Gjon Buzuku, Biografia

3558

Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare, shqipëruesi i një libri kishtar, që është quajtur „Meshari“” (1555), vepra letrare më e vjetër shqipe e botuar që është ruajtur deri sot. Ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit. Meshari përbëhej nga 110 fletë (220 faqe). Kopja e librit që ka arritur është e cunguar, përbëhet nga 94 fletë (188 faqe). Kësaj kopjeje i mungojnë 16 faqet e para, ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.

Duke qenë se Meshari është përkthim i teksteve të njohura liturgjike dhe pjesëve të Dhiatës së vjetër dhe Dhiatës së re, ai nuk është shumë i vështirë për t’u interpretuar, me gjithë ortografinë e ndërlikuar, gjuhën arkaike, gabimet e shumta të shtypit e mungesat e fjalëve. Të 188 faqet e tekstit përmbajnë 154 000 fjalë me një tërësi fjalori prej rreth 1500 leksemash, dhe janë një minierë ari e vërtetë për leksikografët dhe gjuhëtarët historikë. Përmban lëndë të ndryshme kishtare dhe pjesët kryesore të liturgjisë katolike. Kjo përmbajtje flet për përdorim të gjuhës shqipe në shërbesat fetare, lidhur siç duket me përpjekjet për përdorimin krahas latinishtes edhe të gjuhëve amtare.

Meshari është botuar me alfabetin latin të tipit gjysmëgotik, i zakonshëm në atë kohë në Italinë veriore. Kryesisht për tingujt e gjuhës shqipe që nuk i ka latinishtja (g, gj, th, dh, z, x, i), ka edhe pesë shkronja të posaçme, që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Autori shihet se ndjek një traditë mjaftë të konsoliduar të shkrimit të shqipes, të cilën do ta vijojnë edhe autorët pasardhës të Shqipërisë veriore. Qenia e një tradite letrare të mëparshme shfaqet edhe në gjuhën relativisht të përpunuar të veprës. Në pasthënie shprehen shkoqur ndjenjat atdhedashëse që e kanë frymëzuar, dëshira e tij për të ndritur mendjen e bashkatdhetarëve. Në veprën e Buzukut gjejmë ndonjëherë edhe pjesë të një proze tregimtare me vlera letrare, të shkruara me gjuhë të qartë dhe të kuptueshme. Bie në sy puna e tij, ose e traditës së, mëparshme, për pasurimin e shqipes me fjalë të reja, në mes të cilave ka mjaft fjalë të sferave të jetës mendore. Si vepër e parë shqipe e njohur, “Meshari” ka rëndësi të madhe për historinë e kulturës, në mënyrë të veçantë për historinë e shqipes së shkruar dhe të letërsisë shqiptare. Është dëshmi e shqipes në shek. XVI, në një fazë kur nuk ishin zhvilluar ende një pjesë e dallimeve dialektore të mëvonshme. Me gjuhën në një masë të mirë të standardizuar e të kodifikuar, si koine letrare që u ngjit e u zhvillua me veprat e autorëve të Veriut në shekujt XVI – XVIII, vepra e Gjon Buzukut hapi një etapë të re në lëvrimin e shqipes si gjuhë e shkruar kulture.Meshari ndodhet në biblotekën e Vatikanit me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.

Koncepti zhanror dhe përmbajtja e Mesharit

Çështjet kryesore për diskutim rreth Mesharit janë përmbajtja e librit dhe koncepti zhanror i tij. Me zbërthimin eventual të këtyre dy çështjeve dominuese, do të zgjidheshin edhe disa të tjera, të cilat janë ngushtë të lidhura me dy të lartcekurat, sidomos personaliteti i autorit, koha e krijimit të veprës, vendin dhe vitin e saktë të botimit si dhe titullin e plotë të librit. Nga këndvështrimi i studimeve të deritashme buzukiane, jemi në gjendje të diskutojmë për shumë çështje të hapura, një pjesë e të cilave janë zgjidhur, kurse një pjesë tjetër pritet në të ardhmen të zgjidhen. Problemi i parë, i cili meriton kujdes të veçantë, është vetë Meshari dhe përmbajtja e tij; analiza dhe studimi i tij, si në rrafshin horizontal ashtu edhe në atë vertikal, si dhe krahasimi analogjik me veprat e ngjashme, të botuara para dhe pas kohës kur u botua Meshari, mund të ndihmojnë në zgjidhjen tërësore ose të pjesshme, të çështjeve të mbetura.

