Zbulohet kuptimi i fjalës iPhone

Me siguri e keni pyetur veten se ç’kuptim ka “i” tek iPhone.

Shumë prej nësh kanë menduar se ka kuptimin “telefoni im”, por ja që Steve Jobs ka pasur qëllim tjetër.

Në vitin 1998 , kur u lançua kompjuteri iMac, Jobs tha se kompania ka për qëllim të ofrojë një pajisje që i lidh njerëzit me internet, kështu që “i” ka pasur qëllimin të tregojë se nga ky kompjuter njerëzit mund të lidhen me internet.

Jobs ishte më largpamës se kaq, “i” ka dhe kuptime të tjera të fshehura, siç janë “individual”, “instruct-udhëzim”, “inform-informim” dhe “inspire-inspirim”

Gjesti fisnik i kuqezinjve për fëmijët jetimë në Durrës.

Nesër është 1 Qershori, dita e fëmijëve. Por jo të gjithë kanë mundësi të jenë krah prindërve të tyre. Për të sjellë sadopak gëzim në Shtëpinë e Foshnjes në Durrës, ekipi i kombëtares shqiptare të futbollit, i bënë një surprizë fëmijëve.
Jo vetëm dhuruan mjete të domosdoshme dhe në nevojë që kishte Shtëpia e Fëmijës në qytetin e Durrësit, por edhe kaluan momente argëtuese me fëmijët, duke u bërë njësh me ta teksa kërcenin muzikën me personazhet e preferuar të fëmijëve.

Trajneri Reja, së bashku me ndihmësit Bulku, Salihi, Porrini, dhe lojtarët Berisha, Mavraj, Hysaj, Lenjani, Cikalleshi dhe Roshi shpërndanë dhurata për të gjithë fëmijët.

Me kontributet e të gjithë lojtarëve ishin blerë disa pajisje elektro-shtëpiake që ndihmojnë sadopak në përmirësimin e kushteve për fëmijët e kësaj shtëpie.
Në një atmosfere festive lojtarët dhe stafi teknik iu bashkuan fëmijëve të cilët kishin përgatitur një festë për 1 Qershorin. Ishte shumë emocionuese dashuria e vogëlushëve kur u takuan me mysafirët e kësaj qendre.

“Është një lumturi e madhe të jepet mundësia të gëzosh fëmijën. Në këtë jetë që e kemi me vështirësi është një mundësi e mirë për të realizuar se për fare jetojmë. Fëmijët janë të ëmbël, por këto vajza që punojnë me këta fëmijë janë hero, është një arritje shumë e madhe të kemi edukatore të tilla si në këtë jetimore”, u shpreh futbollisti Mërgim Mavraj.

Në pemën e dëshirave, fëmijët vendosën edhe ëndrrat e tyre, atë se çfarë dëshirojnë të bëhen kur të rriten. Policë, shoferë dhe nuk mund të mungonin as futbollistët e së ardhmes.

Magjia e sodës dhe uthullës

Përbërësit magjikë që na ndihmojnë të mbajmë të pastra dhe të bardha atletet dhe kepucët i kemi në kuzhinën tonë.
Tashmë uthulla dhe soda bikarbonad do të na shpëtojë nga hezitimi për ti blerë atletet e bardha.

Mjafton përzierja e tyre deri sa të formohet një masë shkumuese dhe vetia e fuqishme antibakteriale vepron menjëherë.

Produktet që nevojiten:

-Gjysmë filxhani uthull (125 ml)

-Gjysmë filxhani sode buke (60 gramë)

-Një furçë dhëmbësh

Zbulohet një planet i ri

Astronomët thonë se kanë gjetur një planet të ri gati tri herë më të madh se Toka.

Studimi i botuar të mërkurën në Revistën mbretërore Astronomike tregon se trupi qiellor “NGTS-4b” është i ngjashëm me Neptunin dhe e kanë pagëzuar tashmë me emrin “Planeti i ndaluar”.

Eksoplaneti, i quajtur kështu për shkak se ekziston jashtë sistemit tonë diellor, u zbulua në shkretëtirën neptuniane. Kjo zonë merr një nxehtësi dhe rrezatim aq të fortë, saqë fillimisht ishte menduar se planetet aty nuk do të ishin në gjendje ta ruanin atmosferën e tyre të gaztë.

“NGTS-4b” ka arritur ta bëjë këtë, ndaj ju vu pseudonimi “i ndaluari”. Ky planet është shumë afër yllit të vet, të cilin e orbiton çdo 1.3 ditë. “Pra, një vit në këtë planet është vetëm 1.3 ditë”, tha Daniel Bayliss, nga Universiteti i Warwick-ut.

