Presidenti Meta drekë festive me fëmijët e fshatit SOS: Libri është dhurata më e mirë.

Presidenti Ilir Meta ka kremtuar ditën e sotme festat e fundvitit me fëmijët e fshatit SOS, për të cilët shtroi edhe një drekë, duke festuar së bashku me ta.
Meta iu uroi festën e fundvitit duke i shpërndarë libra dhe dhurata simbolike.

“Jam shumë i kënaqur që jemi së bashku në prag të festës së Vitit të Ri duke ju garantuar se nuk do të jeni kurrë vetëm. Urimi im për vitin që vjen është që të jetë një vit më i mirë për të gjithë shqiptarët, por sidomos për të gjithë fëmijët e Shqipërisë dhe për të gjithë ju. Sepse vetëm duke treguar më shumë kujdes, vëmendje e mbështetje ndaj fëmijëve, duke treguar më shumë kujdes ndaj të rinjve ne do ta bëjmë Shqipërinë edhe më të bukur edhe më njerëzore, edhe më të bashkuar, edhe më të fortë, edhe më europiane. Gëzuar dhe mbarësi për 2019-n!”, – tha Presidenti i Republikës, i cili shoqërohej edhe nga dy fëmijët e tij, vajza Era dhe djali Besar.

Gjithashtu, presidenti Meta u interesua për mbarëvajtjen e fëmijëve të fshatit SOS në mësime dhe teksa u dhuroi atyre libra, u shpreh se: “libri është dhurata më e mirë, sidomos për fëmijët. Investimi për arsimimin cilësor të fëmijëve dhe të të rinjve është investimi i duhur dhe sigurtë për të ardhmen tonë europiane”.

Viti i Ri nëpër botë, ja cilat janë traditat dhe ritualet fatsjellëse.

Nëse më datë 31 dhjetor ndodheni në një vend të huaj, përshtatuni me zakonet lokale dhe ritualet fatsjellëse.

Numra magjikë dhe ngjyra fatsjellëse

Sipas besëtytnive në shumë vende të botës, numri 12 është fatsjellës. Në Spanjë dhe në shumë vende të Amerikës Qendrore si në Venezuelë dhe në Kosta Rika, vendosen 12 kokrra rrushi në tavolinë, një për çdo muaj të vitit: është traditë të hash nga një kokërr çdo sekondë që paraprin mesnatën.

Në Caracas, kambanat e katedrales bien 12 herë në mesnatën e Vitit të Ri. Në Filipine sjell mbarësi të vësh në tavolinë 12 fruta të rrumbullakëta që përfaqësojnë monedhat, si simbol i prosperitetit. Në Japoni, në mesnatë, tempujt budistë u bien kambanave 108 herë, për të larguar 108 elementet e bonō, gjendje mendore që i bëjnë njerëzit të sillen keq.

Në Itali e në shumë vende europiane veshin të brendshme ngjyrë të kuqe në natën e Shën Silvestres, si ritual fatsjellës. Por nuk është kudo kështu: në shumë vende të Amerikës Qendrore, ngjyra fatsjellëse është e verdha. Nëse do të festoni në Meksikë, apo në Santiago, kryeqytetin e Kilit, do të shihni shumë dekorime dhe tullumbace të verdhë.

Në Brazil, ngjyra fatsjellëse është ajo që i përfshin të gjitha. Në plazhin Copacabana në Rio de Janeiro, më shumë se dy milionë njerëz mbërrijnë çdo vit të veshur në të bardha. Nëse ndodheni atje për të pritur Vitin e Ri, mund të hidheni shtatë herë mes valëve duke shprehur shtatë dëshira, të hani shtatë kokrra rrushi apo shtatë kokrra shege, si një dëshirë për mbarësi, siç e dikton tradita.

Ritualet fatsjellëse për të lënë vitin e vjetër pas krahëve

Ka mjaft rituale interesante me të cilët popujt e së gjithë botës lënë metaforikisht pas krahëve vitin e vjetër. Në shumë vende të Italisë, për shembull, është traditë të hedhësh nga dritarja objekte të cilat doni t’i hiqni qafe, edhe pse kjo është e ndaluar me ligj, pasi mund të vriten kalimtarë.

Në Irlandë, për të pasur mbarësi, trokasin në muret e shtëpive me bukë, ndërsa në Danimarkë hedhin pjata dhe gota të vjetra në derën e tyre ose atë të të afërmve dhe miqve për të larguar shpirtrat e këqij. Gjithnjë në Danimarkë, sapo mbërrin mesnata, është traditë të hidhesh nga karrigia. Sipas besëtytnisë, kjo përfaqëson në mënyrë metaforike largimin e vitit të vjetër për të hyrë te viti i ri.

Ritualet janë nga më të ndryshmet në botë. Në Algjeri, për shembull, fëmijët u shkruajnë prindërve letra me qëllime të mira dhe dëshira për Vitin e Ri. Në Rusi, Ded Moroz (versioni sllav i Babagjyshit), sjell dhurata së bashku me të bijën. Në Bangladesh, dita më romantike e vitit nuk është 14 shkurti, por 31 dhjetori; shumë çifte martohen për vit të ri, me festime që fillojnë vitin e vjetër dhe përfundojnë në vitin e ri.

Në Greqi, për të pasur mbarësi, varin një qepë në derën e jashtme. Në Republikën Çeke, duhet të prisni një mollë në mes; nëse shfaqet një kryq, viti i ri do të ketë disa peripeci, nëse shfaqet një yll, viti do të jetë i mbarë. Në shumë kultura në vende të ndryshme të botës, nga Greqia në Meksikë e deri në Filipine, kush gjen monedhën e fshehur tek kulaçi, do të ketë shumë fat.

Sfidat e Vitit të Ri, një zhytje aty ku uji është brrrr…

Një zhytje në mesin e ujërave të ftohta, është një ndër traditat e Vitit të Ri më të përhapura në gjithë botën.

