Ëndërrojmë Amerikën pa ditur çmimin. Rrëfimi prekës i emigrantes së kthyer pas 20 vitesh. Atje isha e kënaqur, këtu jam e lumtur..

Pas 20 vjet emigrimi, diç kam mësuar për dhimbjet e shpirtit nga vetmia dhe çrrënjosja. Shqiptarët ëndërrojnë Amerikën, pa ditur çmimin emocional, shëndetsor, familjar, profesional e shoqëror që duhet paguar për komoditetin ekonomik.

Në 4-5 vjet, pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë blejnë shtëpi e makina, fëmijët mësojnë në shkolla të mira ku ambicja e trashëguar nga prindët, dalë nga një vend pa mundësi, i nxjerr në krye të klasës.

Nëse ke qenë profesionist në Shqipëri, synon të arrish të paktën në po atë nivel, por kjo kërkon përpjekje titanike që shpejt kthehen në stres. Mundësite të joshin të punosh më shumë, hyn në borxh që të blesh me të mirën, por e mira s’ka fund, dhe njeriu e gjen veten në qerthull ku harron të ushqejë shpirtin e vet.

Ardhur nga një vend ku si terapist shërben komshija, kushëriri, shoqja e punës apo e shkollës, emigranti shqiptar ndodhet në boshllëk – nuk gjen njeri të zbrazet, nuk gjen njeri ta mbushë.

Dhimbjet e shpirtit kthehen në sëmundje, stresi paralizon muskujt, sh.katërron trupin, fillojnë ilaçet që ndreqin një gjë e prishin dy, por ti vazhdon të vraposh, derisa ngec e jeta merr tatëpjetë…

Familjen e kisha aty me rrënjë e degë, por më mungonte shoqëria, gjuha e folur në rrugë, peisazhi. Nënvetëdija kish shtresëzuar nevojën për të parë malet, kodrat, lumin, por mungesa fatale qe Deti.

Ju ka ndodhur që, një herë në ca vjet, të shihni të njëjtën ëndërr makthi? Imja qe kjo: shkoja në Sarandë për dy javë, me qejfin që “do kënaqem në det!” Por vinte dita e fundit dhe s’kisha mundur të kridhesha as edhe një herë në ujë.

Nga ballkoni i motrës sime shihja një copëz blu, bluu, bluuu… “Obobo, nesër do iki!” Zgjohesha e tronditur, me faqe të lagura – kisha qarë në gjumë.

Mendjen e kisha të mbledhur, ndoshta, ndoshta kthehesha në Shqipëri pas pensionit. Fëmijët kishin dalë në jetë, qe koha ta merrnim shtruar e të gëzonim të mirat e punës në atë vend të begatë, por njeriu kurrë nuk e di si i vijnë kartërat në jetë.

Vendimin për t’u kthyer e mori im shoq. Erdha këmbëzvarrë e me kokën pas, por u befasova nga energjia, mundësitë e shumta për biznes, ngrohtësia e njerëzve këtu. “Erdhe, mirëseerdhe, sa do rrish?” “Përgjithmonë!”

Në fytyrë shfaqet mosbesimi, pastaj kënaqësia “kjo që rri, diçka di.” Pasi kalon entuziazmi i parë, zënë e fusin hundët në punët e tua, nisin ankesat pafund… ti bie në tokë e zë të ndjesh dëshpërimin e thellë të shoqërisë shqiptare.

“Ka marrë fund, nuk ka më shpresë këtu” – është refreni që dëgjoj përditë. Në qytetin tim ka mundësi të jashtëzakonshme, por të papunët nuk i shohin – rrinë në kafene dhe përsërisin: “ky vend nuk bëhet!”

S’i pengon askush të pastrojnë rrugicën para shtëpisë, të mbjellin lule e pemë midis pallateve, të lyejnë murin a shkallët, të punojnë apartamentet bosh të komshinjve që kanë ikur, të lidhen me fshatarët për të sjellë prodhimet e tyre në qytet, të organizojnë një kor apo një eskursion me fëmijët e mëhallës, të ndihmojnë dikë në hall, por jo – janë tepër të zënë me telenovelat, fejsbukun, filxhanin e kafesë nën shtëllungat e duhanit…

Në Sarandë vijnë të huaj me trumba, shesin shtëpitë në vendet e tyre dhe bum! blejnë apartamente e hapin biznese – kurse ne e kemi mendjen të ikim, të ikim një orë e më parë!