Mesharit i mungojnë së paku 8 fletët e para. Së bashku me këto fletë, fatkeqësisht, mungojnë edhe titulli i vërtetë i librit, viti i botimit, vendi i botimit, emri i saktë i autorit ose i përkthyesit, titulli i origjinalit, nga ku janë marrë pjesët që janë përkthyer, leja e botimit, pastaj parathënia, hyrja dhe ndonjë poezi, në formë lavdi, që ishte gjë e zakonshme e kohës, për botime të tilla. Mungesa e këtyre të dhënave u ka hap rrugë studiuesve të shumtë, që të sjellin ide dhe argumente të reja, që nga ato të natyrës tipografike, e deri te ato gjuhësore, me të cilat dëshirohet të zgjidhen çështjet shumë të diskutuara, të shkaktuara nga mungesa e të dhënave, të cilat do të duhej të ishin në faqet e para të librit. Natyrisht zgjidhja e problemit të vendit të botimit, do të ndihmonte të zbërtheheshin edhe shumë çështje të tjera të panjohura.

Gjurmët e historisë së librit të parë shqip nëpër bibloteka derisa mbërriti në Vatikan.

Gjurmët e Mesharit, humbin deri në vitin 1740, kur imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova, njofton atë Gjergj Guzetën, themeluesin e Seminarit arbëresh të Palermos, për ekzistimin e një ekzemplari të vetëm, duke i dërguar atij, një fragment të kopjuar të këtij “Antichissimo Missale per antichita tutto straciato”, me shënimin se ruhet në Bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fide [Kolegji për Ungjillizimin e popujve] në Romë. Në shkrimet e tyre, Mesharin e përmendin edhe rektorët e Seminarit të Palermos, Pal Parrino 1710-1765 e Sepë Krispi 1781-1859.

Mesharit prapë i humbin gjurmët deri në vitin 1898. Në vitin 1898, Meshari, nga biblioteka e Kolegjit të Propagandës Fide, dërgohet në koleksionin e librave Orientale, të kardinalit Stefano Borgja. Disa vite më vonë, së bashku me koleksionin Oriental, të kardinal Borgjës, bëhet pronë e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, në Vatikan. Fillimisht regjistrohet në signaturën R[accolta] G[enerale] Liturgia. III. 194., R. G. Liturgia. III. 194., që disa vite më vonë të regjistrohet në signaturë të re, në të cilën ruhet edhe sot Ed. Prop. IV. 244. Në vitin 1909, imzot Pal Skiroi ishte i pari që nxori fotografinë komplete të Mesharit. Pas një pune këmbëngulëse, shumëvjeçare, Skiroi bëri transliterimin, transkriptimin fonetik dhe një studim të veçantë për gjuhën e Mesharit, duke e krahasuar atë me shkrimtarët tjerë të Veriut, veçanërisht me Pjetër Budin. Vepra e Skiroit, është edhe sot e kësaj dite në dorëshkrim dhe e pa botuar. Me këtë dorëshkrim janë shërbyer N. Resuli, E. Çabej dhe ne, gjatë hulumtimeve të bëra në Vatikan.

Justin Rrota, në vitin 1929, nxori tri kopje të filmuara të Mesharit, të cilat u depozituan në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ku ruhen edhe sot. Më vonë, në vitet `50 të shek. XX, dy studiues të shquar shqiptarë, E. Çabej dhe N. Resuli, secili në mënyrë të pavarur nga tjetri, përgatitën për botim, Mesharin, duke vënë në përdorim, kriteret e shkencës bashkëkohore, si dhe tri mënyra të riprodhimit të ekzemplarit origjinal, transkriptimin fonetik, transliterimin dhe fototipinë, të përcjellë me analiza të thukëta kritike shkencore. N. Resuli, studimin e tij e botoi në Vatikan në vitin 1958, në një numër të kufizuar ekzemplarësh, në kollanën e njohur Studi e Testi nr. 199; derisa E. Çabej, e botoi në Tiranë në vitin 1968. Edhe pas këtyre botimeve, libri njihej vetëm nga rrethe të caktuara specialistësh dhe shkencëtarësh. Në fund të viteve `90, Meshari depërtoi te masa e gjerë e lexuesve dhe u bë i mundshëm studimi i tij i shumanshëm. Ishte viti 1987, kur shtëpia botuese Rilindja e Prishtinës, bëri ribotimin integral të tekstit të E. Çabejt, nga viti 1968.