Në Holandë është një traditë që ka lindur në vitin 1965 në Scheveningen dhe është përhapur në 200 qyteza të tjera në Holandë, ku mijëra persona, më 1 janar, bëjnë një zhytje në Oqean. Pas zhytjes në ujin e ftohtë, ata i pret në plazh një çokollatë e ngrohtë apo një supë me bizele.

Në Barcelonë, Primer Bany de l’Any (zhytja e parë e vitit) është një ritual i kohëve të fundit. I përuruar në vitin 1996, që prej atëherë zhvillohet çdo vit në plazhin e qytetit Sant Sebastiá. Në këtë periudhë të vitit, temperatura mesatare është 18 gradë Celsius, kurse ajo e ujit rreth 12-14 gradë.

Sigurisht, klima nuk i frikëson ata që marrin pjesë në këtë sfidë. Në Ystad, në Suedi, njerëzit zhyten duke mbajtur në kokë kapele kaubojsh; në Szigliet, në Hungari, notojnë në ujërat e liqenit Balaton; në Irlandën e Veriut, në ‘Scarborough beach’ në Yorkshire, Carnlough; në Francë, në plazhin e famshëm të Dunkirk.

Letër publike zonjës Lindita Nikolla me rastin e largimit nga posti.

Ndjehem i detyruar t’Ju shkruaj sepse sikurse e dini dhe e keni shprehur unë, midis kolegëve të tjerë që ndajmë të njejtat mendime për universitetet dhe arsimimin e rinisë shqiptare, për kulturën në përgjithësi, prej vitesh kam një qendrim kundërshtues parimisht ndaj situatës të arsimimit të rinisë studentore në vendin tonë.

Letër publike zonjës Lindita Nikolla me rastin e largimit të saj nga posti i ministrit të arsimit, rinisë dhe sporteve.
E nderuar zonja Lindita Nikolla, e ndjeva për detyrë morale që me rastin e largimit tuaj nga posti i ministrit të arsimit, rinisë dhe sporteve t’ju drejtohem me një letër publike. Mund t’ju a kisha dërguar edhe në mënyrë personale, por gjykova se ndofta edhe publiku mund të kishte sadopak kuriozitet, sidomos studentët, për të ditur mendimin tim për këto ngjarjet e fundit dhe pastaj për atë që përbën edhe subjektin e kësaj letre.