Në arrati shkërmoqim familjen, lëmë pas prindër që plaken të vetmuar, fëmijë që nuk ndjejnë përkëdheljen e gjyshërve, ëndërra profesionale të paarrira, e pëlhura e shpirtit dobësohet fill pas filli…

Nga një studim mbi faktorët që përcaktojnë jetëgjatësinë e njeriut, del se njëshi është komuniteti, jeta e rrugës; 2. familja dhe miqtë e ngushtë 7. duhani.

Emigranti ka 7 herë më shumë gjasa të v.desë nga vetmia, se sa nga pirja e duhanit. Keni dëgjuar ndonjë fushatë kunder emigracionit? Shihni filmin dokumentar “Babushkat e Çe.rnobilit” (https://thebabushkasofch.ernobyl.com/) – pas ka.tastrofës nu.kleare në Çe.rnobil, banorët u shpërngulën përfare në Moskë. Zona u rrethua me tela, por disa të moshuar u kthyen fshehurazi në shtëpitë e tyre, ku zunë të jetonin me prodhimet e tokës që mbartte v.dekjen.

Doli fjala e u nis një ekip (me kokë ne trastë) që të vëzhgonte se si ishte e mundur jeta në një vend të tillë. Studimi konkludoi se v.dekshmëria e të moshuarve të shpërngulur në Moskë ishte 10 herë më e madhe se vd.ekshmëria e babushkave të kthyera në zonën e vd.ekjes. Punët e shpirtit….

Pas 20 muajsh këtu, jam e vetëdijshme për plagët e thella të shoqërisë shqiptare, e kuptoj sa e vështirë është të rrisësh fëmijë e të ngresh profesion në një vend ku qeveria punon vetëm për xhepin e vet, duke shkatërruar mundësitë për njeriun që ka nevojë e qejf të punojë.

Por bota ka ndryshuar: në perëndim emigrantet nuk i pret më njeri krahëhapur, vetë perëndimoret nuk po gjejnë rehat (miqtë e mi të rinj Shawn Simons and Kyle Drevlo shitën gjithshka kishin në Kaliforni dhe po ndërtojnë një fermë në Finiq; të shtunën pres Lucy Ivanoff që mbërrin në port vetëm me dy valixhe pasi shiti apartamentin në Washington D.C.; Natasha Wolf po i lan duart nga shtëpia në Long Island, ndërkaq që në mars e pret foleja e re në mëhallën time.)

Kemi fatin e madh të jetojmë në një vend me klimë, pasuri, ushqim, histori, inteligjencë emocionale etj, që i bën të huajt të mos mendohen dy herë e të ngulen këtu.

Shqipëria ka ecur përpara në disa drejtime, mbrapsht në disa të tjera, por teknologjia dhe media sociale na kanë hequr çdo justifikim për të humbur kohë.

Nëse bëjmë më të mirën që mundemi vetë, gjejmë e vlerësojmë më të zotët mes nesh dhe i nxjerrim në krye, mbështesim kurajon qytetare për t’u kërkuar llogari atyre që na udhëheqim, ndjej që shpresat janë reale.

Ditët i harxhoj me njerëz që thonë “këtu mund të bëjmë diçka” dhe, si dikush që i ka jetuar të dy realitetet, u them: “aty isha e kënaqur, këtu jam e lumtur.”

P.S: Njoh shumë emigrantë që nuk ndajnë të njëjtin mendim me mua dhe janë të lumtur në emigrim, por kjo është shkruar për ata që ndjehen si unë.

Nga Aneta Mihali Xhiku

Nga Tirana në “Camp Nou”!

Ish-futbollisti i Tiranës, Merveil Ndockyt, është transferuar në orët e fundit të merkatos nga skuadra e Getafes te Barcelona B.

Lajmi është konfirmuar nga skuadra e Barcelona B me anë të një postimi në “Twitter”, ku thuhet se lojtari është huazuar për 6 muajsh me të drejtë blerje.

