nga Tatimet, kalova ne pikepamjen time te tre testet Pasuror, Profesional dhe Figuren por nuk kalova dot testin e nenshtrimit per ceshtje te caktuara dhe ate te Kryetarit te Keshillit te Emerimeve ne Drejtesi.

Beteja ime ligjore do vazhdoje deri ne fund. flm!”

Shqipëri-Greqi, miratohet marrëveshja e përbashkët për patentat

Qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë miratuar marrëveshjen për njohjen e ndërsjellët të patentave me Greqinë.

Ndërkohë pritet që vendimi të hyjë në fuqi zyrtarisht pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Marrëveshja midis dy vendeve u arrit më 11 maj të këtij viti nga dy ministrat e Jashtëm, përkatësisht Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias. Njohja e lejeve të drejtimit ka ndikim pozitiv, pasi do të krijojë lehtësi në qarkullimin e automjeteve midis dy vendeve ku përfituesit më të mëdhenj janë shtetasit shqiptarë për shkak të numrit të madh të tyre në Greqi.

Sipas marrëveshjes parashikohet që qytetarët shqiptarë, të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës, për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një impakt financiar nga 700 deri në 1000 Euro, për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi. Qytetarët do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri, dhe do të marrin atë greke duke u krijuar mundësi, të qarkullojnë ose të punësohen si drejtues mjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.

Kjo marrëveshje është një rezultat i prekshëm i paketës së çështjeve dypalëshe të diskutuar në Kretë dhe Korçë nga dy ministrat e Jashtëm dhe një punë të gjatë negociuese mes ministrive të transportit të dy vendeve tona.

Meta i kundërvihet sërish Ramës, pas “Teatrit” i kthen një tjetër ligj të rëndësishëm

Presidenti Ilir Meta pas kthimit te ligjit për Teatrin ka kthyer dhe një ligj tjetër qeverisë.
Me anë të një njoftimi zyra për shtyp, Presidenca bën me dije se është kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për uljen e tatimit për lojërat e fatit.

NJOFTIM PËR SHTYP:

Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 10850, datë 30.07.2018, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji, bazuar në argumentat e mëposhtme :

Ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative.
Miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare.
Institucioni i Presidentit të Republikës, ka vlerësuar se aplikimi i barrës së lehtësuar fiskale ndaj operatorëve në fushën e lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi, përkundrejt dramave sociale dhe konflikteve në familje që janë shkaktuar në vijimësi nga pjesëmarrja në lojrat e fatit.

Argumentat e shtjelluara mbi kthimin për rishqyrtim të nenit 6, të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, mund t’i gjeni në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikës – http://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-39-2018-arsyet-e-kthimit-te-ligjit/

Gjithashtu, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrave të Tij, në mbështetje të nenit 84 pika 1 e Kushtetutës, ka dekretuar shpalljen e ligjeve të tjera të miratuara nga Kuvendi, dhe konkretisht :

– Dekret nr. 10842 datë 26.07.2018 për shpalljen e ligjit nr. 38/2018 “Për ratifikimin e korrigjimit të marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për huan e politikës së zhvillimit të sektorit financiar”.

– Dekret nr. 10843, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 40/2018 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

– Dekret me nr. 10844, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 41/2018 “Për një shtesë në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.

– Dekret nr. 10845, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 42/2018 “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES)”.

– Dekret me nr. 10846, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 43/2018 “Për ratifikimin e protokollit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”.

– Dekret me nr. 10847, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. nr. 44/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor”.

– Dekret me nr. 10848, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. nr. 45/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”.

Erjon Braçe: Hajdaraga na shpëtoi nga kurthi për të na vrarë

Deputeti socialist Erjon Braçe, ishte një nga kolegët më të vjetër me Luan Hajdaragën. Teksa e cilëson si shok dhe vëlla të madh, Braçe përmes një statusi ka zbuluar momentet e vështira të njohjes me ish-deputetin socialist Hajdaraga dhe se si ky i fundit i shpëtoi ata nga një kurth i ngritur në vitin ’94 nga policia e asaj kohe dhe përndjekjen prej njerëzve të SHISH.

Braçe më tej shkruan se ka qenë një kohë kur Partia Socialiste nuk ishte kjo e sotmja dhe ku burra udhëheqës i dilnin për zot gjithkujt, pavarësisht moshës, njohjes, peshës.

Postimi i Erjon Braçes

Nuk dua të të përcjell nesër Luan!

Ishte bukur me ty si shok, si mik, si vëlla i vogël.