Ndjehem i detyruar t’Ju shkruaj sepse sikurse e dini dhe e keni shprehur unë, midis kolegëve të tjerë që ndajmë të njejtat mendime për universitetet dhe arsimimin e rinisë shqiptare, për kulturën në përgjithësi, prej vitesh kam një qendrim kundërshtues parimisht ndaj situatës të arsimimit të rinisë studentore në vendin tonë. Situatë që nuk është as e sotmja, as e viteve që ju keni drejtuar atë dikaster, por që ka akumuluar në vite, në dekada, dhe poqese dikush e dëshiron t’ja them, edhe në të gjithë shekullin e XX për të mos shkuar më përpara.
Unë jam kategorikisht kundër mënyrës si drejtohet me agjenci pa kurrëfarë vlere sistemi arsimor universitar te ne, kam ndjerë absurditetin e menaxhimit të universiteteve me borde krejt të papërgjegjshme për shkak të statusit të tyre, kundër mënyrës si organizohet kërkimi shkencor në universitete dhe si jepen titujt shkencorë me një trafik të paparë moral dhe shkencor për të ardhur keq, jam krejtësisht kritik ndaj gjendjes ku janë katandisur profesorët shqiptarë, i hidhëruar për gjendjen e studentëve që i kemi lënë lakuriq në dije dhe në statusin social përpara dekadave që vijnë, i papajtueshëm me mënyrën sesi funksionojnë departamentet, fakultetet dhe universitetet shqiptare, i trishtuar për modelin e universiteteve publike shqiptare.
Kjo gjendje që më në fund dha një tronditje të fortë, falë studentëve tanë për të cilët them se kanë gjithnjë të drejtë dhe se në kërkesat e tyre kanë qenë modestë deri në madhështi, ajo kërkon një qilizëm të thellë, përndryshe gjithçka mbetet hipokrizi, dhe unë nuk jam gati ta ndaj këtë hipokrizi me askënd.
Por, le ta le këtë çështje.
Problemi është, dhe nuk mund të mos e them, si një kritik që shpesh, ndoshta për muaj e vite me radhë, nuk ju kam kursyer edhe juve, drejtpërdrejt apo tërthorazi, që nuk jeni ju shkaktari i kësaj gjendje.
Sigurisht ju keni përgjegjësinë tuaj, sepse keni qenë në krye të dikasterit të arsimit, mirëpo unë vazhdoj, si edhe miqtë e mi, të kem bindjen e papërkulur deri në fund, i gatshëm ta provoj kurdoherë, që është kuadri ligjor i arsimit të lartë, ligji famëkeq i arsimit të lartë, që ka bllokuar gjithçka dhe po e çon arsimin e lartë, kulturën dhe shkencën shqiptare, arsimimin e rinisë drejt kalbëzimit pasojat e të cilit tashmë shoqëria shqiptare do t’i paguajë për njëqind vjetët e ardhshëm.
Unë e di shumë mirë që ju personalisht nuk keni fajin aq më pak meritën për atë ligj.
Nëse heqja juaj lidhet me meritat për atë ligj, ose fajin për të, atëhere bashkë me heqjen tuaj do të duhej të abrogohej edhe ligji në fjalë, famëkeq dhe zullum-madh.Fakti që ju hiqeni dhe ligji mbetet, tregon se edhe kur ju atribuohet ai ligj,askush nuk e beson!
Dhe më e bukura është se edhe cikloni, pra revolta studentore, oh sa e ligjshme!, nuk u ngrit aspak rreth jush, tregon se mendja e studentëve është më e hapur sesa gjykimet politike. Askush nuk kërkoi dorëheqjen tuaj, aq më shumë që poqese i qendrojmë strikt llogarive, ju nuk keni në atë post as pesë vjetë.
Nuk jam duke thënë se koha për të ndryshuar ministrat nuk kishte ardhur. E di që edhe as ju nuk mendonit se do të ishit e përjetshme aty. Aq më shumë, ja u thotë këtë dikush si unë që prej kohësh besoj e militoj, që jo një ministër, por as një kryeministër, as vetë presidenti i republikës, të mos qendrojë më shumë se një mandat në postin e tij, edhe sikur më i suksesshmi të ishte.
Pushteti i gjatë budallalleps, verbon, shurdhon, dhe për më tepër lë edhe pa miq dhe shokë. Unë i përmbahem parimit që qytetari vjen në një post, kontribuon, ikën në punë të vet. Kur kushtetuta shqiptare e republikës të re, kurdo që të vijë, ta sanksionojë këtë, atëhere elitat shqiptare do të rifreskohen sepse kanë zënë ndryshk.
Unë kam qenë dhe jam pjesë e personelit universitar shqiptar dhe duke qenë qysh pas 15 minutave të para pas daljes të ligjit të arsimit të lartë i deklaruar në mediat televizive si i llahtarisur dhe i tronditur prej tij, di të them se ju kam parë në atë kohë që ju ishit nën presion të disafishtë.
E para, ishin “teoricienët” që hiqeshin se dinin gjithçka si organizohej arsimi i lartë dhe ju imponoheshin edhe si maçistë, por edhe si koka të mëdha duke qenë të papërballueshëm jo vetëm në cinizmin me ju, por edhe në agresivitetin me ne që hapur ju thoshim: ne nuk duam as poste as privilegje por ligji është një goditje e rëndë e arsimit të lartë që edhe kështu ka probleme të thella mbetur pa u zgjidhur.
E dyta ishin superiorët tuaj politikë në qeveri, Kuvend, a parti, që sigurisht as bëhej fjalë t’ju linin ndonjë inciativë që të thoshit fjalën tuaj për atë që po gatitej.
E treta ishin lobi financiare të arsimit të lartë përpara të cilave ju ishit fare e pamundur për t’u ndeshur, sepse ata kishin gjithçka dhe ju nuk kishit asgjë veç vetes tuaj.
E më në fund ju ishit nën presionin e deputetëve të kuvendit të Shqipërisë që në atë mot një pjesë donin me ngulm atë ligj, kurse pjesa tjetër nuk donte ose nuk dinte si ta kundërshtonte sinqerisht politikisht.
Më besoni se këto që them nuk i kam të mbështetura thjesht në supozime.
