Njeriu që solli qytetërimin në veriun e Shqipërisë. Pse u vra ai?

4899

Më 24 janar, një prej martirëve shqiptarë, dha jetën gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Dom Luigj Prendushi qe prift e më pas martir. Ai lindi në Shkodër më 24. 01. 1896 dhe vdiq në Shelqet, 24. 01. 1947, pasi u arrestua dhe u torturua nga regjimi komunist si spiun i Vatikanit.
Dom Luigj Prendushi

Qysh në vegjëli, Luigji u nis për në Piemonte të Italisë, ku i kreu të gjitha shkollat: nga fillorja, në kolegjet më të mira të Skarnafacios e të Sarvanos. Gjatë shkollimit, zgjodhi edhe rrugën e tij: atë të përkushtimit ndaj Zotit e të afërmit. Pas shumë motesh në tokë të huaj, ai mund të vijonte qetësisht udhën e zgjedhur, aty ku e kishte nisur.
Tregohet se motit qe mbytur një varkë, ku kishte shumë tregtarë, me shumë mallra. Njerëzit shpëtuan, po mallrat u mbytën. Si kaloi frika e rreziku, tregtarët nisën të qanin me lot për mallrat e humbura. Ndërmjet tyre, vetëm njëri nuk ankohej.
Ishte meshtar. Kur e pyetën si mund të rrinte aq i qetë, u përgjigj: – Nuk kam asnjë arsye për t’u qarë. Kapitali im është Ungjilli (pjesë e Testamentit të Ri në Bibël). Ai nuk mund të mbytet në det! Me këtë kapital kthehej Dom Luigj Prendushi, në një vend ku të shkelshe i ngarkuar vetëm me dije, nuk ishte ndonjë nder i madh.
E kështu, nga dija evropiane erdhi në padijen shqiptare, mes njerëzve, që i gjeti ashtu si i kishte lënë. Sipas Radio Vatikanit, prandaj erdhi, për t’i çliruar shqiptarët nga mendësia e kërkimit të një kafshate buke, një zheleje në shtat, dy tjegullave mbi kokë, një grazhdi për shtroje e një pushkë në gozhdë, për t’u ruajtur nga bishat e egra e nga armiku.
Erdhi të banonte pranë tyre, në shtëpitë, që ishin më shumë shpella të ndriçuara nga zjarri i vatrës, në Mazrek, Nënshat, Shllak, Dardhë (Pukë), Koman, Kaçë, Naraç, Shelqet. Erdhi në viset e veta, nga viset me pallate të larta, kisha madhështore, hotele vezulluese, rrugë që zienin nga njerëzit gjithë gjallëri. Erdhi, duke sjellë me vete një pasuri të pallogaritshme, një pikë takimi me viset më të përparuara të botës perëndimore.
Pa i shkuar për asnjë çast në mendje të ndërronte rrugë, të rikthehej në vendet e lulëzuara, ku mund ta vijonte qetësisht jetën meshtarake e aq më pak t’ia mbathte këmbëve nga një vend që kishte nisur të ushqehej me bijtë e vet.
Për këto krime, e arrestuan. Akuzat e vetme “Prift katolik” e “spiun i Vatikanit”. Dënimi, me vdekje. Pushkatimi, më 24 janar 1947. I vetmi shpërblim i jetës së tij, shkrirë për Zotin dhe njerëzit e kombit të vet, të cilët i pati lënë ende i njomë, për t’i shërbyer Zotit e shqiptarit.
 
 
 
Pas 45 vjetësh, u gjetën eshtrat dhe u sollën në qytetin e lindjes ku u rivarrosën në Rrëmaj, pranë eshtrave të familjarëve të vdekur, në maj të vitit 1992.
Trupi i tij u zhvarros prej varrezave katolike të Shkodrës me rastin e Lumnimit më 5 nëntor 2016. Papa Françesku e shpalli të Lum, bashkë me 38 martirët shqiptarë në Sheshin e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, gjatë një kremtimi solemn e historik për Kishën katolike shqiptare.