Lojtari kongolez ka qenë pjesë e skuadrës bardheblu në Shqipëri, ndërsa në gushtin e 2017-ës bëri hapin e madh në karrierën e tij duke kaluar te Getafe, e ndërsa tashmë karriera e tij, të paktën për 6 muaj, do të vazhdojë te skuadra e dytë e Barcelonës.

Apple ndalon Facebook tek përdoruesit e iPhone, ja ç’ka ndodhur

Apple ka mbyllur aksesin e Facebook për të shpërndarë aplikacione të brendshme në iOS, nga njoftimet e hershme të aplikacionit Facebook në programet bazë si dhe në menu. Një person i njohur me situatën tregon për ‘The Verge’ se versionet e hershme të Facebook, Instagram, Messenger dhe aplikacionet e tjera kanë ndaluar së funksionuari, ashtu si edhe aplikacionet e tjera të punonjësve, si për transportin. Facebook po e trajton këtë si një problem kritik të brendshëm thuhet, pasi aplikacionet e prekura thjesht nuk hapen në telefonat e punonjësve të apple. Mbyllja vjen si përgjigje ndaj lajmeve që Facebook ka përdorur programin e Apple për shpërndarje të brendshme të aplikacioneve për të gjetur klientët adoleshentë me një aplikacion “kërkimor”.

Ky aplikacion VPN, i zbuluar dje nga TechCrunch, u shpërnda jashtë App Store duke përdorur programin e ndërmarrjes Apple, i cili u lejon përdoruesve të përdorin certifikata të veçanta për të instaluar aplikacione më të fuqishme në iPhone. Ato aplikacione duhet vetëm të përdoren nga punonjësit e një kompanie, megjithatë, dhe Facebook kishte shpërndarë aplikacionin e saj të ndjekjes për klientët. Facebook më vonë tha se do të mbyllë aplikacionin.

Historia e frikshme e Enkeledës: Burri më rrihte edhe në shtatzëni, fëmija im ka kaluar trauma

Enkeleda Seitaj është prej 9 vitesh e divorcuar dhe prej po aq kohësh edhe e dhunuar nga ish-bashkëshorti. Ajo është nëna e dy fëmijëve nga Patosi që tregon rastet e vazhdueshme të dhunës, ushtruar nga ish-burri i saj në periudha të ndryshme kohe. Rasti më i fundit, sipas saj, ka ndodhur vetëm përpra disa ditësh.

“Jam e divorcuar që në 2010. Para dy ditësh ai erdhi në gjendje të dehur, mori djalin i thashë nëse do ta takosh takoje, por djali nuk donte ngaqë ishte i dehur. Ai erdhi në kuzhinë dhe më godet mua, më tha do të vras ty dhe fëmijët. I vogli doli jashtë kërkonte ndihmë, ndërsa i madhi mori në telefon policinë. Atë e morën brenda 24 orëve. E nxorën dje dhe vazhdoi kërcënimet, s’kemi siguri për jetën fare”, thotë Enkeleda.

Edhe pse ka qenë prej vitesh e dhunuar, Enkeleda, për hir të djalit të madh, është detyruar që në vitin 2016 të bashkohet me burrin, me të cilin ngeli shtatëzënë edhe me djalin e dytë, por gjatë kësaj periudhe është detyruar të abortojë, dhe me forcë e guxim ka sjell në jetë fëmijën.

“Për hir të këtij fëmije u bashkova sërish me këtë burrë, me të gjitha të metat që kishte. Ngela shtatzënë me fëmijën tjetër. Ai donte ta hiqja, më godiste me mënyra të ndryshme, me karrige. Ik i thashë, o do dalësh ti nga kjo shtëpi, ose unë”,- vijoi ajo.

Punon si pastruese në një lokal, ku merr 3 mijë lekë të vjetra në ditë, ndërsa për shkak të situatës në të cilën ndodhet, shpesh ka treguar se fëmijët detyrohet t’i marrë edhe me vete pasi ndjehet e pambrojtur dhe në rrezik për jetën.