Duke mos ju njohur e prita me skepticizëm emërimin tuaj në krye të dikasterit të arsimit. Pastaj, në periudhën e hartimit, hyrjes në fuqi dhe pastaj hapave të para të zbatimit të tij furia e kritikës dhe e pasionit kundërshtues ndaj jush personalisht ka qenë e fortë dhe e pandërprerë nga ana ime. Por gradualisht, në kontaktet dhe dialogun që u vendos, pa rreshtur kritikat, kuptova se përballë nuk kisha sigurisht një shkencëtare a doktore, larg prej jush ky pretendim, por një politikane të pjekur, një grua të matur, që dëgjonte me kujdes, që përpiqej të krijonte mesa mundej një hapësirë ku të gjithë aktorët e hapësirës të arsimit të lartë të luanin dhe përplaseshin lirisht. Duam apo nuk duam ne, duam apo sa duam që të fitojnë idetë tona, ose të mundim ato të kundërshtarëve tanë, kjo është demokracia. Dhe këtë hapësirë të lirë ju deshët ta krijoni dhe sa kishit mundësi nuk e penguat.
Në debatet tona nuk ka ndodhur asnjëherë që ju të keni imponuar mendimin tuaj për çështje përmbajtësore të shkencës dhe arsimit. Disa hipokritë, nga ata që tani heshtin, nuk kanë guxim të thonë më : këtë ligj të arsimit të lartë e kam bërë edhe unë!, nga ata që tani besoj që as nuk do t’ju urojnë edhe vitin e ri 2019, këta individë pra modestinë tuaj e kanë marrë për dobësi. Kurse unë e kam quajtur meritën tuaj kryesore. Detyra e administratorit dhe e politikanit nuk është ajo që të japi vetë zgjidhjet për teknikën, shkencën, arsimin. Kthimi i politikanit në ekspert, ose i administratorit, ministër, zëvendësiministër, drejtor drejtorie në burrin ose gruan më të mençur të fushës që mbulon e bën atë politikan ose administrator jo vetëm qesharak, por edhe shumë të rrezikshëm.
As unë edhe asnjë nga miqtë e mi të Forumit për Liritë Universitare nuk ndjenë as më të voglin presion ose hakmarrje nga ju në profesion tonë, aq më pak Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë i Universitetit të Tiranës ku punon një pjesë jo e vogël jona. Do të thotë dikush: Detyrën ka bërë që nuk është treguar hakmarrëse! E nuk është fare kështu. Shoqëria jonë është e mbushur me hakmarrës dhe hakmarrëse që veç të tjerave sapo hypin në ndonjë post, sado edhe modest, godasin pa mëshirë fillimisht miqtë dhe mikeshat e tyre, pastaj nuk lënë kurrë kusur pa goditur ata që kanë mendime të ndryshme prej tyre. Me kundërshtarë kaq kritikë si ne, si unë, flas personalisht, do të imagjinoja dikë tjetër, burrë a grua, që do të na kishte hedhur llava ari të shkrirë në zjarr mbi kokë.
Ju, ligjin dhe pasojat shkatërruese të tij, unë mendoj se dora dorës i testuat dhe brenda jush kam dyshimin e ligjshëm që kishit nisur që mjaft gjëra t’i shihnit me dyshim ose skepticizëm. Kam thënë me vete: Pse nuk jep dorëheqjen kjo grua? Këtë pyetje kur lexon këto rradhë e bën edhe ndonjë tip që hiqet më katolik se Papa. Një ditë i bëra vetes pyetjen: Po a është përvojë në Shqipëri që një ministër, burrë, lëre pastaj grua, të japi dorëheqjen? A është mësuar shoqëria jonë me këtë kulturë? A nuk do ta linçojë partia e vet, a nuk do të quhet jo e besës?
Dhe për më tepër me atë dikaster që kanë strukturuar, që duhet të mendojë që nga çerdhet e kopshtet, ngritja e peshës, boksi, gjimnazet, kërkimi shkencor, arsimi i lartë, etj, nuk mjafton jo vetëm të jesh e Besës për t’a drejtuar, por nuk mjafton të jesh as Anjshtajni. Duhet të jesh Anjshtajni, Nënë Tereza, Mari Kyri e nuk e di kush tjetër, Ymer Pampur, Loro Boriç, Asllan Rusi, a nuk e di kush tjetër!!! Qeverisja e vogël që kanë rënë pre socialistët ndaj një liberalizmi të keqkuptuar ka sjellë që dikasteret tona të jenë kështjella padijeje dhe administrimi me borde e agjenci gjoja të pavarura e ka çuar ekzekutivin që të detyrohet të kërkojë të administrohet me platforma të centralizuara ku qytetari të shkruajë vërejtjet e tij. Dhe pastaj na del që studentët pa shkruar asgjë në platformë, plasën revoltat në rrugë.
Të thuash se nuk mjafton heqja e njerëzve për të ndryshuar një situatë dhe modernizuar arsmimin dhe shkencën, – kjo është e drejtë. E drejtë, por jo e mjaftueshme. Të thuash se duhet ndryshuar, duke e abroguar ligjin e arsimit të lartë, – edhe kjo është e drejtë por jo e mjaftueshme. Të thuash që duhet ndryshuar politika për arsimin dhe kërkimin shkencor, – shumë e drejtë por edhe kjo nuk mjafton. Politika deri këtu shkon. Edhe kritikët më të fortë politikë tuajët, nuk shkojnë më larg.
Kurse unë si universitar, brenda një kuadri miqsh, kolegësh, që besomëni nuk jemi edhe aq pak, as dembelë, as që përtojmë të marrim përgjegjësi, mendoj që prandaj politika ka nevojë të hapet, të bëhet më modeste, të kuptojë që politika nuk e drejton dot e vetme as arsimin as kërkimin shkencor në strategjitë që këto fusha duhet të kenë.
Unë jam i mendimit që edhe më budallai ndër shqiptarët sot e kupton që shkaku i gjithë katrahurës në arsimin e lartë dhe në kërkimin shkencor është kuadri rregullues arkaik dhe i poshtër, hipokrit, i ligjit për arsimin e lartë. Edhe studenti më i dobët e di këtë. Por, që ta dijë politika nuk është e lehtë. Sepse unë e di që abrogimi i ligjit dhe hyrja në procedurat për një ligj të ri për arsimin e lartë do të shënonte fundin e këtij parlamenti dhe strukturës të sotme të raportit të forcave politike në Shqipëri.
Por, nuk mjafton ndryshimi i ligjit. Ose më mirë një ligj i mirë, nuk mund të bëhet pa një model të ri të universiteteve shqiptare, publike, por jo vetëm, edhe pa një model i ri i universiteteve private.Por, këtë nuk e mendon dot politika. Politika edhe po e mendoi do ta mendojë gabim. Mirëpo një model i ri i universiteteve publike dhe private bie në kundërshtim me interesat e ngushta dhe të vogla të lobive të caktuara brenda-universitare që janë mësuar të jenë dembelë, parazitë, vjedhës idesh, plagjiatë, si edhe të mësuar me parà dhe me pushtet.

