INSTAT: TVSH nxjerr të papunë 16 mijë dhe rrezikon të tjerë

471

Vetëpunësimi në Shqipëri duket se ka filluar të tkurret, duke reflektuar konsumin e dobët, që sipas INSTAT rritet mesatarisht vetëm 2-3% në vit, por edhe ndryshimin e modelit ekonomik në tregtinë me pakicë, (ku mbizotërojnë të vetëpunësuarit), teksa pesha e qendrave tregtare dhe zinxhirëve të supermarketeve sa vjen e rritet, duke konkuruar fort dyqanet e vogla.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, në anketën strukturore 2016, vetëpunësimi në Shqipëri krahasuar me një vit më parë është tkurrur me 13 për qind, apo gati 16 mijë persona në total, që kanë mbetur të papunë.
Rënia e fortë e tyre, një vit pas aksionit anti-informalitet (në 2015-n u formalizuan rreth 30 mijë biznese, kryesisht të vogla) tregon se subjektet e vogla nuk i kanë rezistuar formalizimit dhe kanë dalë sërish nga tregu.
Në total, në vend kishte 108.4 mijë të vetëpunësuar në 2016-n, duke përbërë 23% të të punësuarve në total. Pesha e vetëpunësimit, ka ardhur në ulje, nga rreth 28% që ishte në anketën e vitit të mëparshëm, megjithatë ajo mbetet ndër më të lartat në Europë, së bashku me Turqinë dhe Greqinë, sipas të dhënave nga Eurostat.
Të vetëpunësuarit në vend ndahen në dy kategori të mëdha, në prodhuesit e të mirave dhe në prodhuesit e shërbimeve. Rënien më të madhe në vlerë për sa i përket vetëpunësimit e ka pasur kategoria e prodhuesve të shërbimeve, konkretisht sektori i tregtisë.
Sektori i tretë më rënien më të lartë në kategorinë e prodhuesit të shërbimeve ishte sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me rreth 1900 të vetëpunësuar më pak.
Në kategorinë e prodhuesve të të mirave, në 2016-n kishte rreth 2000 të vetëpunësuar më pak. Sektori me rënien më të madhe të vetëpunësimit ishte ndërtimi. Në 2016-n, në sektor kishte rreth 1500 të vetëpunësuar më pak.
Në 1 prill pritet të hyjë në fuqi ulja e kufirit të regjistrimit të TVSH-së nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë. Në këtë mënyrë, edhe bizneset që kanë një qarkullim ditor minimal prej 5,500 lekë në ditë do të jenë të detyruar të futen në skemë. Përveçse do t’u rriten kost e mbajtjes së kontabilitetit, në rast se nuk do të arrijnë të transferojnë TVSH në në çmim (për shkak të konkurrencës), atëhere ata do të përballen me rënie të fitimeve. Shumë biznese kanë paralajmëruar se fitimet e tyre janë minimale dhe nuk do të arrijnë t’i mbijetojnë një rritjeje të kostove.
Sipas të dhënave zyrtare të financave e tatimeve janë rreth 9-10 mijë biznese që planifikohen të hyjnë në skemën e TVSH-së, nga rreth 60 mijë biznese në total, që janë jashtë kësaj skeme. Por, duke pasur parasysh kufirin e ulët prej 2 milionë lekësh, që nënkupton një qarkullim ditor prej rreth 5500 lekësh, një shumë minimale që realizohet nga pothuajse kushdo që ka një biznes, numri i të futurve në skemë mund të jetë më i madh, sidomos në sektorin e tregtisë.
Sipas INSTAT, vetëm në sektorin e tregtisë ka rreth 42 mijë ndërmarrje me 1-4 të punësuar.