Komisioni për rithemelimin e Partisë Demokratike ka reaguar këtë pasdite pas vendimit të PD-së zyrtare për të shkarkuar nga detyra funksionarë të saj, të cilët iu bashkuan kuvendit të 11 Dhjetorit.
Në këtë reagim, Komisioni bën me dije se nuk njeh asnjë vendim të këtyre personave, që sikurse i cilësojnë nuk përfaqësojnë më asgjë për PD-në.
Reagimi i plotë
Komisioni për rithemelimin e Partisë Demokratike vëren se në një kohë që ka nisur puna për rikthimin e Partisë tek vlerat demokratike, konservatore dhe idealet e dhjetorit 1990-tës, persona që përveç humbjes, nuk përfaqësojnë më asgjë në Partinë Demokratike vijojnë të përdorin simbolet godinën dhe disa anëtarë, me shpresën se do vazhdojnë pazaret ne kurriz te demokrateve.
Ju bëjmë me dije se më 4446 vota Kuvendi Kombëtar vendosi për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar dhe që prej ditës së djeshme ai ka humbur çdo funksion tjetër përveç atij të deputetit. Falenderojme shumicën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar që ju përgjigjen thirrjes së Komisionit të Rithemelimit për të bojkotuar tallavanë e deputetit Basha. Ashtu siç dhe e kemi theksuar mbledhja e sotshme është nul, e paligjshme dhe çdo produkt i dalë prej saj është në kundërshtim me frymën dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar si organi më lartë i Partisë Demokratike.
Kuvendi Kombëtar i datës 11 dhjetor me vullnetit e lirë të delegatëve ka miratuar statutin e ri e të Partisë Demokratike i cili është dokumenti themeltar mbi të cilin do të bazohet ringritja e Partisë Demokratike. Bëjmë me dije, se nga data 11 dhjetor, simbolet dhe logoja e Partisë Demokratike është rikthyer tek origjinali mbi të cilin u hartua para 31 viteve. Nga dje çdo dokument zyrtar i PD që mbart si logon e vjetër është i pavlefshëm. I kujtojmë anëtarëve të familjes sonë të përbashkët se, nisma për rithemelimin e Partisë Demokratike është lëvizja më pro amerikane, pro perëndimore dhe pro demokratike që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri pas dhjetorit 1990 pasi ne themel te saj qëndrojnë vota e lirë dhe respekti për statutin e PD si kontrata jone e përbashkët me çdo demokrat. Kurrë më ne PD nuk do te shiten dhe blihen mandatet e deputeteve! Nga sot e tutje ato do vendosen me transparence te plote nga vota e anëtarësisë së saj përmes primareve.
Nisma për rithemelimin e PD erdhi si domosdoshmëri pas veprimeve të dyshimta dhe korruptive me të cilat ish kryetari i dha oksigjen qeverisë Rama në tetë vite rresht.
Komisioni për Rithemelimin e Partisë Demokratike, vijon punën për referendumin e datës 18 dhjetor i cili me votën e antarësisë do te certifikoje përfundimisht ndarjen nga humbësi i stazhonuar dhe do ti hapë rrugën një procesi të ndershëm sipas parimit një antar një votë për zgjedhjen e kryetarit të ri.
I ftojmë të gjithë anëtarët e familjes sonë të madhe të punojmë për një Parti Demokratike më të fortë, më të bashkuar dhe më demokratike.
Komisioni për Rithemelimin e PD