Vëmë në pah se, studimet e deritashme, qoftë ai Skiorit, apo këto të Resulit, Çabejt e Camajt dhe ky i yni së fundi, etj. kanë disa dallime, që kanë të bëjnë sidomos me interpretimin e vlerave fonologjike të grafemave, të përdorura nga Buzuku, ngase gjuha arkaike, alfabeti i veçantë [grafemat sllave], përdorimi i të njëjtës grafemë me vlera të ndryshme, etj, lënë vend për një studim të ri, të mbështetur në metoda të reja shkencore fonologjike, semiotike, analogjike, gjithsesi edhe informatike. Përkundër shumë studimeve, nga specialistë të shumtë, ende shumë gjëra rreth Mesharit kanë mbetur të pasqaruara.

Gjendja ekzistuese e librit

Libri në gjendjen ekzistuese është i lidhur me kopertina lëkure, por është shumë i dëmtuar, ka 94 fletë ose 188 faqe; nga 110 fletë ose 220 faqe sa duhej të kishte, kur është botuar, pra kanë humbur 16 fletë ose 32 faqe, të paginuara me numra romakë! Ka format 20 x 14 cm. Të humbura llogariten, pos faqes së parë [frontespicit] edhe fletët 1-8; 27-29; 33-36; dhe 63, që duhej të ishte 73. Pos kësaj, kemi edhe disa gabime te paginimi i faqeve, p.sh., f. 61 është shënuar si 59, ndërsa f. 49 si 39; pastaj f. 65 është shënuar në vend të f. 55; i njëjti gabim përsëritet edhe në f. 89 që shënohet si 79 dhe e fundit f. 90 duhet të ishte 110.

Në margjina të faqeve ka të shënuara me dorë, emra, përshëndetje dhe fjalë të tjera në gjuhën shqipe, që i kanë bërë lexuesit e librit. Libri është i shkruar në dy shtylla, me alfabet latin, të tipit gotik dhe ka pesë grafema të tipit sllav, të bosançicës.

Botimi i Mesharit të Buzukut u realizua me qëllime të caktuara. Si pohon G. Schiro, ai duhej të përmbushte tri kërkesa 1. Nevojën e përditshme për shërbime fetare; 2. Përgatitjen dhe thellimin e njohurive liturgjike të prelatëve shqiptarë; dhe 3. Edukimin fetar masiv, të masës së besimtarëve që ndodhen në kufi me Perandorinë Osmane.

Këtë qëllim të Mesharit na e pohon edhe vetë Buzuku “U lus ënbas sodi ma shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t`inë Zot; e ate në ënbarofshi Zot`ynë të ketë mishërier ënbi ju”. Duke dëshiruar që kështu të luftonte disa dukuri të këqija, që u kanoseshin besimtarëve shqiptarë, lëkundjes nga besimi i moçëm me anë të reformës dhe islamizimit, që siç pohon E. Çabej Po bënte përparimet e para në vend. Nëse përjashtojmë reformacionin, kisha romane që në shek. XIII-të, kishte lejuar përdorimin e gjuhëve kombëtare [nacionale]. Mund të sillen të dhëna të shumta, që nga papa Inocenti i IV-të, i cili në vitin 1248 u kishte lejuar kroatëve, të ishujve të Kvarnerit dhe të Dalmacisë ushtrimin e liturgjisë, në gjuhën e tyre kombëtare, në gjuhën kroate, por edhe botimin e librave fetare me alfabet glagolik.

Të dhëna të tërthorta flasin se Vatikani me këtë libër, ka dashur të forcojë besimin e lëkundur tek shqiptarët, si nga lëvizja reformiste e heretike, [bogumile] gjithashtu edhe nga konflikti i ashpër kishtar ndërmjet dy kishave, asaj të Lindjes dhe të Perëndimit, që ishte mjaft i theksuar në atë kohë, në Ballkan, e gjithashtu edhe nga përhapja e islamizmit, përhapje kjo mjaftë shqetësuese për Vatikanin.