Do të ishte një gabim i rëndë që t’ju mendoja ju një Zhan D’Ark që të luftonte e vetme për t’i përballur këto lobi që e kanë burimin e forcës pikërisht në politikë. Me ta, dikush që nuk ka veçse veten, cfarëdo posti që të mbajë përkohësisht, më mirë është të bëjë aleancë sesa luftë, më mirë paqe sesa sherr, më mirë “po” sesa “jo”.

Nëse miq e armiq tuajët në politikë kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë kështu duke qenë në politikë, a nuk është pak si e tepërt që frytet e aleancave t’i marrin vetë, kurse pasojat dhe harxhet e luftës t’ua ngarkojnë juve? Unë ju kam gjetur grua të zgjuar në rastet kur kemi qenë në debate publike, kot e kanë pasur ose e kanë t’ju marrin si të pamënçur duke ju futur në shtigje që ju si politikane me përvojë dini mirë, besoj t’i nuhasni!
Por, edhe të ndryshosh modelin e universiteteve shqiptare, është mirë, por nuk mjafton përsëri. Sepse duhet të dish se në çfarë gjendje është shkenca dhe kërkimi shkencor sot në shoqëritë bashkëkohore dhe si iu përgjigjen këtyre strategjitë politikat e përparuara. Mbi të gjitha duhet të njohësh në majë të gishtave sociologjinë e shkencës dhe të arsimit, epistemologjinë e shkencës, logjikën e saj post-aristoteliane, të njohësh metodologjitë e reja të kërkimit shkencor. Këtë askush nga politikanët, të gjithë politikanët e mbledhur bashkë, nuk mund ta mendojnë.
Ose politikan dhe injorant i ligjshëm në këtë fushë, ose shkencëtar i përkushtuar, dhe injorant në politikën e madhe elektorale.
Prandaj politikat e shkencës dhe arsimit të lartë nuk mund të bëhen nga politikanët masivë dhe servilët e tyre. Apo nga delirantët që njëkohësisht kujtojnë se mund të jenë po aq shkencëtarë të mëdhenj sa edhe politikanë dhe administratorë të mëdhenj. Koha e këtyre qënieve ka kaluar që me Konfucin, Sokratin, Platonin a ndonjë tjetër.
Mirëpo edhe kaq nuk mjafton. Sepse duhet ditur edhe për çfarë arsimi dhe shkence ka nevojë Shqipëria ku ekonomia e kohëve primitive nuk e thërret dijen, kurse nevojat e demokracisë duan qytetar të dijshëm. Kjo çarje midis mosdijes dhe dijes po e bën arsimin, kulturën dhe shkencën shqiptare të llapaçitet në kaos dhe banalitet shkencor dhe kulturor. Cfarë vendi do të zerë kultura, dija, shkenca në Shqipëri në një botë të hapur planetare shumë të zhvilluar?
Ka ndonjë nga kritikët tuaj “të mënçur” në politikë a në media, në grupin tuaj parlamentar, në opozitë, a në gjysëm pushtet-gjysëm opozitë, që është në gjendje të na tregojë rezultatet e ndonjë studimi që ka bërë në këtë fushë?
Prandaj, duke qenë kundërshtar i politikave që ju keni zbatuar, dhe i keni zbatuar përpikmërisht, mua më ngjethet mishi kur dëgjoj politikanë a gazetarë, që ju kërkojnë juve të bëni atë që mund t’a bëjë vetëm një sistem që në kibernetikën e tij di të mendojë në këto fusha që përmenda.
E vërteta duhet thënë edhe tani që “beteja” mes nesh ka përfunduar. Ju keni ikur duke e lënë ligjin për arsimin e lartë të bëjë rrugën e vet, ne kemi mbetur duke e mbajtur po atë ligj mbi kurriz si baulle e mbushur me baltë dhe me gurë.
Madje keni për të parë që edhe ata që krenoheshin se ligjin po e bëjnë ata, dhe ajo L.N., tani do t’ju a japin juve krejt meritën e bërjes të të gjitha neneve të ligjit dhe vetë do të shfaqen si kundërshtarë të tij. Të paepur. Kështu do të bëjë edhe vetë Qenan K. si personifikimi i të gjithë kësaj rrace intelektualucësh pa tru dhe pa zemër. Por, me ambicje dhe neps të paparë.
Unë ju kam parë sidomos vitin e fundit që keni qenë më përpara sesa politikat që zbatonte dikasteri juaj. Na pritët njerëzishëm në zyrën tuaj kur erdhëm si përfaqësues të Forumit të Lirive Universitare. Jo vetëm pranuat diagnozën tonë dhe konstatimet tona për gjendjen në universitete, por edhe na deklaruatr, jemi dëshmitarë, se në ligj mund të bëhen amendime, se ishit gati t’i tërhiqnit përfaqësuesit tuaj në bordet administrative të universiteteve dhe deklarime të tjera që as më shkonte mendja se do t’i dëgjoja nga ju.
Sigurisht nuk i bëtë, por as mendohej se mund t’i bënit vetëm ju me kokën tuaj. Do t’ju kishin përjashtuar nga partia, shkarkuar si ministre, dhe revokuar si deputete. Sigurisht nuk do të kishit pësuar vetëm fatin e të ndjerit dhe të nderuaritr z. Thoma Deliana për t’ju internuar në Tepelenë a çuar si bari delesh diku nga ajo zonë!!!
Unë ju falenderoj sepse patët guximin që përpara dy a tre muajsh të kthenit mbrapsht projekt-statutin që ju dërgoi për aprovim senati i Universitetit të Tiranës. Gjetët atje mbi 20 nene që i konsideruat shkelje ligjore. Sipas meje, ju kishit të drejtë dhe morët kurajon dhe çmimin që ta paguanit mbrojtjen që i bëtë ligjit, me mllefe dhe presione që ju i dini mirë, por nuk i thatë kurrë!
Unë në dallim nga miq të mitë nuk ju vë faj që përpara disa ditësh, në kulmin e revoltave studentore, të njejtin statut, të dërguar nga senati i Universitetit të Tiranës, tani e firmosët dhe e pranuat pa një pa dy. Ai edhe tani është plot shkelje ligjore, por mbi të gjitha nuk evokon të drejta për pedagogët dhe studentët dhe e zhyt universitetin e Tiranës në një kaos tërësor. Unë i bëj thirrje politikës dhe qeverisë të vejë dorë sepse poqese ky kuadër statutor do të mbetet në fuqi, siç ka ardhur i aprovuar nga ju, atëhere ne do të shohim jo thjesht revolta studentore, por lemerira burokratike.
Por, aty ju nuk ishit më Lindita Nikolla – ministre. Dukej qartë se ju ishit heqaur. Ndofta një lëvizje që duhej. Nuk jam unë që e di këtë.
Unë ju falenderoj sepse me të parë sinjalin nga shefi juaj në qeveri që platforma ime për rithemelimin si reformim të Akademisë të Shkencave të mos hidhej në kosh si e kishte hedhur drejtuesi i saj dhe i grupit të punës i ministrisë tuaj, ju menjëherë ditët të merrnit kthesën dhe të përballonit presione që vinin nga burra të veshur me autoritete shkencëtarësh.

