Emigrimi…

914

Emigrimi…

Sa shumë dhemb kjo fjalë, sidomos për nënat që detyrohen ti percjellin fëmijët e tyre me lot në sy. Ti kenë me mijera kilometra larg, të rrinë pa gjumë në sy, muaj me rradhë e ndoshta vite pa i parë e pa i përqafuar bijtë e tyre pasi kurbeti i mallkuar i mban larg.

Kanë të drejtë të qajnë e të ulërasin fort sepse nuk munden t’ua plotësonin fëmijeve të tyre dëshirat e ëndërrat, ose ndoshta një pjesë e vogël e tyre ua kanë plotësuar ama me sakrifica të jashtëzakonshme e me dhimbje në shpirt.

Më thuaj ti, ti që po lexon këto rreshta, sa të lehtë apo të vështirë e pate të realizoje ënderrat e tua në Shqipëri? Më thuaj a e pate të lehtë të largoheshe nga vendi yt, të lije familjen, shoqriënë, të dashurën/in, fëmijët, bashkëshorten/in, ëndërrat përgjysëm e të filloje nga e para, një jetë tjetër larg nga gjithçka, të mos kishe ndihmë nga askush,të mësoje të flijse një gjuhë tjetër,të ndryshoje stil jetese e të bëje gjithçka vetëm.

Dhemb kur mendon se në vendin tënd nuk munde të japësh frytet e tua edhe pse u përpoqe pafund, askush nuk ta dha mundësinë të jesh vetvetja, të thuash mendimin tënd sepse sipër teje qëndron dikush më i madh se ti që nuk ta lejon një gjë të tillë, sepse ti prek interesat e tij. Punove fort ama askush nuk ta respektoi apo vlerësoi punën, dëshirën, përkushtimin e dashurinë që pate për të, por ta vlerësoi me një shumë qesharake që në vendet ku pjesa më e madhe e të rinjëve shqiptarë kanë emiguar vetëm një drekë apo darkë familjare kushton aq sa rroga jote mujore në Shqipëri. Sa qesharake, apo jo?

Sa ironike njëkohësisht. Lexojmë shpesh në portale, gazeta dhe dëgjojmë në media që të rinjtë, truri i vendit po ikën drejt shteteve të europës,vendeve që të ofrojnë mundësi më të mëdha, ekonomi më të mirë, një jetë më të mirë e më të sigurtë,shkollim më cilësor, shërbim mjekësor e gjithçka që në vendin tënd nuk e more dot, për arsye që të gjithë ne i dimë shumë mirë, ama mesa duket nuk kemi rrugëzgjidhje të mirëfilltë për aq kohë sa shteti dhe organet e tij përkatëse nuk fuksionojnë ashtu siç duhet sipas rregullave dhe ligjeve. Por jo të gjitha fajet i kanë organet shtetërore, fajin më të madh e kemi ne,çdonjëri nga ne, sepse ndryshimi duhet të fillojë tek gjithsecili prej nesh dhe më pas mund të bëhen ndyshime the rrotacione të mëdha dhe krijohet historia e ndryshimit të një shteti.Përndryshe do mbesim pikë së pari peng i vetes tonë dhe më pas i politikës.

Nga Desilda ZEFI