Bashkëshortja e kryeministrit Rama jep dorëheqjen nga organet drejtuese të ‘ABI Bank’.

Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama ka dhënë dorëheqjen nga posti që ajo mbante në “ABI Bank”. Dorëheqja si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës është dhënë në datë 26 dhjetor të vitit të kaluar dhe është miratuar nga Asambleja e bankës. Së bashku me Linda Ramën është larguar edhe anëtari tjetër i këshillit, Richard Steele Lukaj.
Vendimi është publikuar në datë 9 janar nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Bashkëshortja e kreut të qeverisë shqiptare e ka mbajtur postin e anëtares së Këshillit në “ABI Bank” prej tre vitesh. Ndërkohë që në herë pas here gruaja e kryeministrit ka qenë në qendër të akuzave nga opozita per postin qe mbante.

Ndalohet stomatologu, futi celular në burgun e Peqinit

Stomatologu i burgut të Peqinit, shtetasi Alfri Kulla, 50 vjeç, është ndaluar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje pasi akuzohet se ka futur një celular në ambientet e burgut.

Në njoftim thuhet se në datë 17 janar 2019 në ambientet e përbashkëta (tualete) të njërit nga sektorët e IEVP Peqin, është gjetur i fshehur një telefon celular.

Pasi janë kryer veprimet hetimore, SHKBB i ka referuar materialet në prokurorinë e rrethit Gjyqësor Elbasan. Nga hetimi i çështjes ka rezultuar se futja e këtij celulari në ambientet e brendshme të burgut është bërë nga stomatologu i institucionit, Alfri Kulla.

Akuzat për refuzim të vizës për Berishën, reagon ambasada amerikane

Kryeministri Edi Rama është përplasur me paraardhësin e tij Sali Berisha, gjatë seancës së sotme në Kuvend. Akuzave të Berishës për përfshirjen e bashkëshortes së Kryeministrit si aksionere në një bankë të nivelit të dytë, Rama iu kundërpërgjigj duke nënkuptuar se Berisha nuk mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri Edi Rama akuzoi Sali Berishën se i është refuzuar viza amerikane dhe se nuk mund të “kalojë Atlantikun”, siç u shpreh ai. Ndërkohë që Berisha tha se pavarësisht ftesave të marra, nuk ka preferuar të udhëtojë më për në SHBA që kur nuk mban më asnjë post, përveç atij të deputetit.

A2 CNN pyeti në ambasadën e Shteteve të Bashkuara për rastin, por zyra e shtypit tha se nuk diskuiton raste specifike vizash.

Jashtë sallës së Kuvendit, vetë Berisha refuzoi çdo pretendim për refuzim të vizës amerikane

Paradoksi! Sigurojmë makinat, por jo jetën dhe shëndetin!

Shqiptarët sigurojnë makinat, por jo shëndetin dhe jetën. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se gjatë vitit 2018, primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, ose ndryshe sigurimi i automjeteve që është i detyrueshëm me ligj arritën në rreth 10.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7.6% kundrejt një viti më parë.

Aktualisht, sigurimi i automjeteve zë edhe 63.38% të tregut të sigurimeve, ndërkohë që sigurimet vullnetare janë në rënie.

Sipas të dhënave, primet e sigurimit vullnetar arritën në rreth 6.1 miliardë lekë, ose 0.62% më pak se në vitin 2017. Rënia më e fortë tek sigurimet vullnetare vihet re te sigurimi i aksidenteve dhe shëndetit, si dhe te sigurimet e jetës.

Sigurimet vullnetare përbëjnë aktualisht 31.62% të tregut të sigurimeve, ku sigurimi i pronës zë 18.13% dhe pjesa tjetër përbëhet nga sigurimi i jetës dhe shëndetit.

Mungesë kulture, por edhe të ardhura të pakta. Kombinimi i këtyre dy faktorëve po e mban tregun e sigurimeve në nivele ende embrionale në Shqipëri.

11 automjete përfshihen në një aksident | FOTO

Një aksident në të cilin janë përfshirë 11 automjete, ka ndodhur në qytetin e Vlorës pak minuta pas mesnate.

Automjeti tip Benz, i cili drejtohej nga Kreshnik Lilaj, pasi ka humbur kontrollin, është përplasur me 10 automjete të tjera të cilat kanë qenë të parkuara.

Aktualisht drejtuesi i automjetit ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe.

Paloka: Kam shitur një apartament në Shëngjin, për deklarimin kam ende afat.

Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka pranuar se i ka shitur një apartament familjes Vocaj nga Lezha të cilëve iu sekuestrua pasuria 5.5 mln euro të dhuruara nga manjati suedez, Sten Ake Lindholm, pronar i rrjeti supermarketesh (Lexo këtu). Paloka sqaron se është vetëm një apartament me vlerë 87.5 mln lekë dhe jo dy siç është raportuar në media. Sa i takon mosdeklarimit të shitjes së apartamentit, Paloka thotë se sipas ligjit ai ka afat ta bëjë një gjë të tillë deri në datnë 31 mars 2019.
“Po kam pasur një apartament në Shëngjin dhe e kam shitur. Kam pasur vetëm një dhe jo dy, pasi jepet shuma në lekë dhe euro për të krijuar idenë se janë dy. Jo është vetëm një apartament në Shëngjin të cilin e kam deklaruar kur e kam blerë dhe e kam shitur”, tha Paloka. I pyetur për deklarimin e kësaj shitje dhe akuzat për fshehje, Paloka thotë se “shitja është bërë në vitin 2018 dhe sipas ligjit deklarimi i pasurisë ka afat deri në 31 mars të 2019, me deklaratën do jetë edhe veprimi i cili është ligjor për një pronë që unë e kam shitur”.