Ditët të pranonit që ajo Akademi Shkencash nuk mund të rinovohet me projekte që nuk të cojnë askund. Dhe në këtë kuadër ju ditët të ngriheni mbi sedrën tuaj dhe mbi çdo lloj insistimi për të mbrojtur një dokument që nuk mund veçse të hidhet në kosh si i pavlefshëm, si senil, dhe i mbështetur në trafiqe interesash të vogla meskine, ndonëse ai mbante logon e dikasterit tuaj.
Unë besoj se debatet tona janë në ide, dhe jo beteja personash!
Kjo është demokracia!
Unë uroj që asnjë post i rregulluar nga kushtetuta ose i një agjencie që rregullohet prej kushtetutës të mos mbahet nga askush më shumë se një mandat!
Unë kërkoj ndjesë kur ndonjëherë e kam tepëruar me ironi!
Unë ju uroj suksese në vitin 2019 në familje, në veprimtaritë tuaja politike e kudo!

Për të gjithë ata që lëvizin me automjete, nga data 4 janar ja akset kryesore që bllokohen.


Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor njoftojnë se duke nisur nga data 4 Janar 2019 ora 05:00 në mëngjes, në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore do të fillojë ndërhyrja emergjente për përmirësimin e situatës së përmbytjeve me ndërtimin e dy (2) tombinove në segmentin rrugor (autostrada) Tiranë–Qafë Kashar (kthesa Rinas) në kilometrin 6+600 dhe 6+800 (Kastrati & Alba-Elettrica). Punimet parashikohet të realizohen sipas grafikut te punimeve të miratuar.
“ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve të zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze sinjalistikën provizore të vendosur dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
Për këtë arsye gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve:
1. Autostrata Tiranë–Durrës në segmentin Mbikalimi Kamëz – Mbikalimi Qafë Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes.
2. Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.
3. Rekomandojmë përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe në drejtim të jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).
Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar dhe të shfaqur në media.
Ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë”, thuhet në njoftimin e ARRSH.

Gazetarja ndaj policisë: Sërish mblodhët plumbat, informoni qytetarët është detyrim ligjor.

Pas atentatit me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Elbasan, ku tre persona humbën jetën, në prani të familjarëve të tyre ka reaguar ashpër gazetarja Anila Hoxha.

Në një postim në “Facebook”, gazetarja Hoxha thekson se sërish policia si edhe në rastet e tjera ka dalë të mbledhë vetëm plumba, sepse ngjarjet zor se zbardhen.

Gazetarja thekson se informimi është detyrim ligjor i policisë dhe kjo nuk duhet të bëhet me whats app, por me dalje publike njësoj siç dalin kur numërojnë gjobat e vënë qytetarëve.

Postimi i plotë:

Para dhe pas nje krimi
Policia doli serisht te mbledhe plumba. Plumba qe u derdhen mbi 3 njerez . Policia u mjaftua me dy gisht shkrim ne ëhats up ne grup per njoftuar cektazi se cfare kishte ndodhur. Asnje e dhene konkrete zyrtare, vec informacionit medioker se ne iks vend u qellua dhe punohet qe ngjarja te zbardhet. A kishin emer viktimat , nga ishin , ku kishin qene, sa persona qelluan? Asgje prej tyre !!
Dhe ky nuk eshte sekret hetimor, eshte detyrim ligjor per te informuar publikun. Dhe as me ëhats up jo, por te dilet me ze e figure , sic i ngjisin podiumet kur duan te mburren per gjobat .
Policia mbreme numeroi serisht plumbat e derdhur ne nje atentat te llogaritur dhe te planifikuar. Prokuroria hesht per krimin.
Nese do te kemi parasysh qytetin ku ndodhi atentati dhe perplasjet mes dy grupeve ne Elbasan, vras mendjen cbejne ata ekspertet e hetimit parandalues? Zero informacion operativ. Zero informacion paraprak. Policia eshte bere per te qare hallin. Sherbimi informativ po ashtu. Prokurori zere se nuk egziston. Shto edhe yshtjen ” ata po lajne hesapet, ata kishin llogari te prishura droge”
Dhe shteti rri e ben sehir. Inegzistent. Trafikantet shesin e blejne droge sikur te ishte rrobe gabi, dhe kur u prishet peshorja, ska gje do ta rregullojne me plumba. Le te vriten thote shteti
Grupet vazhdojne te presin gjoba. Ska gje, do sqarohen me plumba
Nga burgjet vazhdohet te porositen krime , ska gje mjafton qe drejtoreve tu lihen televizori plazma kur lirohet ndonjeri prej ” kapove” !!!
Mjafton qe policet mos te pine kafe brenda orarit, mjafton qe policet mos te jene ne kryqezime, mjafton qe te duken bukur. Shtet fasade!!!
Gjate gjithe dites se djeshme deri ne mbremje u gjenda ne Elbasan. Persa kohe ne tavoline isha me gazetare lokale , i pyeta shpesh per Elbasanin. Isha kurioze te degjoja cfare ishte bere me Suel Celen, dhe pse e di qe ende nuk eshte arrestuar. Isha kurioze per Capajt, apo perse Elbasani vazhdon te jete kaq i veshtire, njejte si Vlora dhe Shkodra.
Dhe me kujtohet ai aksioni blic ne Vlore kur pasi thane se e krehen Vloren mire e mire , nxoren prej andej njerin me arme pa leje. Lajm i bujshem shume, rendi u vendos, krimi u zmpraps !
Ne Shqiperi vazhdojne te kryhen operacione te zhurmshme, prej te cilave grupet vetem sa gervishen. Sa ju bllokohet ndonje makine apo u kapen ca fisheke, per te cilat policia lokale ju pergjerohet se do tua ktheje. Prokuroria fle , ne gjumin me te rende qe mund te kete patur nje institucion. Krimet e renda kane rene, prokuroret aty numerojne ditet, dhe merren me ceshtje qesharake. Edhe ajo historia e bujshme e sekuestrimit te ca makinave te nje qytetari nga Elbasani u mbyll. Shoë vetem shoë
Ska asnje emer ende kush e vrau Ervin Dalipaj dhe shokun e tij. Kush e vrau Edisonin e 7 pallateve? Kush e vrau ish policin Bercama dhe bashkejetuesen me te ? Ka nje liste emrash te vraresh , qe te gjithe e dime se nuk u vrane per ceshtje banale, por nga bandat
Cdo fund vit ka vrasje, lahen hesape por hetuesit nuk tunden. Nuk ndryshojne menyren si duhet parandaluar e si duhet te jete prezent shteti per te arrestuar ” porositesit ” . Cili qytet e ka radhen per tu tronditur nga atentate si i mbremshmi , Vlora , Durresi apo Shkodra?
Dhe per ta mbyllur. Ngjarjet sa per fasade do te tregohen keshtu ” policia blindon Elbasanin, kryhen kontrolle…Lleshi takim me drejtoret dhe shefat per te folur per floten e policise “