“Kur ndodhesh aq pranë një ylli merr rrezatim të mjaftueshëm sa për t’i fshirë shtresat e atmosferës së një planeti të përmasave të Neptunit. Ne mendojmë se temperatura atje mund të jetë ndoshta rreth 1.000 gradë Celsius”, vazhdon eksperti. “NGTS-4b” është 920 vite-dritë larg planetit tonë.

Ngadalësimi i ekonomisë, tkurret kredia

Kredia për ekonominë u tkurr sërish gjatë muajit prill, duke rënë në rreth 545 miliardë lekë, pas një nisjeje pozitive të vitit. Një tkurrje e lehtë në krahasim me një muaj më parë u regjistrua si për segmentin e biznesit, ashtu edhe për individët.

Bizneset duket se po hezitojnë për të zgjeruar veprimtarinë e tyre gjatë kësaj periudhe, çka shoqërohet me tkurrjen e huave për blerje pajisjesh.

Ndërsa edhe individët janë më të pasigurt për të kryer investime afatgjata, çka reflektohet në rënien e kredive për shtëpi dhe zhvendosjen drejt konsumit.

Nga ana tjetër, depozitat figurojnë në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Paraja që fle” dhe që nuk investohet në ekonomi, arriti në 998 miliardë lekë në fund të Prillit, teksa raporti i depozitave në euro kundrejt atyre në lek është rritur.

Kërkesa e Holandës, dështim dhe turp për qeverinë “Rama”

Holanda dorëzoi zyrtarisht në Bruksel kërkesën për rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptarë.

Ky akt cënon rëndë lirinë dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën Schengen, ndaj QEVERIA SHQIPTARE DUHET TË ULË KOKËN DHE T’I KËRKOJË FALJE ÇDO SHQIPTARI dhe të pranojë papërgjegjshmërinë e saj të plotë.

Holanda, një ndër vendet më promotore dhe mbështetëse për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët në hapësirën Schengen, detyrohet të ngrejë një gardh tashmë të rrëzuar një dekadë më parë.

Kjo e bën këtë moment të jetë një humbje edhe më e madhe për shqiptarët të cilët nuk po penalizohen aspak për aspiratat e tyre evropiane por prej fajeve dhe mëkateve të Tiranës zyrtare.

Ky është një hap pas për integrimin e vendit dhe për ëndrrat e lira të shqiptarëve të cilët sot ndihen më larg sesa kurrë destinacionit evropian.

Shqiptarët janë evropianë me mendje dhe zemër por papërgjegjshmëria qeveritare po i skllavëron gjithnjë e më shumë.

I bëj apel qeverisë të ulë kokën e t’i kërkojë falje çdo shqiptari dhe plot turp duhet

TË PRANOJË DËSHTIMIN.

TURP!

Nga Vangjel Tavo. Ish-deputet i LSI

Zbuloni sekretin e lumturisë!

Lumturia është një ndër ndjesitë më të kërkuara dhe të dëshiruara nga të gjithë. Lumturia varion dhe të gjithë mund t’i japim një kuptim të ndryshëm, disa psikologë kanë dalë në përfundimin se lumturia gjendet tek gjërat e vogla.

Duhet të keni parasysh se ekzistojnë gjëra të vogla të cilat kanë një ndikim të madh dhe të pazëvendësueshëm në lumturinë e secilit nga ne.

Më poshtë ju do të lexoni disa xheste të cilat ju ndihmojnë për të qenë sa më të mirinformuar dhe larg çdo sfide për të humbur lumturinë.

Kërcimi lakuriq përpara pasqyrës (edhe një muzikë e mirë në sfond do të ndihmonte shumë).


Të flirtosh me të panjohur në transportin publik (jep motivim për gjithë ditën!)
Kur merr një çmim dhe jep falënderimet përkatëse (thonë se fiton më shumë lumturi se sa kur fiton çmimin)


Kur pastron veshët (kënaqësia e pajisjes që ju ndihmon të pastroni veshët ndodh që t’ju japë edhe orgazëm)
Gjestet si të njerëzve që mund të bëjnë kafshët tuaja shtëpiake.


Kur kalon të gjithë fundjavën me pizhama dhe pica (po duhet provuar!)
Kur sapo ke dalë nga një vend ku trajtohen flokët, fytyra apo trupi.

Ambasada e SHBA porosit qytetarët amerikanë për protestën e 2 qershorit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dy ditë para protestës së opozitës ka porositur qytetarët e saj që jetojnë në vendin tonë që të shmangin lëvizjen në zonat ku do të protestohet.

“Një protestë e madhe pritet të zhvillohet pranë Zyrës së Kryeministrit më 2 qershor 2019, duke filluar rreth orës 7:00 të mëngjesit.