Reshjet e shiut dhe borës kthejnë problematikën e rrugëve në disa zona të vendit

Autoriteti rrugor shqiptar ka dhënë informacion mbi gjendjen e akseve kryesore të vendit.

ARRSH sqaron se të gjithë kontraktorët kanë qenë dhe janë në gatishmëri, sepse sipas parashikimit të situatës meteorologjike këtë të enjte priten reshje në të gjithë vendin.

Në Rajonin Jugor Gjirokastër:
Në Qarkun e Korçës, rreth orës 4 të mëngjesit kanë filluar reshje bore me intensitet. Trashësia e borës shkon 5-15 cm. Po punohet pa ndërprerje nga kontraktorët e mirëmbajtjes për pastrimin e akseve.
Në Qarkun Gjirokastër qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset. Vetëm në pjesën fundore të rrugës Erind-Çajup, rreth 5 km, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.
Në Qarkun e Korçës qarkullohet me zinxhir në:
K/Boboshticë-Dardhë
Voskop-Voskopojë
Qafë Qarri-Ersekë, zona e Qafës së Qarrit

Në Rajonin Qendror Tiranë:
Ka reshje shiu në të gjithë Rajonin. Në lartësi ka pasur reshje bore, si në Sarisalltik, Qafë Priskë, Gjinar, Steblevë.
Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve vetëm në pjesën fundore të rrugës Krujë-Sarisalltik.

Në Rajonin Verior Shkodër:
Gjatë natës ka pasur reshje shiu në të gjithë rajonin dhe në lartësi ka pasur reshje bore. Kontraktorët kanë vazhduar punën për pastrimin e akseve dhe po mbajnë në monitorim të vazhdueshëm segmentet ku ka prezencë ngricash.
Qarkullohet me zinxhir, ose pjesërisht me zinxhir në rrugët:

Rekomandohen përdoruesit e rrugës, të bëjnë kujdes në lëvizje, sidomos gjatë orëve te para te mëngjesit dhe gjatë natës për shkak të lagështisë në rrugë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Horoskopi për ditën e enjte, 31 janar 2019!

Dashi

Të lindurit e kësaj shenje do të përballen me disa vështirësi, të cilat do të jenë të shtrira në të gjithë sektorët. Megjithatë në sferën sentimentale parashikohet një përmirësim i lehtë.

Demi

Do të jetoni një ditë të komplikuar, sidomos sa i takon ndjenjave dhe çështjeve familjare. Do të ndjeni nevojën për të mbajtur nën kontroll nevojat tuaja ekonomike.

Binjakët

Do të jetoni një ditë pozitive në total, me përjashtim të disa problematikave nga persona të tretë. Me familjen dhe partnerin/en do të jetoni marrëdhënie mjaft intensive.

Gaforrja

Do të përjetoni një periudhë tejet stresuese nga pikëpamja profesionale. Po ashtu edhe në sferën e ndjenjave do të vini në dyshim besimin ndaj personit tuaj të zemrës.

Luani

Do të ndjeni nevojën për më shumë konfirmime gjatë kësaj dite, si nga ana profesionale, familjare edhe sentimentale. Megjithatë do vazhdojnë të jenë prezente disa problematika lidhur me të kaluarën.

Virgjëresha

Do të përballeni me momente kritike gjatë kësaj dite. Do të mundoheni fort për të rigjetur qetësinë dhe harmoninë, mes jetës profesionale dhe asaj sentimentale.

Peshorja

Do të jeni në kërkim të një zgjidhjeje e cila do të kritikohet mjaft dhe ka të bëjë kryesisht me sektorin profesional. Edhe në fushën e ndjenjave parashikohen disa situata problematike.

Akrepi

Do të përballeni me mundësi të reja gjatë kësaj dite, si për sa i takon sferës profesionale edhe asaj sentimentale. Duhet të mundoheni që të angazhoheni më shumë lidhur me projekte që kanë të bëjnë me të ardhmen.

Shigjetari

Të lindurit e kësaj shenje do të tregohen mjaft fleksibël gjatë kësaj periudhe. Megjithatë do të përballen me disa vështirësi që kanë të bëjnë me sferën profesionale dhe sentimentale, të cilat do të kërkojnë zgjidhje.

Bricjapi

Parashikohet një periudhë mjaft pozitive dhe me fat në çdo drejtim, si për sa i takon jetës profesionale edhe asaj sentimentale. Do të arrini që të zgjidhni probleme që kanë të bëjnë me të kaluarën.

Ujori

Do të ndjeni nevojën për tu rikthyer në lojë gjatë kësaj dite, sa i takon sferës sentimentale. Do të arrini që të rikuperoni gjithë energjinë e humbur gjatë javëve të fundit.

Peshqit

Të lindurit e kësaj shenje do të ndjejnë nevojën për të rigjetur qetësinë gjatë kësaj periudhe. Kjo gjë vlen sidomos sa i takon jetës sentimentale, ku do t’iu duhet të plotësoni çdo nevojë që e keni shtyrë.

Moti për ditën e enjte, 31 janar 2019!

Masat ajrore të paqëndrueshme do të diktojnë kushtet e motit, duke bërë që kthjellime dhe vranësira të shpeshta të dominojnë deri në mesditë në të gjithë territorin, më të dendura paraqiten në zonat Lindore.

Pasditja dhe nata sjellin përmirësim të situatës atmosferike, ku kthjellimet dhe vranësirat mbeten prezent, por pa rrezikuar reshje.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të ulen lehtë duke luhatur vlerat ditore nga -3°C mëngjesi në zonat malore deri në 13°C mesdita në bregdet.

Era do fryjë mesatare në tokë deri e fortë në det me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi Jugperëndimor duke krijuar në det dallgëzim 4 ballë.