Sa lart shkon lidhja e kr*mit me politikën? Artan Hoxha e thotë hapur: Shikoni vetëm këtë element

476

I ftuar në “Top Talk” gazetari Artan Hoxha ka folur për aktualitetin në vend dhe për lidhjen e krimit me politikën.Ai ka treguar se sa lart shkojnë lidhjet e krimit me politikën, duke përmendur këtu edhe zgjedhjet.

Çfarë kontaktesh ka politika? A ka fije të politikës të lidhura me këtë lloj krimi të nivelit të lartë?

“Duke ditur se trafiku i kokainës sjell të ardhura të mëdha, bota e krimit ka një nevojë emergjente për t’i vënë këto parà në qarkullim. Por që ta bësh këtë duhet të kesh fijet e duhura, sepse ti lë gjurmë. Fijet e duhura mund t’i arrish vetëm duke pasur lidhje të forta në politikë dhe duke korruptuar sistemin. Kjo po diskutohet edhe ditët e fundit, përfshirja e botës së krimit në jetën politike. Bota e krimit ka dëshmuar jo sot, por tani sa vjen e fijet bëhen më të dukshme, që jo vetëm ka qenë e interesuar për lidhjet me politikën dhe ndikuar në politikë, por ka ndikuar që në shumë procese të devijojë atë që duhej të ishte në fakt realiteti në Shqipëri”, tha Hoxha.

Sa lart shkon lidhja?

“Mjafton të shohësh zgjedhjet. Ndërhyrja e grupeve kriminale në zgjedhje duke financuar, sepse ka grupe kriminale që financojnë të dyja palët njëkohësisht, ose nëse njëri grup financon njërën palë, rivali i tij automatikisht financon palën tjetër. Fillimisht politika ka menduar se do ta kontrollojë krimin dhe e ka thirrur ajo krimin për ta përdorur. Sot jemi në fazën që krimi është fuqizuar aq shumë dhe po tenton ta kontrollojë ai politikën. Nuk e ka bërë ende, por nëse do ta bëjë do të kemi një ndërhyrje nga jashtë. Ne jemi vend i vogël dhe aleatët po na monitorojnë”, tha Hoxha.