Ka qenë një kohë kur Partia Socialiste nuk ishte kjo e sotmja;

Kohë e vështirë, betejë deri në luftë për çdo iç në territor, sup me sup me shokun, mikun, vëllain.

Burra udhëheqës që i dilnin për zot gjithkujt, pavarësisht moshës, njohjes, peshës në rastin tonë.

Luan Hajdaraga dhe unë jemi njohur në Partinë Socialiste! Jo në salla mbledhjes apo Kuvend si këtu, asfare.

Në kabinën e një Land Rover-it të bardhë, tek shinat e trenti në të dalë të Lushnjes, në një postbllok armiqësor të policisë politike, gjatë turit për Referendumin e Kushtetutës në vitin 1994.

Ndjeu kurthin, parashikoi sulmin, zbriti nga timoni shoferi i tij dhe, në në shi gurësh vrasës lëvizi makinën për të na shpëtuar jetën.

Nuk mbaroi aty. Në ato 15 kilometra në drejtim të Rrogozhinës, pas ngjitur apo duke goditur fort makinën ku ishim e me të cilën po udhëtonim, kishim policinë sekrete të kohës në sulm për të na bërë të paguanim atë të cilës i shpëtuam në postbllokun e Lushnjes, deri në fund, tek dy rrugët në hyrje të Rrogozhinës.

Ajo djathtas e poshtë, në një kthinë pusi ngritur për në errësirë. Ajo drejt e lartë, në urë, tërësisht në vijën e kundërt të kalimit, ngushtë aq sa Land Rover-i ynë u përplas, u ça majtas e djathtas, herë në makinën që erdhi përballë e herë më parmakun e betontë të urës, për për të mbetur gjallë.

Servet Pellumbi, Namik Dokle, Fehmi Abdiu, Vladimir Metani e të tjerë shokë u masakruan poshtë, ne mbetëm gjallë lart!

Na shpëtoi Luan Hajdaraga! Prej asaj dite nuk u ndamë më. Ai, Anastasi, Iliri, Thomai dhe unë.

Ishim pesë shokë, miq, bashkëpunëtor. Çdo orë, çdo ditë, kudo, për njëri tjetrin pa i ikur sfidave, betejave që herë ishin ideologjike, politike, organizative por edhe fizike me pushtetin e kohës.

Vijoi në Majin e 1996-ës, ai fort në Tiranë e unë si ai në Berat, pastaj këtu në shesh në 27-28 majin e përgjakshëm e në vijim, tetor, nëntor, dhjetor 1996, janar, shkurt e mars 1997, në rrugë, sheshe, për herë të parë për mua, bashkë në Kuvend.

Bashkë në ditëlindjet e mia, atje tëk shtëpia e vogël në Kombinat, në gazetë duke përdorur unë përvojën e folur e të shkruar të njëriut që kish parë perendimin më parë se cilido. Në gëzime të njëri-tjetrin deri tek dasma ime ku miqësa e udhëhiqte Ai, Luan Hajdaraga, si dibrani tek dibranët, por në anën tjetër të krushqve.

Kështu kemi jetuar në! Ishte kohë tjetër, e vështirë, por e bukur. Të kishe një shok, një mik, një vëlla të madh, ishte aq bukur. Nuk dua të të përcjell nesër Luan, ishte bukur me Ty si shok, si mik, si vëlla! Ne të dy jemi mësuar ndryshe. Burra si ty përcillen për në betejë, jo për tu humbur.

Ndalohet përdorimi i telefonave në shkolla

Parlamenti i Francës ka miratuar një ligj për përdorimin e telefonave celular në shkolla.

Sipas ligjit të miratuar dje, ndalimi i përdorimit të telefonave do të bëhet nëpër shkollat të mësimit parafillor, fillor dhe në shkollat e mesme.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kishte bërë fushatë për ndalimin e përdorimit të telefonave celular në shkolla.

Nxënësit francezë deri tani nuk ishin lejuar që të përdornin telefonat e tyre gjatë orëve mësimore dhe çdo shkollë, kishte rregullat e veta, nëse do t’i lejonte apo jo që nxënësit të përdornin telefonat.

Por, me ligjin e ri të miratuar do të ndalohet përdorimi i telefonave në çdo shkollë.

Në vilën e ish-kryeministrit i jep fund jetës me një plumb në kokë

Enrico De Mattia, major, i ka dhene fund jetes me pistoleten e sherbimit ne tualetin e rezidences se Berluskonit.