Meshari i Buzukut dhe botimet e kohës

Në studimin e tij, E. Çabej pohon se: Meshari, veç ndonjë fraze vetiake t`autorit hedhur tek-tuk nëpër tekst, është fund e krye përkthim?! Duke anashkaluar punën e M. Rokut, i cili kishte bërë krahasime me libra të ngjashëm boshnjakë, duke nxjerrë përfundime se Meshari ishte një kombinim i një Meshari me elemente të një horologu; me pjesë të një katekizmi, e të një rituali françeskan analog, me një horolog sllavisht, libër ofiqesh e uratash, që ishte në përdorim në Bosnje, nga viti 1512, Çabej u thellua në analizën e tekstit të Mesharit shqip, duke e krahasuar atë me botime të ngjashme latine e italiane, p.sh., me botimin e Venedikut nga viti 1598, por edhe botime të mëvonshme të ritit lindor, të të dy besëlidhjeve.

Çabej thekson se për të arritur rezultate të dëshiruara, është e domosdoshme të konsultohen edhe botime më të hershme se Meshari shqip, sidomos ato që ishin në përdorim, para Koncilit Tridentin?, të arealit gjuhësor gjeografik të Bosnjës, Kroacisë e Dalmacisë, pastaj përmend edhe recensionet e M. Resëtarit, por edhe botimin e F. Fancevit të lutësoreve e psaltirëve kroatë, nga shek. XIV dhe XV-të, të Raguzës, me të cilët, mund të afrohet Meshari shqip. Ne fillimisht krahasuam Mesharin shqip me, Lutësoren kroat të Vatikanit, origjinali i të cilit, në dorëshkrim, ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, [ne kemi shfrytëzuar për konsultim origjinalin, por edhe botimin e mëvonshëm], dhe, Psaltirin dubrovnikas, në origjinal. [Origjinali ruhet në Bibliotekën e Kuvendit Françeskan, /OFM/, në Dubrovnik]. Pas krahasimit, erdhëm në përfundim se, pjesët e para të Mesharit, të Buzukut, janë plotësisht identike me tekstin e Lutësorit kroat të Vatikanit, deri në fund të kapitullit të VII-të, të Shatë psalmeve pendestarë; ndërsa pjesa tjetër e Mesharit shqip, është deri diku, identike me, Officium Beatae Mariae Virginis.

Pas këtyre, krahasuam Mesharin shqip edhe me dy mesharë tjerë kroatë, nga vitet: 1483 dhe 1494 si dhe me Leksionarin e Bernardinit të vitit 1495; më në fund, duke pasur parasysh traditën e pasur humaniste të shqiptarëve në bregdetin dalmat, si një rezultat i një procesi të gjatë kohor, në raportet kulturore shqiptaro-kroate, që daton shumë më herët se shekulli i XIV-të, konsultuam edhe Mesharin e Verbnikut, që ishte botuar me urdhër të kryeipeshkvit shqiptar të Senjit, Ndreut nga Durrësi, nga viti 1458. Prandaj mund të pohojmë se tradita e shkrimit shqip para Buzukut, është në vazhdimësi, gjithnjë duke pasur parasysh edhe kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë prelatët shqiptarë të bregdetit të Adriatikut, qoftë në qytetet shqiptare, qoftë në ato dalmate.

Nga këto krahasime nxorëm përfundimin se Meshari i Buzukut, aq sa ndjek tekstet e ngjashme liturgjike të kohës, aq edhe largohet prej tyre.

Në qoftë se Mesharin e Buzukut e studiojmë me vëmendje, do të bindemi se ai, jo vetëm që është përfaqësuesi më i denjë dhe më tipik i tendencave letrare e fetare të kontinentit Evropian të kohës, po ai është edhe pjesë përbërëse e kontributit shqiptar në rrjedhat krijuese letrare Evropiane. Mungesa e të dhënave dhe dokumenteve të kohës, na e vështirëson punën për të dhënë gjykime të sakta dhe përfundimtare, por shpresojmë se në të ardhmen, edhe kjo çështje do të ketë zgjidhje të favorshme.

Meshari i Gjon Buzukut, është meshar i plotë, sipas Zakonit të kishës romane me përmbajtje, renditje, manifestime dhe infiltrime të njëjta, të Kishës Universale. Është i ndërtuar sipas mjedisit ku është krijuar, pra bartë shumë elemente regjionale e kombëtare shqiptare, të cilat vërehen hapur në kultin e shenjtorëve lokalë e regjionalë, zakonet vendase dhe traditën e pasur fetare shekullore.