“Për hir të këtyre fëmijëve nuk e di se çfarë do bëhet. Unë i lutem shtetit të më japë ndihmën emenjëhershme për këta dy fëmijë. Fëmija im ka kaluar trauma, ka parë thikën, ka parë çdo gjë me sy. Unë vetë pastroj disa orë në ditë vallë a mund të jetojë me kaq pak një nënë”.

Enkeleda Seitaj bën apel për ndihmë, që të rrisë dhe edukojë dy djemtë, që më shumë se gjithkush vuajnë pasojat e divorcit dhe dhunës në familje.

Debati për bankën, jep dorëheqje bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama ka dhënë dorëheqjen nga organet drejtuese të “American Bank of Investment”, e njohur edhe si “ABI Bank”.

Dorëheqja e Linda Ramës nga Këshilli Mbikqyrës i bankës është bërë më datë 26 dhjetor të vitit të kaluar dhe është publikuar në datë 9 janar nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Po në të njëjtën datë, është larguar edhe anëtari tjetër i Këshillit, Richard Steele Lukaj.Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama ka qenë gjithmonë në qendër të akuzave të opozitës për pastrim parash dhe investime të dyshimta të oligarkëve rusë përmes kësaj banke. Akuzat kulmuan sot në seancën plenare ku degjeneruan edhe në fjalor banal.

Manastirliu: Analiza falas për depistimin e kancerit të qafës së mitrës

“Nis të zbatohet programi kombëtar për depistimin e kancerit të qafës së mitrës, me ofrimin e analizën falas për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, pranë qendrave shëndetësore në vend”. Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend.
Manastirliu theksoi se, ky program kombëtar, i miratuar nga Këshilli I Ministrave, është i rëndësishëm për parandalimin e një sëmundje vdekjeprurëse për gratë, siç është kanceri i qafës së mitrës.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Manastirliu u ndal edhe tek paketat shëndetësore falas, ku veçoi paketën më të re, atë të lenteve të syrit falas.
“Ju kursejmë qytetarëve shqiptarë, kryesisht të moshuarve, rreth 1.5 milion euro, me ofrimin falas të paketës së kataraktit, apo lenteve falas, nga e cila përfitojnë rreth 2200 qytetarë në vit”, tha Manastirliu.
Janë 8100 qytetarë që përfitojnë çdo vit nga paketat shëndetësore falas për kardiologjinë, kardiokirurgjinë, nefrologjinë, etj, në shërbimin publik dhe privat.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale theksoi gjatë fjalës së saj në Kuvend, se, me reformat e ndërmarra nga qeveria, janë 6 programe të mbrojtjes sociale, duke filluar nga programet në cash e deri te shërbimet sociale në territor, që sigurojnë një mbrojtje më të mirë për qytetarët në nevojë.

Përçahet opozita/ LSI “tradhton” PD-në, bëhet pjesë e mbledhjes së Këshillit Bashkiak

Dje dhe sot këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës deklaruan se nuk do bëheshin pjesë e mbledhjes së sotme. Por duket se ky ishte një vendim i njëanshëm dhe jo i gjithë opozitës.

Kjo pasi këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim u bën pjesë e mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak. Jo vetëm kaq, por ata edhe morën pjesë në votimin e disa prej vendimeve që ishin në rend të ditës.

4 bankat më të mëdha në Shqipëri nën hetim të thelluar.

Vendimi nr. 592, i datës 31.01.2019 ka vendosur të hapë procedurat për hetimin e sektorit bankar në Shqipëri për katër bankat më të mëdha që operojnë në vendin tonë.

Bankat nën hetim të thelluar janë: “Raiffeisen”, “Banka Kombëtare Tregtare”, Banka “Credins” dhe Banka “Intesa San Paolo”, i cili do të përfshijë të gjitha produktet dhe shërbimet që ofrojnë këto banka për të vlerësuar nëse ka sjellje antikonkurruese në kuptim të nenit 4 dhe 9 të Ligjit 9121/2003.

Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë. Periudha e hetimit të thelluar do të përfshijë periudhën nga 01.01.2016 deri në 31.12.2018.

Raporti i hetimit të thelluar duhet të paraqitet në Komisionin e Konkurrencës jo më vonë se 6 muaj nga hapja e hetimit të thelluar.