Grupi synon të demonstrojë kundër qeverisë shqiptare dhe mund të lëvizë në vende të ndryshme në Tiranë. Kohëzgjatja e demonstratës së pritshme është e panjohur.

Protestat e kohëve të fundit kanë përfshirë dhunën. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat”.

Gjithashtu në porosinë e saj personeli i Ambasadës së SHBA-së dhe anëtarët e familjes janë porositur të shmangin të gjitha pikat e grumbullimit dhe vendet ku protestat zhvillohen.

S’ka zgjedhje pa opozitën

Një ditë përpara nisjes së fushatës elektorale nga socialistët, krerët e partive opozitare, aleate më PD, kanë dalë me një qëndrim të unifikuar se nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën.

Vangjel Dule: Më 30 qershor zgjedhje nuk duhet, nuk mund dhe nuk do të ketë, por kjo nuk mjafton. Duhet të jemi të gjithë, si sot, më shumë nesër, me qëllim jo vetëm të mos realizohen zgjedhje në 30 qershor, por kur të realizohen ato në vjeshtë, zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje për pushtetin vendor, pasi të jetë ngritur një qeveri tranzitore, duhet të jenë zgjedhje me një mesazh të fuqishëm, se Shqipëria nuk do t’i kthehet më asnjëherë praktikave totalitare, të një qeverisje që pretendon se është zgjedhur në mënyrë demokratike.

Agron Duka: Kryeministri, ata që janë në Parlament sot, i anatemon, i quan zëvendësues të Partisë Demokratike. Ata, të paktën në këto momente, përderisa mendojnë se zgjedhje me një parti nuk mund të ketë, duhet të bojkotojnë Parlamentin. Ne marrim përsipër, që sëbashku, e gjithë politika të dakordësohet, të ketë vullnet pozitiv, të shkëputet nga krimi përfundimisht, dhe kjo bëhet vetëm nëpërmjet një qeverie kalimtare e cila kërkon një kohë të caktuar, nuk mund të bëhet as për një javë, as për dy javë, as për një muaj dhe as për dy muaj por ndoshta do të kërkojë një periudhë 5-6 mujore.

Fatmir Mediu: Prandaj, kemi propozuar një sistem proporcional, kombëtar apo rajonal, me lista të hapura. Do të ishte një zhvillim pozitiv për politikën dhe kthimin e kushtetutshmërisë në Kuvendin e Shqipërisë.

Aleatët e PD u kanë bërë thirrje qytetareve që ti bashkohen protestës me 2 qershor.

Nard Ndoka: Mijëra qytetarëve që kanë protestuar në Tiranë. Askush nuk është sprapsur, ka pasur rritje të qytetarëve që e kuptojnë se ky është mesazhi më i fort që i jepet politikës shqiptare në tërësi, dhe ju bëj thirrje që në 2 qershor të jemi të gjithë sëbashku, për të protestuar, për të sensibilizuar. Jo vetëm qytetarët shqiptarë dhe faktorin ndërkombëtar, por të japim shpresë për çdo njeri. Edhe për ata socialistë që e shohin me shqetësim lajthitjen e kryetarit të tyre politik.

Dashamir Shehi: Ai zotëria po tenton me një parti, ne do t’i themi ‘nuk do të lejojmë’, kjo është e drejta jonë. Kemi mundësi të kemi pluralizëm, po qemë të zotët ia arrijmë, po na thyen, bravo ju qoftë, do t’i durojmë pastaj, do të ulim kokën e të rrimë. Unë ju falenderoj se jam i sigurt që Shkodra s’ka ndërmend ta ulë kokën.

Deklaratat Shehi, Ndoka, Mediu, Dule dhe Duka i bënë gjatë një bashkëbisedim me simpatizantë në Shkodër.

“Vizat për Shqipërinë”, ambasada e Holandës: Vlerësimin e jep KE

Ambasada e Holandës në Tiranë ka reaguar pas letrës që qeveria Hollandeze i ka dërguar Komisionit Europian këtë të premte.

Përmes kësaj letre Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.

Në deklaratën e ambasadës thuhet ndër të tjera se komisoni do të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi”- ben me dije Ambasada e Holandes ne vendin tone.

Parlamenti Hollandez i kërkoi Qeverisë hollandeze në datën 16 Prill të aktivizonte mekanzimin e pezullimit të vizave për Shqipërinë për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar.

Për ta ekzekutuar këtë mocion, qeveria Hollandeze i dërgoi një letër njoftuese Komisionit Europian në datën 31 Maj.
Në këtë letër, Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.


Hollanda e vlerëson bashkëpunimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Të dyja vendet po punojnë në fuqizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Në vijim të letrës njoftuese, Komisioni Europian do të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim. Komisoni do të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi.


Deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pashaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.