Vllaznia e re, zbardhen emrat që pritet të drejtojnë klubin

748

Te Vllaznia pritet që të ketë ndryshime rrënjësore. Pas largimit të administratorit Astrit Gjyrezi, te Vllaznia pritet të largohet edhe Këshilli Mbikëqyrës i klubit shkodran.
Jo më kot, në takimet që kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka pasur ditët e fundit me grupin e specialistëve të futbollit shkodran, ka nisur edhe propozimi i emrave për këshillin e ri.
Por, kjo do të ndodhë menjëherë pasi më parë bordi ekzistues të paraqesë para Asamblesë së klubit dorëheqjen.
ADMINISTRATORI I RI
Dorëheqja e administratorit të klubit ka bërë imediate edhe caktimin e një personi në krye të drejtimit financiar të klubit.
Pavarësisht se nuk ka ende asnjë emër konkret, pasi dorëheqja e Astrit Gjyrezit ende nuk ka mbushur 48 orë, në ambientet e ndryshme kanë nisur që të dalin edhe emrat e parë që mund të zënë vendin e tij.
Siç raporton “Panorama Sport”, një kandidat potencial është presidenti i ekipit të Vllaznisë në futboll për femra, Lazër Matija.
Ky i fundit ka shtatë vite me radhë që është në krye të ekipit të vajzave të Adës dhe më pas edhe të Vllaznisë, ndërsa e ka shpallur ekipin kampion dhe fitues të kupave në vend.
Administrimi i klubit nga ana e tij ka treguar vetëm rritje në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare me këtë skuadër. Arritjet e tij mund të bëjnë që të besohet te ky person për të drejtuar klubin e futbollit Vllaznia për të rritur.
Matija ka eksperiencën e duhur në drejtim të klubit të Adës së Velipojës për shumë vite.
Për më tepër ka qenë shumë pranë klubit Vllaznia edhe në këto momente dhe e njeh mirë situatën e ekipit.
Ndërsa një tjetër emër që mund të jetë pranë klubit në këto momente falë edhe eksperiencës së tij për të drejtuar si administrator, është edhe ai i ish-sekretarit të klubit Vllaznia, Agim Medja.
Ky i fundit që ka qenë zyrtar i klubit në kohën kur president ishte Valter Fushaj, njihet si një nga personat që ka menaxhuar klubin në situata edhe të vështira.
Medja është një ish-futbollist dhe ish-teknik i kësaj skuadre, me shumë eksperiencë në fushën e drejtimit. Nuk përjashtohet edhe një bashkëpunim mes dyshes Matija e Medja.