Bashkia e Tiranës drekë për të moshuarit e qendrave sociale.


Tre prej shefave më të njohur të kuzhinës në Shqipëri, për të cilët kanë shkruar edhe mediat e njohura botërore, iu bashkuan thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të shërbyer drekën e fundvitit për njerëzit në nevojë që frekuentojnë mensat sociale. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe tre shefat e kuzhinës, Fundim Gjepali, Arvin Kita dhe Bledar Kola shërbyen drekën festive në Qendrën Sociale të Njësisë 9.
“Ky vit ka qenë special. Të gjithë japin një kontribut, pavarësisht se dikush është mësues, dikush është inxhinier, polic, doktoreshë apo kuzhinier i famshëm. Të gjithë kanë gjetur një moment që të japin një kontribut. Dua të falënderoj sot tre shefat, ndër më të njohurit në Shqipëri, atje ku gatuajnë ata pjatat paguhen shumë shtrenjtë, por fakti që zgjodhën që në fund të vitit të gatuanin, të shërbenin dhe të shtronin këtë drekë me komunitetin tonë të të moshuarve, më bën që t’u jem disafish mirënjohës sepse nuk janë vetëm kuzhinierë dhe shefa të mirë, por mbi të gjitha njerëz dhe qytetarë të mirë”, tha Veliaj.

Ai e cilësoi 2018-n një vit të jashtëzakonshëm, falë edhe kontributit që kanë dhënë qendrat socale të hapura në të gjithë Tiranën, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. “2018 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Falë kontributit që na kanë të gjitha qendrat sociale, si ata që punojnë me të moshuarit, si ata që punojnë me fëmijët në nevojë, si ata që punojnë në zonat periferike, si ata që punojnë me komunitetin rom dhe egjiptian, si ata që punojnë me fëmijët e rrugës, si ata që punojnë me personat me aftësi të kufizuar, ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Tiranën. Sigurisht, nuk zgjidhen të gjitha problemet, por fakti që në çdo cep të Tiranës ka një qendër sociale ku shërbehet një vakt, ku ofrohet dashuri, shërbim, një trajtim i gjithë personave në nevojë, e bën qytetin tonë pak më të mirë”, tha Veliaj, teksa shtoi se Tirana është jo vetëm qyteti më i madh, por edhe qyteti me zemrën më të madhe në Shqipëri.
“Për të gjitha stafet e qendrave sociale, apo edhe të katër restoranteve dhe kuzhinave që na u bashkuan sot, kam vetëm mirënjohje. Nëse pasi të mbarojmë festën do trajtojmë edhe janarin si dhjetorin, se nuk kemi nevoja vetëm në dhjetor, kemi nevoja edhe një janar, edhe në shkurt, edhe në mars, atëherë nuk ka asnjë arsye pse nuk duhet të jemi qyteti më i mirë jo vetëm në Shqipëri, por edhe qyteti me solidaritetin, dashurinë, edhe dhembshurinë më të madhe, në gjithë vendin tonë, apo edhe në gjithë rajonin tonë”, tha Veliaj.
Teksa e cilësoi të mrekullueshme punën që është bërë në kryeqytet nga Bashkia e Tiranës nën drejtimin e kryetarit Veliaj, kuzhineri i njohur Fundim Gjepali tha se ky qytet nuk ndryshon shumë nga qytetet e tjera të Europës. “Është kënaqësi e madhe për mua dhe kolegët e mi, Ervinin dhe Bledin, që shtruam këtë drekë. Pas 22 vitesh emigrimi në Romë dhe qytete të ndryshme të Europës, vendosa të kthehem në Tiranë dhe të jap kontributin tim, aq sa ka mundësi. O pa dashje, o me dashje, gjërat erdhën që u bëmë dëshmitarë të ndryshimit të Tiranës. Është një punë e mrekullueshme, që ka bërë një qytet që nuk ka asgjë ndryshe nga qytetet bashkëkohore”, u shpreh Fundim Gjepali.
Festës iu bashkua edhe Pasticeri “Nefeli” që solli disa nga ëmbëlsirat më të mira.

Shifrat e policisë angleze, çdo muaj 200 shqiptarë të arrestuar.


Më shumë se 200 shqiptarë arrestohet çdo muaj në Angli si të përfshirë në trafikun e drogës dhe për vepra të tjera kriminale të dhunshme. Të dhënat janë publikuar në gazetën “Sunday Express” ku thuhet se në 36 nga 43 forca policore të Angli dhe Uells, janë ndërmarrë 2,676 arrestime të shqiptarëve për trafik droge e prostitucioni si dhe kërcënime me vdekje.
Kjo gazetë thotë se më shumë se 100 arrestime në muaj ndodhin në Londër duke theksuar se numri i shtetasve shqiptarë në burgjet angleze ka shkuar në 716 duke përbërë 8% të numrin të burgosurve të huaj në burgjet britanike. Një raport i NCA Agjencisë kundra krimit të organizuar thuhet se grupet kriminale nga Ballkani janë duke zgjeruar influencën dhe rrjetet e tyre pasi kanë krijuar lidhje të drejtë përdrejta me kartelet e drogës në Amerikën Latine.