Mediat italiane, raportojne se gjithcka ka ndodhur pak pasi ishte mbyllur operacioni “Rruge te sigurta”, ku kishte marre pjese edhe ushtari i ri, qe me pas qendroi ne Palazzo Grazioli.

Ai pak pas ores 15:00 te se djeshmes hyri ne tualet duke marre me vete edhe armen e sherbimit, me te cilen i dha fund jetes, me nje goditje ne koke.

GrNet.it thekson se kjo eshte e treta ngjarje e rende ne radhet e ushtrise brenda pak kohesh.

Ansa ben me dije se pas ngjarjes se rende fshihen “motive sentimentale”, nderkohe qe thuhet se i riu nuk ishte as i martuar e as me femije.

U nda nga jeta 2 ditë para 70 vjetorit, ja shkaku i vdekjes së Hajdaragës

Ditën e sotme u nda nga jeta ish-ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga. prej disa kohësh Hajdaraga kishte probleme të rënda shëndetësore si pasojë e një ishemie në tru, ndërsa ditën e sotme pësoi një arrest kardiak i cili i mori dhe jetën. Hajdaraga vdiq në moshën 69-vjeçare, ndërsa pas dy ditësh ai do të festonte 70 vjetorin.

Familja e tij u shpreh për “Balkanweb” se Hajdaraga kishte lënë ambientet e spitalit, por gjatë ditës së sotme kishte pësuar një arrest kardiorespirator, dhe pavarësisht ndihmës së dhënë në QSUT, nuk arriti dot të mbijetonte.

NDODH EDHE KESHTU, JO VETEM NJEREZIT NE PLAZH POR EDHE AUTOMJETET

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Himarë, por fatmirësisht pa dëme në njerëz. Ka qenë një automjet tip “Ford” me targa AA 114 KG i cili pasi ka dalë nga rruga ka përfunduar në det.

Siç duket edhe nga fotot, automjeti është fundosur në ujë pranë zonës së Portit të Himarës. Drejtuesi i automjetit ka mundur të dalë me shpejtësi nga makina pasi ajo ka rënë në det, duke shmangur kështu rrezikun për jetën.

Automjeti është nxjerrë nga thellësia me vinç disa orë pas aksidentit. Shkak ka qenë humbja e kontrollit të automjetit nga drejtuesi.

Sfidat e një lidhje në distancë, si të menaxhoni situatën

Lidhja në distancë është një sfidë me vete. Secili nga partnerët duhet që të sakrifikojnë në shumë mënyra që ta mbajnë në formë dashurinë e tyre. Në disa raste nuk është e nevojshme vetëm një telefonatë për të përballuar situatën.

Është e trishtueshme kur e mendon që duhet të presësh ditë të tëra për të parë njeriun që do, dhe pse gjithmonë mund tja dilet nëse ka dashuri në mes.

Më poshtë do të lexoni disa këshilla që ju vijnë në ndihmë për të pasur një marrëdhënie afatgjate dhe të shëndetshme.

Shmangni komunikimin e tepërt

Kur jeni larg partnerit/partneres e vetmja mënyrë për të ruajtur marrëdhënien është komunikimi përmes telefonit. Duke qenë se ai/ajo nuk është pranë ju mundoheni t’i shpjegoni çdo gjë me detaje, dhe t’i shkruani në çdo moment. Shmangeni këtë gjë. Ju sigurisht që duhet të flisni me të gjatë gjithë kohës, por mundohuni të mos bëheni e bezdisshme.

Shikojeni si një mundësi
“Nëse dëshironi të jetoni së bashku, ju në fillim duhet të mësoni të jetoni të ndarë”. Kjo shprehje mund të motivojë të gjithë ata që e “vuajnë” një lidhje në distancë. Shikojeni si mundësi, pasi distanca është një test i marrëdhënies suaj. Nëse ia dilni të mposhtni kilometrat që ju ndajnë, sfidat e tjera që mund t’ju dalin gjatë jetës, ndoshta do të jenë më të lehta se mos pasja e njëri-tjetrit pranë.

Flisni vazhdimisht, por mundohuni të jeni krijues
Kur flisni 24 orë në 24 me një person, mbarojnë edhe temat që mund të diskutoni me të. Mundohuni gjithmonë që të bëheni krijues, dhe të flisni për gjëra të reja me partnerin/partneren.

Shijoni kohën me familjen dhe miqtë tuaj
Çdo të keqe e ka nga një të mirë. Nëse keni partnerin/partneren larg keni më shumë kohë për të kaluar me miqtë dhe familjen tuaj.