Në Komisionin e Konkurrencës marrin pjesë:

Znj. Juliana Latifi Kryetare
Z. Eduard Ypi Zv/Kryetar
Znj. Leida Matja Anëtar
Znj. Adriana Berberi Anëtar
Z. Helidon Bushati Anëtar

Konkurrenca ka hapur hetim ndaj katër bankave të mësipërme për periudhën 2016-2018 dhe dyshon se të katërta këto banka janë marrë vesh me njera-tjetrën duke:

-çuar drejt zeros interesat për depozitat;
-mbajtur të njëjta ose të ngjashme interesat për kreditë;
-aplikimin e interesave minimale, gati zero për llogaritë rrjedhëse në mënyrë të organizuar;
-rritur në mënyrë të njëtrajtshme dhe mbajtur më lartë se konkurrentët e tjerë në treg të komisioneve dhe penaliteteve ndaj klientëve;

Të gjithë këto sjellje kanë prishur konkurrencën në treg duke dëmtuar klientët dhe vetë sistemin bankar në vend sipas Komisionit të Konkurrencës, i cili pas hetimit do të dalë edhe me një konkluzion përfundimtar.

Sa lart shkon lidhja e kr*mit me politikën? Artan Hoxha e thotë hapur: Shikoni vetëm këtë element

I ftuar në “Top Talk” gazetari Artan Hoxha ka folur për aktualitetin në vend dhe për lidhjen e krimit me politikën.Ai ka treguar se sa lart shkojnë lidhjet e krimit me politikën, duke përmendur këtu edhe zgjedhjet.

Çfarë kontaktesh ka politika? A ka fije të politikës të lidhura me këtë lloj krimi të nivelit të lartë?

“Duke ditur se trafiku i kokainës sjell të ardhura të mëdha, bota e krimit ka një nevojë emergjente për t’i vënë këto parà në qarkullim. Por që ta bësh këtë duhet të kesh fijet e duhura, sepse ti lë gjurmë. Fijet e duhura mund t’i arrish vetëm duke pasur lidhje të forta në politikë dhe duke korruptuar sistemin. Kjo po diskutohet edhe ditët e fundit, përfshirja e botës së krimit në jetën politike. Bota e krimit ka dëshmuar jo sot, por tani sa vjen e fijet bëhen më të dukshme, që jo vetëm ka qenë e interesuar për lidhjet me politikën dhe ndikuar në politikë, por ka ndikuar që në shumë procese të devijojë atë që duhej të ishte në fakt realiteti në Shqipëri”, tha Hoxha.

Sa lart shkon lidhja?

“Mjafton të shohësh zgjedhjet. Ndërhyrja e grupeve kriminale në zgjedhje duke financuar, sepse ka grupe kriminale që financojnë të dyja palët njëkohësisht, ose nëse njëri grup financon njërën palë, rivali i tij automatikisht financon palën tjetër. Fillimisht politika ka menduar se do ta kontrollojë krimin dhe e ka thirrur ajo krimin për ta përdorur. Sot jemi në fazën që krimi është fuqizuar aq shumë dhe po tenton ta kontrollojë ai politikën. Nuk e ka bërë ende, por nëse do ta bëjë do të kemi një ndërhyrje nga jashtë. Ne jemi vend i vogël dhe aleatët po na monitorojnë”, tha Hoxha.

Zbulohet arsyeja e largimit të Alesia Bamit nga emisioni Stop.

Alesia Bami është padyshim një nga vajzat më të përfolura në showbizin shqiptar për shkak të formave të saj provokuese.

Prej disa kohësh ajo kishte zënë pozicionin e velinës në emisionin investigativ “Stop”. Mbrëmjen e djeshme një vajzë tjetër kishte zënë vendin e balerinës.

Ajo quhet Gloria Meshi dhe është konfirmuar se ka zënë vendin e Alesias.

Burime për “Iconstyle” ka zbuluar se në fakt një intervistë që ka dhënë së fundmi Alesia Bami në “TCH” në emisionin e moderatores Bieta Sulo është arsyeja e vërtetë e largimit.

Sipas tyre, Alesia ka thyer një nga rregullat kryesore të televizionit, për të kërkuar leje të posaçme përpara shfaqjes në një tjetër televizion.