“Kërcënimi që vjen nga grupet kriminale shqiptare është i madh. Londra është qendra kryesore e tyre por ata operojnë në të gjithë Anglinë”, thuhet në raport. Në shkrimin e “Sunday Express” theksohet se shqiptarët në Angli nuk janë të përfshirë vetëm në trafikun e drogës por edhe në pastrim parash madje ka patur raste kur ata kanë goditur edhe forcat e policisë.

Stine pranon ndarjen nga partnerja: Do jemi më mirë pa njëri-tjetrin.

Edhe pse është përfolur kohët e fundit për një ndarje të mundshme, askush prej çiftit nuk kishte konfirmuar asgjë. Stine dhe partnerja e tij, Graciela, i kanë dhënë fund marrëdhënies së tyre disavjeçare, me sa duket, kohë më parë. Çifti janë prindër të një vajze 2-vjeçare Estia.

Megjithëse postimet e këngëtarit të njohur dhe të partneres së tij kanë qenë mjaft të kufizuara, diçka për raportin e tyre zbuloi pak kohë më parë, Alida, motra e Stines, e ftuar në “Zonë e lirë” në Tv Klan. Ajo tha se Stine dhe Graciela nuk jetojnë bashkë, por janë shumë të lumtur që kanë një vajzë si Estia e bukur.

Në këtë fundvit, Stine gjen guximin për të pranuar lajmin e shumëpërfolur. Me një foto të ish-partneres në Instagramin e tij, këngëtari shkruan: “Edhe pse fundvit, gjej lartësinë shpirtërore për të falënderuar çdo moment të bukur dhe të vështirë të kaluar së bashku. Kam bindjen e plotë se do funksionojmë më mirë pa njëri-tjetrin. E kemi pasur fatin dhe mundësinë më mijëra herë për të kaluar barrierat e jetës, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç ne i mendojmë. Kështu që nuk mbetet tjetër, veçse të të uroj çdo të mirë të mundshme tani e tutje!”

Asgjë nuk mbetet më për të thënë pas kësaj. Fansat e kanë përgëzuar Stinen për guximin e shprehur publikisht

BILD zbulon sesi jeton Schumacher sot: ‘Në dhomën e tij dëgjohet zhurma e Ferrarit.’


“Kështu jeton Schumacher sot”. Me këtë titull në kopertinën e saj Bild ndez shpresat e lexuesve për një përmirësim të shëndetit të kampionit të Formula 1, i cili pas pak ditësh do të festojë 50-vjetorin e ditëlindjes. Janë rreth 10 ekspertë të shëndetësisë përfshirë fizioterapistë, infermiere dhe shoqërues- që ndihmojnë familjen Schumacher, për t’i qëndruar pranë Michael.
Zyra e vjetër e Schumit në pesë vitet e fundit është transformuar në një dhomë spitali e pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme. “Asgjë nuk mungon për të përshpejtuar shërimin e Schumacher”, shkruan Bild, që raporton se si në dhomën e tij dëgjohet edhe zhurma e motorit të makinës së tij të vjetër të garave. “Për pyetjen se si është sot Schumi nuk ka një përgjigje preçize”, shkruan Bild, duke shtuar që kampioni i Ferrarit nuk është më në rrezik për jetën. “Por ka gjithashtu një arsye se përse Schumacher pas aksidentit, pesë vite më parë, nuk është shfaqur në publik”, komenton tabloidi, duke lëshuar mistere.

Schumacher i apasionuar pas skive, u aksidentua në Alpet franceze në dhjetor 2013
E përditshmja raporton opinionin e një neurobiologu të Max-P-lank Institut,Tobias Bonhoffer, sipas të cilës “në përgjithësi dëmtimi i cipës nervore të trurit dhe i palcës së kurrizit nuk mund të rikuperohen”. “Ky është ndryshimi me të tjera pjesë të trupit njerëzor, si p.sh lëkura, apo mëlçia të cilat mund të rigjenerohen”, ndërsa në rastin e Schumacherit “qelizat e dëmtuara të trurit nuk janë të mjaftueshme për të zhvilluar punën e tyre”. “Për bashkëshorten e Schumi, Sabine Kehm, kam një konsideratë të lartë”, vazhdon shkencëtari i cili shton se e admiron për mënyrën se si e përballon me përgjegjësi këtë situatë të vështirë.

Lleshaj: ‘Nga 1 janari 2019 bastet sportive do trajtohen si kanabisi’

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit me fokus ndalimin e basteve sportive nga data 1 janar 2019. Lleshaj tha se çdo aktivitet i kësaj natyre pas datës 1 janar do konsiderohet veprimtari e paligjshme e cila do sanksionohet sipas ligjeve në fuqi. Lleshaj paralajmëroi edhe drejtuesit e policisë nëse në zonat e tyre do konstatohen aktivitete të ushtrimit të basteve sportive.

“Që në orën 00:00 të 1 janarit nuk do të lejohen bastet sportive, lojërat me kalë, apo dhe reklamat për bastet. Policia e Shtetit në këtë rast është strukturë në zbatimin e drejtpërdrejt të ligjit. Nga data 1 janar kjo veprimtari bëhet e paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ndalimi i saj është detyrim për Policinë e Shteitt. Në ccdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur apo të kamufluar, duhet të trajtohet si parcelë kanabisi dhe e gjithë qasja e policisë duhet të jetë e tillë nëse ka mbetur ndonjë në funksion. Drejtuesit e policisë do vihgen përpara përgjejgësisë nëse konstatohet veprimtari e paligjshme në territorin që ata do kenë në mbikëqyrje”, u shpreh Lleshaj.